Skema e ndërrimit të makinave të vjetra, ministria: Sugjerim i BE, preken 15 mijë automje

Skema për subvencionimin e blerjes së një makine të re në vend të së vjetrës është vetëm një sugjerim i ekspertëve të huaj, si një ndër masat për të përmirësuar cilësinë e ajrit, por jo vendim definitiv.

Ky është sqarimi zyrtar që jep Ministria e Mjedisit pas informimit për masat që do të ndërmarrë qeveria për të ulur nivelin alarmant të ndotjes në vend. “Masat e propozuara janë sugjerime të ekspertizës së huaj, bazuar në praktikat më të mira europiane dhe më gjerë, që kanë shërbyer si mekanizma për përmirësimin e cilësisë së ajrit të mjedisit në ato vende”.

Ajo çfarë po qarkullon në media, sipas Ministrisë, është keqinformim, duke theksuar se një gjë e tillë as nuk është diskutuar nga ekspertët vendës, e jo më të kenë rënë dakord.

“Masat e propozuara në plan nuk janë konsultuar dhe as dakordësuar akoma as me stafin e brendshëm të Ministrisë së Mjedisit dhe as me institucionet përgjegjëse si Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Transporteve, Ministria e Financave, apo palët e tjera të ndikuara”, theksohet në njoftimin për shtyp të MMJ.

Kostoja e frikshme prej 318 milionë eurosh që parashikohet në draftplanin për pastrimin e ajrit të ndotur, për ministrinë përgjegjëse, është thjesht një parashikim i Bashkimit Europian përmes projektit IBECA për të arritur normat standarde. Sipas MMJ, propozim është gjithashtu shifra e bërë publike nga zyrtarë të ministrisë, kostoja e skemës së subvencionimit për të nxjerrë nga qarkullimi makinat e vjetra.

“Vlera 15 milionë euro e lidhur me një skemë subvencionimi për sektorin e makinave është gjithashtu sugjerim i këtij draftplani për këtë sektor (është vetëm një nga fushat që prek cilësinë e ajrit, siç edhe është theksuar në njoftimin për Shtyp lëshuar nga Ministria e Mjedisit me datë 2 nëntor 2016. Sqarojmë se qeveria shqiptare nuk ka konsultuar asnjë vendim të llojit subvencionim makinash”, sqarohet në njoftimin për shtyp.

Dy ditë më parë, “Panorama” zbardhi skemën e qeverisë për të ulur normën e ndotjes së ajrit, e ngjashme me atë që funksionon prej vitesh në vendet e BE-së. Subvencionimi për ata që kanë një makinë të vjetër dhe dëshirojnë të blejnë një të re është një ndër pikat e planit që prek mbi 15 mijë përdorues në vend.

Kjo i nxit ata të blejnë një makinë të re, duke ulur normën e ndotjes. Prej kohësh draftplani kombëtar për menaxhimin e cilësisë së ajrit po diskutohet me grupet e interesit dhe pritet të miratohet në korrik të 2017-s.

SHKARKO APP