Sistemi përmbys i zgjedhjes
Kur kanë mbetur vetëm disa ditë për zyrtarizimin e kandidatëve për kryetarë bashkie publiku ka rastin të mësojë përsëri se distanca midis asaj që politika premton dhe ofron është dhe mbetet e thellë, me ecje paralele dhe pa shanse praktike dhe as teorike takimi. Natyrisht që ndarja e re territoriale do të duhej të shoqërohej me një proces të ri të përzgjedhjes së 61 emrave, shumë prej të cilëve, referuar resurseve financiare nën përgjegjësi, do të jenë njerëzit më të pushtetshëm në katër vitet e ardhshme në Shqipëri. Vetë ndarja e re u bë, përveç të tjerash, kundër fenomenit të ‘privatizimit’ të njësive vendore nga të njëjtët emra në disa mandate.
Tani që lista është publike për shumicën e njësive kryesore vendore, partitë ofrojnë atë që muaj më parë kritikonin: ri-kandidimin në rreth një të katërtën e territorit. Ri-kandidimi në politikë do duhet të jetë produkt i analizës mbi bilancin e punës, modelin e ofruar dhe pritshmëritë. Në PS modeli i vetëm pozitiv bashkiak merret Korça, në PD merret Shkodra dhe në LSI merret Poliçani. Për të gjitha palët ekzistojnë modele të tjera jo të suksesshme, përfshirë drejtimin në shumicën e bashkive të pjesës qendrore të vendit, në të cilat, për ironi të fatit, 70% e drejtuesve të vjetër rikandidojnë. A është ky produkt i imponimit të tyre financiar në partitë respektive apo e garancisë së tyre financiare për të siguruar mandatin, nuk ka rëndësi.
Rëndësi merr fakti se ata nuk janë model suksesi, dhe pavarësisht kësaj, imponohen të jenë edhe më tej drejtues të njësive, madje në rrethana të reja, ku territori i tyre i drejtimit shumëfishohet në hapësirë, mjete financiare, mundësi abuzimi dhe politika klienteliste. Për qytetarin, i cili dukshëm e ka shprehur zhgënjimin e tij përmes sondazheve, opinioneve, reagimeve publike, etj, nuk ka opsion tjetër, – ai është i detyruar të zgjedhë midis ofertave të vjetra, të provuara dhe të konsumuara prej tyre.
Elementi i dytë lidhet me retorikën e dekriminalizimit. Pas rezolutës në parlament dhe debatit mbi natyrën e ndërhyrjeve pa cenuar Kushtetutën, sprova e parë do duhej të ishin zgjedhjet lokale. Midis listës së ofruar tashmë nga palët kryesore gjenden të gjithë, – figura të pastra, figura eksperimentale, ashtu si edhe individë me kredenciale problematike në raport me ligjin shqiptar dhe në disa raste, edhe me ligjin e disa vendeve të tjera. Disa janë të dënuar, disa të shkarkuar nga funksioni i tyre i mëparshëm me akuza abuzimesh, disa të penalizuar në elementë thelbësorë që lidhen me integritetin e tyre publike, dhe disa, individë të fortë me alergji jetësore ndaj librit dhe shkollës.
Kjo ofertë është fyese për elektoratin, fyese për partnerët tanë dhe fyese për Shqipërinë. Logjika e zgjedhjes “së fortë” apo të “çunave të mirë” është dhe mbetet para-demokratike, oligarkike dhe nuk përputhet në asnjë rast me asnjë prej normave etike, morale, ligjore dhe qytetare të një demokracie funksionale.
Elementi i tretë dukshëm dominues është tendenca e individëve me pushtet qendror për të ndryshuar pozicion drejt pushtetit vendor. Edhe në zgjedhjet e kaluara edhe tani shohim deputetë që braktisin mandatin parlamentar për të kërkuar mandatin lokal. Përse e bëjnë? Për elektoratin? Jo. Në emër të tyre ata janë zgjedhur deputetë dhe kanë premtuar një program politik 4 vjeçar.
