Sondazhet për spektaklet. Agron Llakaj: Më kujtojnë autobusin e Kuçit ….
Emisioni është i imi, sondazhin e bëj vetë
Nga Iva Tiço*
Politikanët nuk e bëjnë më. Ose e bëjnë rrallë. Lodrën me sondazhe tani e kanë marrë në dorë njerëzit e ekranit. Publikoi dikush një grafik dhe falënderoi ata që e kanë ndjekur? Fap, boton tjetri një tjetër grafik, ku thotë se është më i ndjekuri, se garën e audiencës e ka fituar ai.
Publiku i gjerë, si zor ta kuptojë këtë debat dhe nuk merr fare pjesë. Në fund të fundit, aq u bën dhe për politikën, nga varet e përditshmja e tyre e jo më për programet, që edhe po i humbën të shtunën, i shohin ritransmetim të dielën. Bizneseve që sjellin reklamën, atyre që vërtet u duhen matësit e audiencës, nuk u nevojiten postimet në rrjetet sociale, për të vendosur se ku do investojnë paratë e tyre, sepse i bëjnë analizat shumë më profesionale sesa kaq. Drejtuesve të programeve dhe pronarëve të tyre, ndryshe nga më parë, që këta matës audience u duheshin për analizat e tyre të brendshme (siç i përdorin tashmë me maturi politikanët), tani u është mbushur mendja që me to të fitojnë zemrat e audiencës. Ose thjesht të krenohen: jemi më të mirët, ne na shohin më shumë.
Ndoshta kanë të drejtë. Në fund të fundit është njerëzore të mburresh me rezultatet e mira. Që të vegjël krenoheshim të vinim dëftesat me dhjeta tek bufeja që t’i shihnin ata që vinin (shumë mama edhe i merrnin në punë t’ua tregonin shoqeve, tani i nxjerrin në Facebook dhe Instagram). Por ja që gjërat bëhen ca si qesharake, kur dëftesat nuk lëshohen nga i njëjti institicion, por duket sikur secilit t’ia japë prindi i vet dhe t’ia mbushë me të gjitha dhjeta. Sepse pak a shumë e njëjta gjë ka ndodhur dhe me grafikët që ka botuar Ermal Mamaqi dhe Luana Vjollca. I pari i hartuar nga “Telemetrix”, që prej vitesh ia shet shërbimin e tij edhe “Klanit” (arsye kjo, pse është i pabesueshëm nga “Top Channel”), dhe i dyti hartuar nga “Abacus”, kompania që paguhet nga Top Channel (ndaj dhe nuk merret për bazë nga “Klan”).
Për ta bërë fitoren edhe më të plotë, secili nga sondazhet e nxjerr shumë më poshtë atë që konsideron rival direkt. Ai i publikuar nga Luana Vjollca, në vend të dytë ka Agron Llakajn, me “Al Pazarin” e tij në “Vizion Plus”. Të tretin ka “Xing”-un e Mamaqit në “Klan”. Kurse ai i Ermal Mamaqit, të dytin gjithashtu ka Agron Llakajn, të tretin pastaj Luanën.
Pra, të dy janë të bindur: konkurrenti më i fortë qenka Agron Llakaj. Pa harxhuar ndonjë lek për të paguar kompanitë që merren me këto punë, pa bujë e zhurmë në rrjetet sociale, ai ka merituar plotësisht vendin e dytë. “E di se ç‘më kujton kjo puna e sondazheve?”, na përgjigjet ai në telefon. “Më kujton atë barsoletën e vlonjatëve, për t’u ulur të gjithë në vendin e parë të autobusit. Nuk u shpik që nuk u shpik ai autobusi që do ecë anash”. Dhe përtej batutave, humoristi i njohur, shumë seriozisht tregon se nuk i interesojnë fare këto rezultatet me sondazhe. “Kam sigurisht mënyrat e mia për ta matur suksesin, për të mësuar se në sa shtëpi shqiptarësh futem çdo javë, as më bëjnë fare kurioz këta grafikë”. Dhe ndoshta në të ardhmen nuk do bëjnë kuriozë as Ermalin dhe as Luanën. Kur të kenë sigurisht pjekurinë, përvojën dhe vetëbesimin e Agron Llakajt. Kur nuk ke këto, mbështetesh tek numrat, do shpjegonte doktor Frojdi, po ta vinin të analizonte konkurrencën e sotme televizive.
*Tiranapost.al