Sot doganat greke në grevë, nuk do të kalojë asnjë automjet
Në gjithë pikat kufitare të Greqisë që nga paraditja e sotme do të paralizohet lëvizja, për shkak të grevës 24 orëshe të doganierëve.
Sindikata mbarëkombëtare e punonjësve të doganave e ka shpallur grevë me qëllim sensibilizimin e qeverisë ndaj kërkesave të tyre me karakter kryesisht ekonomik.
Por ata kërkojnë edhe shtimin e personalit në doganat e vendit, sidomos në ato ku lëvizja ndërkufitare është jashtëzakonisht e madhe, si për shembull në Kakavijë.
Doganierët protestojnë kundër reduktimeve në buxhet, dhe ankohen se ata janë të detyruar të përballojnë edhe shumë prej shpenzimeve funksionale të pikave doganore.
Ndërprerja e punës në dogana ka nisur në orën 07:00 të ditës së sotme dhe do të vazhdojë deri mëngjesin e të premtes.
Kjo do të thotë se edhe në pikat e kalimit kufitar midis Greqisë dhe Shqipërisë, për 24 orë nuk do të kalojë asnjë automjet, qofshin vetura, kamionë apo autobusë.
Në grevë janë vetëm doganierët, ndërsa policia kufitare funksionon normalisht, kështu që vetëm këmbësorët pa bagazhe do të mund të hyjnë apo të dalin nga Greqia.
Komisioni i grevës ka kërkuar që të enjten të takohet me Ministrin e Financave Euklidis Tsakalotos, për t’i parashtruar kërkesat e tyre.
Në varësi të përgjigjes nga Ministri i Financave, ata do të vendosin edhe për vazhdimin ose të lëvizjeve të tjera greviste.