Sonte nis Big Brother

Sonte në “Top Channel” nis edicioni i tetë i reality show-t “Big Brother”. Ky edicion që vjen nën prezantimin e Ledion Liços, do të jetë i ndryshëm nga vitet e mëparshme pasi autorët kanë ndërtuar një strukturë të re. Konkurrentët e “Big Brother” sivjet nuk do të luftojnë vetëm për paratë që merren në fund, por çdo ditë do të “përplasen” për një shumë të caktuar dhe për të qenë lider. Pra paraja dhe pushteti do të jenë elementet bazë të lojës që ‘Big’-u do të zhvillojë në shtëpi me banorët e rinj. “Bluetooth” ka zbuluar se këtë edicion, në bazë të kësaj sfide janë përzgjedhur banorë që janë të shkolluar, kanë eksperienca shumë të forta jete dhe janë pa komplekse. Ajo që ka mbetur e pandryshuar është kohëzgjatja e spektaklit. Konkurrentët do të qëndrojnë brenda shtëpisë me kamera për 100 ditë. Sa i takon shtëpisë, zëra pranë “Top Channel” bëjnë me dije se sivjet ajo është ndërtuar krejtësisht e re, luksoze.

Mësohet se aplikantët për t’u bërë pjesë të këtij show televiziv kanë qenë me mijëra. Mosha e banorëve që janë përzgjedhur nis nga 20 e deri mbi 40 vjeç. Ata janë nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë dhe përfaqësojnë dhe grupime të ndryshme të shoqërisë shqiptare. Ledioni do të jetë i vetëm në prezantim, pra nuk do të ketë një tjetër moderator që do t’i shoqërojë banorët drejt shtëpisë apo do t’i presë kur të dalin jashtë saj siç ka ndodhur më herët. Flitet se disa nga banorët që janë zgjedhur nga produksioni, kanë hequr dorë nga disa gjëra shumë të rëndësishme të jetës së tyre vetëm për të provuar eksperiencën e “Big Brother”. Për shembull flitet se njëra prej konkurrenteve femra është nënë e dy fëmijëve. Po ashtu sivjet do të ketë edhe një numër të konsiderueshëm femrash seksi të cilat do të konkurrojnë fort edhe me pamjen e tyre. Një homoseksual diskutohet gjithashtu se është pjesë e listës së njerëzve që së shpejti do të bëhen të famshëm bashkë edhe me historitë personale që iu përkasin.

SHKARKO APP