S’na bën më syri tërr për asnjë skandal

Nga Ilir Curri/Përdhunohen tre jetime në jetimoren e Shkodrës…
Jo, atje qenka përdhunuar shoqëria shqiptare, qenkan përdhunuar institucionet e saj. Një shtet që nuk arrin të mbrojë amanetet, jetimët, të dobëtit, sakatët, gjytyrymët…

Ja skena e krimit:
Gra monstra që u është besuar (kundrejt pagesës) kujdesi i atyre jetimëve, dhe me gjakun e mishin e tyre të njomë rritin çakenjtë e vet që sa ‘marrin lëng’, bij të xhelates, bëhen më të neveritshëm se xhelatja vetë, hiena të së keqes. Ç’ka rritet me haram, haram do të bëhet. Për më tepër kush duron ngërdheshjet e perversëve që kënaqin sëmundjen e vet me të tilla lajme.

T’ua them unë ju (se ua them më me butësi se shumëkush): Ju keni dështuar!
Me përdhunimin e atyre jetimeve, janë prekur në nder, në amanet, në familje krejt shqiptaria.
Me përdhunimin e atyre jetimeve janë përcudnuar kujdestarë e mësuese e psikologe e nëpunëse të kujdesit social.
Me përdhunimin e jetimeve, janë përdhunuar tradita dhe institucionet tona që i ngjajnë plakave “të përdala” që vec lyhen e zhgërryhen për të mos shfaqur kalbësinë e vërtetë që mbajnë brenda.
Me përdhunimin e jetimëve është thyer amaneti i Zotit ndër njerëz… e hakun e kujt Zoti nuk e fal. … “E jetimin mos e poshtro!”(Kur’an), por shikoni dhe librat e tjerë me kontekst moral.
Një shoqëri matet me nivelin e funksionimit të institucioneve të saj. Zhvillimin e saj me kapacitetet integruese të brezit të ri e për më tepër jetimëve, të pastrehëve, të pakicave. Nivelit të bashkëjetesës sociale e të ngjashme. Të gjitha këto në shoqërinë tonë i janë lënë ‘dorës në zemër’, shpirtmirësisë së drejtuesit, pushtetarit, kujdestarit… Kur këto janë obligime, përgjegjësi, të drejta që duhen kthyer të rregulluara me ligj.
Këtu duhej të thirrnin pushtetarë, ministra, të ulërinin ambasadorë, sejmenë, të bardhë e të zinj, të kuq, me e pa flamuj, të marshonin bulevardeve e shesheve të mëdhenj e të vegjël se janë cenuar ata që mbesin pa mbrojtje vec Zotit në qiell…dhe ekspozohen ndaj të keqes dhe fajësohen edhe kur ata janë viktima.

Jetimëve tanë të dashur, u themi se ju jeni të pafajshëm. Faji është i joni që s’u mbrojtëm dot pasi ishim të dhënë vec pas halleve tona e harruam që ju jeni ilaçi i shumë prej brengave që kemi.
Miq, derisa nuk pajtoheni me të keqen gjeni sot një jetim dhe thjesht ledhatojini kokën e tregoji Zotit tënd, apo qoftë edhe vetes se  se me kë je!
(Të tjetë të vazhdojnë trushpëlarjen tani, por thoni të mos harxhohen shumë se trushpëlarjen e ka bërë regjimi i dreqit, thjesht procesi vazhdon… Nuk shpjegohet ndryshe se si një shoqëri nuk lëviz as vetullën e majtë as të djathtë përballë skandaleve dhe thjesht bashkëjeton me plagët që i hapen cdo ditë.

Shqiptari, gëzuar diten boterore te jetimit!

SHKARKO APP