“SOS Fshatrat e fëmijëve”:  Shtëpia e dashur për çdo fëmijë

Nga Entela Binjaku/Në Shqipëri jetimët vihen në  qendër të vëmendjes së opinionit publik kryesisht në dy raste: në periudhën e fundvitit ku drejt tyre dhe kryesisht në  kryeqytet vërshojnë kamerat televizive dhe aparatet fotografikë që tregojnë portrete  politikanësh dhe njerëzish nga bota e këngës që të pikëlluar apo dhe të qeshur në  atë ditë, e  në asnjë tjetër i vizitojnë dhe bëjnë dhurata. Situata e dytë që e afron opinionin publik me këtë kategori qytetarësh është ajo kur të miturit e shtëpive të fëmijës bien pre ose e sjelljeve të dhunshme, ose e keqtrajtimit, duke treguar paaftësinë e  të rriturve të punësuar e që paguhen për mirërritjen dhe kujdesin e tyre. Në këtë rast opinioni unifikohet në ndjeshmërinë e tij dhe në mbrojtje të tyre duke pranuar pasojat në zhvillimin psiko-emocional. Veç këtyre dy rasteve dhe jashtë tyre për fëmijët që e kanë humbur kujdesin prindëror apo që janë në rrezik për ta humbur atë kontribuon organizata “ SOS- Fshatrat e fëmijëve Shqipëri”, një organizatë e Zhvillimit Social, jo-qeveritare, jo-fitimprurëse, jo-fetare. Është themeluar në 1946 në Austri nga Hermann Gmeiner dhe është aktive në 134 shtete të botës dhe Shqipëri vepron që prej 1996

Më 18 tetor të këtij viti do të festojë 20-vjetorin e aktivitetit të saj në Shqipëri.

Aktualisht organizata operon me dy programe kryesore:programi i kujdesit me baze familjen që ofron shërbim për 136 fëmijë dhe të rinj që kanë humbur kujdesin prindëror dhe program i fuqizimit të familjes nga i cili përfitojnë shërbim 734 fëmijë dhe te rinj nga familje  me probleme social ekonomike që janë në rrezik për ta humbur ketë kujdes. Organizata synon që në vitit 2020 të ofroje në këto programe shërbime për  1150 fëmijë dhe të rinj.

Në vitin 2015 ka mbështetur në total 129 fëmijë: 69 fëmijë në “SOS Fshatin e Fëmijëve” në Tiranë, 25 të rinj në Komunitete Rinore dhe 35 të rinj në Programin e  Gjysmë Pavarësisë dhe në forma të tjera kujdesi.

Fshati SOS organizon trajnime të herëpashershme për nënat dhe tezet SOS në mënyrë që ato të ofrojnë shërbim sa më cilësor për fëmijët.  Për zhvillimin e stafit tjetër janë kryer trajnime të ndryshme sipas kërkesës dhe nevojave të për zhvillim. Për mirërritjen dhe edukimin e tyre kontribuojnë  75 punonjës në Tiranë, Shkodër dhe Thumanë.

Më 24 maj në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të SOS-Shqipëri u paraqit një panoramë e detajuar e punës së këtij fshati,  i cili në tre vitet e fundit ka njohur rritje të numrit të fëmijëve. Në prezantimin e punës drejtoresha nacionale e fshatit SOS znj.Teuta Shkenza paraqiti një panoramë të shkurtër të historikut të Programit të Fuqizimit të Familjes deri në fund të vitit 2015.

Ajo bëri të ditur se deri në fund të dhjetorit 2015 “Programi i Fuqizimit të familjes” mbështeti 266 familje, 734 fëmijë dhe të rinj dhe 527 të rritur. U arrit që të nxirreshin me sukses 77 familje si të afta për t’u mbështetur vetë duke qenë se ato arritën objektivat në planin e zhvillimit të familjes.  Që nga viti 2006 Programi “Fuqizimi i Familjes” në nivel kombëtar ka mbështetur 748 familje prej të cilave  413 kanë dalë  nga programi si të suksesshme.

Më tej u prezantua ideja e konceptit te “SOS Çifteve”, sipas të cilit dhe në përputhje me zhvillimet globale mendohet që familjet SOS të mos kenë vetëm figurën e nënës SOS por edhe të babait SOS.  “Punësimi i të rinjve mbetet një nga prioritetet e punës këtu”,- tha znj. Shkenza, “prandaj është arritur që 85% e të rinjve në programin e gjysmë pavarësisë të kenë një punë”. “SOS Fshatrat e Fëmijëve” bashkëpunon me shërbimin social shtetëror në kuadër të Komisionimit të Fëmijëve pranë këtij fshati.

Burimet e të ardhurave kanë qenë nga Rinovimi i kontratave, kontratat e reja, fushata e kartolinave etj. Fshati SOS ka në kalendarin e tij   “Ditën e Donatorëve”; Aktivitetin me TOB-in mbështetur nga Ambasada Austriake, “Javën e Hapur” për festat e fundvitit dhe “Fushatën e Kartolinave” të krijuara nga vetë fëmijët .

Nga Fondet Publike znj. Shkenza u bëri të ditur funksionimin projektit te ri ë Fuqizimit të Familjes në zonën e Thumanës e mbështetur totalisht nga “Antea Cement”.

Ajo mbylli fjalën e saj duke paraqitur prezantimin vjetor të vitit 2015, i cili u fokusua në tre objektivat strategjikë dhe konkretisht: deri në vitin 2020 do të mundësohen të jetojnë në një familje të ngrohtë dhe përkujdesëse 1150 fëmijë dhe të rinj nga të cilët 139 fëmijë   do të përftojnë kujdes me bazë familjen,  999 fëmijë dhe të rinj pritet të përftojnë nga projekti i “Fuqizimi i Familjes” dhe 12 fëmijë  nga “kujdesi me bazë familjen në partneritet”.

Në këtë mënyrë “SOS Fshatrat e Fëmijëve” vjen edhe më pranë opinionit publik me kontributin e tij real ne mirërritjen, edukimin, sigurimin e një mjedisi familjar dhe mbështetës për çdo fëmijë pa kujdes prindëror apo në rrezik për ta humbur atë.

SHKARKO APP