Ata po e ndërpresin në mënyrë të njëanshme këtë kontratë për të premtuar një kontratë tjetër lokale 4 vjeçare, e cila siç ndodhi edhe tani, mund të ndërpritet përsëri pas dy vitesh. A mbajnë përgjegjësi politikanët kur bëjnë kalime të tilla thellësisht pa respekt ndaj votuesve? A mund të ketë sens që të qeverisimi nga individë që braktisin detyrën në rastin e ofertës më të parë? A kanë përgjegjësi partitë dhe liderit e tyre që e trajtojnë elektoratin si nëj turmë pa zë, pa sy e pa veshë, të përpunueshme nga çdo sjellje imponuese nga lart?
Elementi i tretë është jo vetëm etik, por lidhet edhe me natyrën klienteliste me të cilën po ushqejmë prej disa vitesh sistemin përfaqësues dhe sistemin politik. Në listë gjenden të paktën 10 raste kandidatësh, të cilët janë zgjedhur në zonat e tyre falë koalicioneve të kundërta politike, fillimisht me PD dhe më pas me PS, dhe anasjelltas, duke pasur në krah LSI ose ndonjë forcë tjetër politike. Për të fituar ata kanë bërë fushatë të ashpër kundër partive respektive dhe sot, në skemën e re, i përshtaten aleancave të reja, duke vetëofruar të njëjtin produkt të disa aleancave të kundërta. Zgjedhjet kanë vlerë kur zgjedhim më të mirin, jo më të aftin për pazare votash dhe aleancash, ndaj ky fenomen kandidimi shkel parimet etike të konkurrencës, injoron ndjesinë elektorale dhe e trajton politikën si një mall të denjë për prurësin më të parë në tregun e lagjes.
Elementi i katërt lidhet me fenomenin e çuditshëm, ku shumica e individëve të kandiduar deklarojnë se nuk kanë dashur, por janë ftuar të kandidojnë. Pra, partia ka vendosur për ta. Në zgjedhje lokale do duhej të ishte e kundërta: cilido që dëshiron do duhej të shpallte synimin dhe programin e tij dhe kështu të bëhej garë për më të mirin edhe brenda partisë. Sa sens ka që votuesi të zgjedhë një kryetar që thotë se nuk ka projekt dhe as ambicie personale për qytetin, por është caktuar nga partia, e cila do t’ia shkruajë edhe projektin elektoral? A nuk i kishim kështu dikur sekretarët e Komiteteve të Partisë? A nuk po kultivojmë kështu modelin e militantit partiak që sipas vullnetit të shefit politik, merr çdo detyrë të mundshme me premtimin “do ketë ndihmën e partisë” për ta kryer? E kemi dëgjuar më 1948, e dëgjuam më 1991, e dëgjojmë edhe më 2015….një fenomen kritik për gjendjen ku ishim, ku jemi dhe çfarë po u lemë brezave më të rinj.
Së fundi, jo për statistikë si argument përmbyllës: në 16 universitete të mëdha kombëtare si është e mundur që partitë politike nuk gjetën dot një rektor, një dekan, një profesor, një akademik, një personalitet të shkencës dhe administrimit, një figurë me aktivitet e CV kulturore për ta kandiduar në një prej 61 bashkive të vendit? Duke mënjanuar elitën, sepse ajo është akademike, sepse nuk paguan në fushatë, sepse është e bezdisshme pas rregullave, sepse nuk mbron dot votën, sepse nuk merret me shitblerje betoni dhe as nuk ka pronësi në dhjetëra firmat abuzive të bregdetit apo të Bulqizës, – dhe duke emëruar elitë lokale edhe individë që krenari të CV së tyre kanë grushtat me shokët e lagjes apo ndonjë ndërtesë betoni a restoranti të ndërtuar në kohën e informalitetit, i bëjmë dëm të shumëfishtë qeverisjes vendore, qytetarëve, institucioneve, politikës, sistemit përfaqësues, shoqërisë dhe demokracisë së premtuar funksionale.
Dhe kur këtij produkti të dëmshëm i japim edhe mandat afatgjatë, i japim imunitet dhe e paraqesim si zgjidhja më e mirë për Shqipërinë, nuk kemi bërë asgjë tjetër vetëm sa kemi përmbysur sistemin e zgjedhjes dhe i kemi dhënë shans të ri dominues sistemit të oligarkisë, kundër të cilit u duk se shqiptarët votuan me shumicë më 2005 dhe më 2013. (shqiptarja)