Skënderbeu si vrasës i myslimanëve dhe neo-osmanizmi si dukuri tragji-komike

Nikollë Loka/Kam lexuar këto ditë analiza rrreth turkut Tahla Ugurlel, që për disa është një individ i papërgjegjshëm, për shumë të tjerë i çmendur dhe pak e trajtojnë me një diagnozë që e merr seriozisht, siç do ta marr unë, si nacionalist turk dhe shovinist neo-otoman. Nga tërësia e incidenteve me turq vitet e fundit, për punën e bustit të Skënderbeut në zyrat tona shtetërore me rastin e pritjeve të shtetarëve turq; deklaratat rreth historisë të ministrit turk të Arsimit; të artikulimeve të Erdoganit dhe Dautoglusë rreth shqiptarëve si mbeturina osmane, të Erdoganit se “Kosova është Turqi”, del se po vazhdon avazi i vjetër, me Ugurluel, një aktor të profilit të ulët, në një skenë të profilit të lartë, bash te varri i Kryeheroit shqiptar dhe europian.

Kemi dëgjuar ndër shqiptarë, të paktën si shtetas të tillë se “Skënderbeu nuk është heroi im, se “ka vrarë myslimanë”, se “rezistenca e tij ishte e kotë”, se ”turqit ishin çlirues në trojet tona”, se, e se e se, etj. Këto pikëpamje ata i kanë marrë të gatëshme në kuzhinat anadollake në Turqi dhe na i kanë sjellë shqip nëpër mediumet tona. Turku Ugurluel ishte i veçantë vetëm se zgjodhi varrin e Kryeheroit dhe Lezhën, vendin ku ishte debatuar gjatë për një pllakë të Sulejman Pushtuesit, për të shprehur jo thjeshtë mendimet gjoja “shkencore” të tij, por kryesisht ato politike dhe gjeopolitike. Ai i fton shqiptarët të zgjedhin midis Skënderbeut dhe Mehmet Akif (Mehmet Aqifit), por përmend edhe Sami Frashërin (që turqit ia kanë ndaluar me ligj mbiemrin dhe e quajnë Shemsedin Sami) e të mëdhenj shqiptarë si Kryevezir Ibrahim Pashë Parga, (që Sulltan Sulejmani i pllakës së Lezhës i preu kokën), e të tjerë, një pjesë e të cilëve pësuan të njëjtin fat si Kryeveziri i ndjerë Ibrahim.

Në diskursin mediatik shqiptar, dhe jo vetëm, kohët e fundit po diskutohen projeksionet neo-otomane dhe shqiptarët ftohen të bëjnë zgjedhje: të ecin në gjurmët e zyrtarëve të lartë që u shërbyen otomanëve, apo të atyre që i “tradhtuan” ata. Përmendet Sami Frashëri si ideolog pro-otoman. Po cila ishte zgjedhja e Sami Frashërit, idetë e të cilit janë të njohura: Samiu thekson domosdoshmërinë e bashkimit kombëtar mbi bazën e etnisë së përbashkët: Sipas tij “Shqipëria nuk është e ndarë pas feve…Një i krishterë është më afër me një muhamedan që është në farë të tij, se nga një i krishterë që është nga farë tjatërë”. (Letër e Sami Frashërit drejtuar Jeronim De Radës, Stamboll me 20 shkurt 1881, AQSH, F.51, D.4, fl.1) Ai beson se “Shqipëria dhe Turqia nuk mund të rronin më gjatë tok, dhe sikur Turqia të kishte përpara një tjetër periudhë prosperiteti. Shqipëria nuk do të mund të shpëtonte kombësinë dhe gjuhën e saj, po qe se Turqia do të vazhdonte të ndalonte shqiptarët të themelonin shkollat e tyre amtare, ndërsa lejonte kombësitë e tjera, armike të saj dhe të Shqipërisë të vepronin si t’u pëlqente”. (Stavro Skëndi, Zgjimi kombëtar shqiptar 1878-1912, përkthyer nga Skënder Luarasi dhe Nestor Nepravishta, Phoenix and Shtëpia e librit dhe e komunikimit, f. 160-161) Është diskutim nacionalist do të thotë kori i mbështetësve të neo-otomanizmit, që nën maskën e luftës kundër nacionalizmit si dukuri e tejkaluar, mbrojnë pozitat e nacionalizmit turk dhe të shovinizmit neo-otoman, me synimin për ta aktualizuar të kaluarën në shërbim të synimeve politike të Turqisë së sotme. Parullat politike që ka artikuluar turku Ugurlel, përbëjnë qëndrimin e krejt historiografisë turke, të teksteve të historisë që mësojnë fëmijët e 6 milionë shqiptarëve, i punimeve akademike turke, të kumtesave në konferenca shkencore, përfshire ato që janë mbajtur në Tiranë dhe Prishtinë. Problemi nuk eshte një turk, kushdo qofte ai, por fryma e neo-osmanizmit që ka kapur të gjithe poret e shoqërise turke. E veçanta e këtij sharlatani është se shrytëzoj mikpritjen shqiptare për t’u fol turqëve në gjuhën e tyre dhe bëri propagandë shoviniste neo-otomane dhe antishqiptare. Të tjerë, nëpër salla mondane i kanë artikuluar të njejtat ide me fjalë të zgjedhura, por në thelb me të njëjtat synime. Arsyea është e thjeshtë, identiteti kombëtar i shqiptarëve u formua ne periudhën e Rilindjes Kombëtare si ftesë për të flakur robërinë otomane dhe duke kundershtuar krejt politikën antishqiptare të osmanëve. Të gjithë rilindasit pa përjashtim janë në thelb antiosmanë. Në këto kushte, politikat neo-otomane të sotme, dhe gjithë propaganda pseudoshkencore e historianëve turq, mbeshtetet mbi teza antishqiptare që nuk dallojnë aq shumë nga tezat serbe.

