Skandali i dopingut, Godelli e Begaj pezullohet nga 2 vjet, Pulaku 8 vjet
Ndodhi ajo që pritej. Kampionët shqiptarw tw Peshëngritjes bien zyrtarisht nga “froni” dhe madje pezullohen për një kohë të gjatë nga aktivitetet sportive. Daniel Godelli, Hysen Pulaku dhe Romela Begaj, pasi fituan medalje dhe shënuan sukses në Botërorin e vitit tw kaluar, për shkak se rezultuan me doping, janë pezulluar nga aktivitet sportive pas një vendimi të marrë nga Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes. Dy të parët rezultuan pozitiv në Botërorin e Kazakistanit. Burime pranë FSHP bëjnë të ditur se IWF, pasi ka marrë dhe përgjigjet e testit B dhe ka vendosur të pezullojë për 2 vjet nga të gjitha aktivitetet dy medalistët në botëror, Romela Begaj dhe Daniel Godelli, ndërsa Hysen Pulaku për rast të përsëritur është pezulluar me tetë vjet. Pulaku rezultoi pozitiv edhe në Lojërat Olimpike, Londër 2012, çka do të thotë se karriera e tij mori fund me kaq. Godelli, Begaj dhe Pulaku rezultuan pozitivë ndaj substancës stanozolol në testet e anti-dopingut të publikuara pas përfundimit të Botërorit. Godelli u shpall kampion Bote në dy-garësh, Romela Begaj kampione e Botës në stilin e shkëputjes dhe Hysen Pulaku u klasifikua i pari në Baterinë B. Gjatë muajit Dhjetor sportistët kërkuan t’i nënshtroheshin dhe testit B, për të vërtetuar pafajësinë e tyre. Përgjigja për testin B erdhi vetëm për Pulakun, ndërkohë që ishte në pritje rezultati i analizave të Romelës dhe Danielit. Por me pezullimin e sportistëve nga arena ndërkombëtare, konfirmohet se dhe në testin B ata kanë rezultuar pozitiv, por është mbajtur diçka e tillë e fshehur nga pala shqiptare. Në Europianin e Tbilisit, Shqipëria ishte konfirmuar që një muaj më parë, që do të merrte pjesë me vetëm dy peshëngritës, Erkand Qerimaj dhe Shqiponja Brahja. Pas tërheqjes së Qerimajt, Brahja do të jetë e vetmja përfaqësuese e Shqipërisë në këtë kompeticion. Sakaq, nga një sport i suksesshëm duket se Peshëngritja Shqiptare me vendimet e fundit ka marrë një goditje të fortë.