Skandali i FIFA-s, Blatter sulmon SHBA-në dhe Britaninë e Madhe

Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter i është drejtuar Kongresit me një fjalë rasti paraditen e së premtes, teksa sot pritet të votohet edhe për presidentin e ardhshëm. Blatter është në garë për një tjetër mandat, por FIFA është përfshirë në një skandal të gjerë korrupsioni.  Për skandalin 100 milionësh ai ka fajësuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe. 

Duke qenë se Anglia dhe Amerika kishin paraqitur ofertat e tyre për organizimin e Botërorëve 2018 dhe 2022, dhe ishin hedhur poshtë duke zgjedhur Rusinë dhe Katarin, Blatter, duke nënkuptuar, ka thënë se ngjarjet nuk do të arrinin në këtë pikë nëse do fitonin këto dy shtete.

“Ata po vënë në pikëpyetje Botërorët e 2018-s dhe 2022-s. Në dhjetor të 2010-s këtu në Zyrih, kur vendosem për këta Botërorë, nëse nga ai zarf do të dilnin dy shtete tjera, mund të mos kishim këto probleme sot. Por, nuk mund të kthehemi në kohë, nuk jemi profetë. Nuk mund të themi çfarë do të kishte ndodhur”,- është shprehur Blatter.

Pas skandaleve të fundit, Blatter ka thënë se në mandatin e ardhshëm do të ketë prioritete tjera, duke i shpallur luftë korrupsionit në FIFA. Sipas tij, ky institucion nuk guxon të rrëshqasë më poshtë se kaq, duke kërkuar që të fajësohen individët dhe jo FIFA.

 

“Sigurisht që pas këtyre ngjarjeve, unë do kem prioritete tjera. Duhet të largojmë të korruptuarit nga ky institucion, sikurse do të duhet të fajësohen individët dhe jo FIFA në tërësi për këto skandale. Jemi në pikën e kthesës, duhet të bashkojmë forcat dhe të shkojmë përpara”.- ka thënë Blatter.

SHKARKO APP