“Slovv food Fishta”, Renato Mekolli dhe ne të tjerët….
Nga Entela Binjaku
Diskutimi mbi kuzhinën dhe ushqimin tradicional ka zënë vend në mjaft biseda, veçanërisht kur synimi ka qenë për t’u krenuar me shijen, origjinalitetin dhe autenticitetin e saj. Por, në jo pak raste qytetarët e kanë gjetur veten në vështirësi sa i takon kufizimit në larmi apo veçimit prej kulturave të tjera, zakonisht prej asaj turke. Ushqimi dhe gatimi janë nga ato aspekte të jetës shqiptare që njohën risi dhe zhvillime në këto 25 vitet e ndryshimit. Mënyra e të ushqyerit gjatë kësaj kohe bëri që shprehja mjaft e konsoliduar në psikikën shoqërore, si tregues i varfërisë së trashëguar: “po hamë bukë” të fillojë të zëvendësohet me shprehjet: “po hamë… drekën, darkën, mëngjesin”.
Varfëria kolektive dhe izolimi tërësor që parapriu këto ndryshime u pasua në njërin krah nga varfëria individuale dhe familjare tek mjaft shqiptarë, por nga ana tjetër edhe nga mirëqenia ekonomike tek të tjerë, ku natyrisht hapja e vendit bëri “punën e vetë”. Në këto vite tryezat e mjaft familjeve shqiptare u transformuan në mozaikë shijesh dhe dekori të panjohura më parë. Qytetarët vetë po i aviteshin me më shumë guxim dhe kurajo gastronomisë për të provuar shije të reja dhe të vjetra njëkohësisht. Ndikimi i kuzhinës nga përtej Adriatikut bëri që makaronave t’u thuhet “spageti “ dhe pilafit “rizoto”. Nga kufijtë jugorë “xaxiqi” zëvendësoi “salcën e kosit” dhe me “sallatë greke” bëri të njihej sallata me domate dhe kastraveca kur i ke hedhur përsipër djathë.
Ndërkohë ndikimi i shkollës ndërkombëtare të kuzhinës bëri që në vend të fjalës “kuzhinier” të gjejë gjithmonë e më shumë vend fjala “Shef”. Në këtë atmosferë ndryshimesh kuzhina shqiptare, herë e ngatërruar, herë e pasuruar me të tjerat, herë e mbetur e palëvizshme, përmes medias pamore po i paraqitej publikut përmes rubrikave të gatimit, recetave të përditshme duke e afruar qytetarin shqiptar më pranë shijes së re, të menduar dhe të kujdesur. Një vend të ndriçuar në këtë panoramë zënë dy personazhe, që edhe pse të palidhur me njeri-tjetrin, përfaqësojnë kulturën e re të gastronomisë shqiptare.
Njëri quhet Renato Mekolli, i cili ju paraqit publikut përmes një programi gatimi që zinte vend qendror në programacionin e një televizioni kombëtar me ndikim dhe shikueshmëri të lartë. Popullariteti i shpejtë, simpatia që fitoi në radhët e shikuesve, numri i lartë i ndjekësve në rrjetet sociale bëri që Renato të shndërrohej në ikonën e këtij programi, ku ndërthurej disiplina, pasioni, magjepsja që krijon një pjatë e gatuar bukur dhe shija e pakundërshtueshme. Ky program dhe aktorët e tij solli në vëmendjen e opinionit tonë një fushë të nënvlerësuar siç është gatimi, duke theksuar rëndësinë dhe përgjegjësinë që kërkon ky proces. I ftuar në një takim me të rinj, studentë Renato ju përgjigj kërshërisë së të pranishmëve për zbulimin e pasionit, fillesat e tij, përkushtimin ndaj gatimit, modelet që e kanë frymëzuar duke shprehur dëshirën e tij për të sjellë në një format bashkëkohor e të rijetësuar kuzhinën tonë tradicionale. Ai i ftoi të rinjtë t’i qasen me dashuri gatimit, duke i rekomanduar ushqimin e shëndetshëm dhe emocionet që sjell koha e ndarë së bashku duke gatuar. Në një klimë të lartë të mosbesimit të të rinjve tanë për të ndjekur pasionin, të nevojës për modele që frymëzojnë, veçanërisht në një fushë të pavlerësuar siç është gatimi, Renato solli më afër modelin e ecjes përpara falë punës, sakrificës për pasionin, vështirësitë e një emigranti për të siguruar jetesën falë talentit dhe këmbënguljes, duke u bërë zëri edhe i mjaft të rinjve të tjerë të apasionuar dhe të talentuar në këtë fushë, por dhe jo vetëm.
Personazhi i dytë që vjen në të njëjtën linjë, të suksesit të dhe modelit të mirë, ku kuzhina tradicionale është pasuruar në risi, duke ruajtur origjinalitetin dhe autenticitetin është restoranti
“ Mrizi i zanave”. I vendosur në zonën e Kallmetit, në fshatin Fishtë ky oaz i ushqimit ka mbërthyer vlerësimin e thuajse të gjithë klientëve që kanë kaluar së paku njëherë në mjediset e tij. Në rreth 6 vitet e aktivitetit ky restorant që frekuentohet nga qindra klientë në ditë, ku në shërbim të ushqimit dhe gatimit vihen rreth 30 punonjës i ka dhënë një tjetër frymëmarrje kuzhinës shqiptare përmes gatimeve autoktone. Restoranti pjesë e grupimit për ruajtjen dhe kultivimin e biodiversitetit i njohur me emrin “Slovv Food Fishta” ngre në art gatimin duke ruajtur në ekuilibër mundësitë e prodhimit të zonës me nevojat për konsum të restorantit, gjë e cila e bën dhe më të çmuar këtë model. Përballë këtyre dy personazheve, të cilët përfaqësojnë edhe mjaft të tjerë që lëvrojnë dhe ndihmojnë gatimin tradicional shqiptar duke e pasuruar me artin e tyre, qëndrojmë ne të tjerët, që zhvillojmë intervista apo vëzhgime, si instrumente me rëndësi për njohjen.
Edhe pse në kushtet e një shoqërie të varfër, rëndësia e gatimit dhe e ushqimit ka nevojë të kuptohet që të mbështetet nga shoqëria. Hapa para janë bërë, të tjerë duhet të pasojnë. Por kjo kërkon edhe më shumë punë për të zbuluar atë që na përfaqëson dhe që e bën shijen e gatimeve shqiptare dhe ushqimin pjesën racionale të krenarisë sonë.