S’ka më shitje karburantesh pa faturë fiskale, MF: Tregtarët i dëmtonin vetë kasat

Pikat e karburanteve nuk do të lejohen më të shesin, nëse kanë defekt në kasën fiskale. Udhëzimi aktual i lejon ato, që në rast avarie të kasës, të shesin 72 orë në rrugë manuale, por zëvendësministrja e Financave, Irena Beqiri thotë se kjo hapësirë është përdorur gjerësisht për evazion taksash. – “Çdo muaj u prishen kasat disa pikave dhe pasi shesin këto 72 orë ato nuk raportojnë asgjë te Tatimet. Kjo procedurë nuk do të lejohet më. Në qoftë se kasa prishet, atëherë pika do ta ndërpresë shitjen, do të lajmërojë menjëherë kompaninë që është përgjegjëse për mirëmbajtjen e kasave, e do të ndërpresë shitjen, derisa të rinisë procesin me kasë të rregulluar, duke fiskalizuar shitjet”, u shpreh Irena Beqiraj, zv.ministre e Financave dhe drejtoreshë e komanduar e Doganave.

Sipas saj, përveçse është përdorur si një dritare për evazion, shitja pa kasa fiskale u ka krijuar hapësirë tregtarëve të abuzojnë edhe me cilësinë. – “Nga të gjitha kontrollet që kemi pasur prej qershorit deri në janar me grupin GFI, koncesionarin e markimit, kemi parë jashtëzakonisht shumë pika fundore, që e kanë pasur produktin të përzierë. Në disa raste ka qenë edhe 100% e përzier”, deklaroi më tej Irena Beqiraj.

Ligji aktual parashikon dënim me gjobë për tregtarët, që konstatohen se abuzojnë me cilësinë. Zv. ministrja thotë se masat ndëshkuese do të forcohen. – “Është ngritur një grup pune pranë Ministrisë së Ekonomisë, me specialistë të të gjitha fushave, Tatimeve, Doganave, IQT-së dhe Metrologjisë, që të shikohen të gjitha ndryshimet ligjore të nevojshme, në mënyrë që të sigurojmë jo vetëm mbledhjen e taksave, por edhe kontrollin e cilësisë. Ndoshta deri në konfiskim të menjëhershëm pa paralajmërim të pikës që shet karburant të paçertifikuar apo edhe të pafiskalizuar”, shtoi më tej Irena Beqiraj.

Këto masa vijnë pak ditë, pasi kryeministri deklaroi se qeveria do të nisë një aksion të gjerë për të goditur tregtarët, që abuzojnë me cilësinë e naftës. Rama tha se kompanitë kanë dy javë kohë që t’u japin fund praktikave të paligjshme dhe abuzimit me cilësinë, ndryshe do të përballen me masa të forta ndëshkuese.

SHKARKO APP