Skënder Hita merr detyrën si drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit
Zhvillohet ceremonia e betimit të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
Ai u emërua ditën e djeshme në këtë detyrë të lartë shtetërore.
Me propozim të ministrit të Brendshëm Besfort Lamallari, Skënder Hita zuri vendin e Ilir Prodës pas largimit të tij nga detyra.
“Zgjedhja e tij në krye të Policisë, tregon se si ecet në shkallët e karrierës. Detyra e parë e drejtorit të ri të policisë, është forcimi i standardit të policisë, i kësaj organizate, që është ndër organizatat më të rëndësishme të shtetit shqiptar. Policia ka rol kyç në procesin e integrimit të vendin në BE”, tha zëvendëskryeministrja Albana Koçiu në këtë ceremoni.
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, vlerësoi figurën e tij për profesionalizmin dhe integritetin që ka treguar gjatë viteve të karrierës.
“Vlerësoj gjithë kandidatët që ishin të pranishëm. Lidhur me kandidatin fitues, jam i bindur që të gjithë ju këtu sot por edhe më gjerë, ndani të njëjtën bindje me mua se zoti Hita është njeriu i duhur për të udhëhequr Policinë në këtë moment të rëndësishëm. Është profesionist dhe me integritet”, u shpreh ministri gjatë fjalës së tij.
Në fjalën e parë të mbajtur, Skënder Hita bëri me dije prioritetet për Policinë e Shtetit, duke vijuar nga rritja e sigurisë për qytetarët, te lufta kundër korrupsionit nisur që nga radhët e bluve.
“Pas një rrugëtimi 25 vite me dëshirën për t’u shërbyer pa kompromis qytetarëve, kam nderin të marr përgjegjësinë për këtë detyrë. Nuk e shoh si arritje personale, por si përgjegjësi të madhe. Falënderoj kryeministrin dhe qeverinë për besimin e dhënë. I jap mirënjohës çdo efektivi që shërbejnë çdo ditë me përkushtim. Nderim për dëshmorët e polici dhe respekt për veteranët. Policia nuk është vetëm institucion që ofron shërbim, vendi ku qytetari gjen mbështetjen. Luftë pa kompromis kundër korrupsionit duke filluar nga radhët tona, rritja e sigurisë në shkolla, forcimi i rendit dhe siguritë, modernizimi i policisë, rritje e transparencës dhe përgjegjshmërisë, mbështetje dhe motivim për çdo punonjës, forcim i bashkëpunimit me partnerët. Po përgatitemi për Policinë e Shtetit të një vendi evropian”, tha Hita.
KOHA JONË SONDAZH