Ndër shqiptarë, grupi që mbron sot nacionalizmin turk dhe shovinizmin neo-otoman shfaqet me pamjen tragji-komike të një grupi social apatrid, që jeton në një vend dhe projekton të ardhmen në një vend tjetër, e të jep pështypjen se jeton në një vend të pushtuar. Ata shfaqen bindshëm si vazhdues të grupit social që ishte i lidhur këmbë e krye me pushtuesin turk dhe qeveritë turke të radhës që luftuan sa mundën kundër kombit shqiptar për interesa turke: kundër alfabetit shqip, kundër Pavarësisë së Shqipërisë, kundër shtetit shqiptar në periudhën e qeverisjes së Vidit, në mbështetje të qëndrimit antishqiptar turk që nuk e njohu pavarësinë e Shqipërisë së pavarur deri në vitin 1926 dhe që i prishi marrëdhëniet diplomatike dy vjet më vonë, në emër gjoja “të republikanizmit”, ndërkohë që kishte marrëdhënie normale me mbretëritë ballkanike të Bullgarisë, Greqisë, Serbisë dhe Greqisë, pa folur për monarkitë e tjera jashtë rajonit.

Nacional-shovinistët turko-osmanë janë dhe komikë sepse e projektojnë Turqinë e sotme dhe të nesërme një Perandori, alternativë e Bashkimit Europian. Këta nuk ia kanë idenë fare për fuqinë e tashme të Turqisë dhe Europës së Bashkuar; nuk duan t’ia dijnë se në Europën e sotme, buxheti ushtarak i Francës është 50.9 miliardë euro, ndërsa ai i Turqisë vetëm 18 miliardë, se vetëm Franca, Italia, ose Spanja, madje dhe shtetet e vogla si Holanda, Austria, Finlanda, Suedia janë superiore ndaj Turqisë së sotme për shkak të avantazheve të padiskutueshme në teknologjinë ushtarake.

Ndërkohë që në Perëndim shtatoret e Heroit tonë Kombëtar zbukurojnë sheshet kryesore, në Turqi ka përpjekje të mëdha për ta përbaltur, ku krahas turqëve dallohet dhe një grup i shqiptarëve të tjetërsuar në nacionalistë turq dhe shovinistë neo-otomanë. Meqenëse rezultatet e deritanishme kanë dështuar, vjen një donkishot safi turk, Talha Ugurlel dhe na fton të zgjedhim pro ose kundër

Skënderbeut, d.m.th. pro ose kundër Turqisë, sepse sipas tij, “rrugë të mesme nuk ka!”

Te varri i Kryeheroit shqiptar dhe europian, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, pabesia tradicionale turke ndaj shqiptarëve u rishfaq edhe njëherë, jo si rast i izoluar, por si vazhdim i politikës antishqiptare të shovinizmit turk, që i ka projektuar trojet shqipatre si trampolinë drejt Europës, ose si një “Turqi e vogël” në zemër të saj.

SHKARKO APP