Skemat e ujitjes, fillon rehabilitimi i plotë në disa Bashki

Ministria e Bujqësisë në bashkëpunim me projektin e Bankës Botërore, do të  fillojë gjatë 3-mujorit të katërt të 2016-ës, rehabilitimin e plotë të skemave ujitëse, për Bashkitë e Lushnjës, Divjakës, Roskovecit dhe Devollit.

Sipas ministrisë së Bujqësisë, nëpermjet rialokimit të diferencave të prokurimit ka filluar rehabilitimi i 5 objekteve të mbrojtjes nga përmbytja në Shkodër, Kavajë, Delvinë. Ndërsa proçesi i pastrimit të rrjetit ë kanaleve kryesore kullues ka hyrë në një fazë intensive dhe mbas përfundimit të ujitjes do të intensifikohet  edhe më shumë.

Monitorimi i buxhetit për 6- mujorin e parë të vitit 2016, tregon se Projekti i Burimeve Ujore dhe Ujitjes është realizuar  në  masën 37 %. Ndërsa objektivat e zhvillimit të projektit synojnë krijimin e kuadrit strategjik për menaxhimin e burimeve ujore në nivel kombëtar dhe në basenet e lumenjve Drin-Buna dhe Seman.

Ministria e Bujqësisë bën të ditur se janë finalizuar të gjitha procedurat e prokurimit për aktivitet sipas planit të prokurimit për vitin 2015. Ndersa projekti ka hyrë në fazën e jetësimit të objektivave, kryerjes së punimeve civile dhe financimit të aktiviteteve të tjera mbështetëse.

Ministria e Bujqësisë bën të ditur se deri tani janë nënshkruar 31 kontrata, nga të cilat 9 kanë përfunduar dhe pjesa tjetër është në proces implementimi. Për vitin 2016 është parashikuar financim i huaj dhe i brendshem në vlerën 1,235 milion lekë. Kontratat më të rëndësishme në proces implementimi e që kanë efekt direkt në realizimin e objektivave të projektit janë: “Rehabilitimi i 11 digave” e “Shërbimi i përgatitjes së studimeve të fizibilitetit dhe projekteve të zbatimit për sistemet e ujitjes dhe kullimit”.

SHKARKO APP