Sot ti socialist

Nga Ilir Levonja/Sot partia socialiste feston 25-vjetorin e krijimit. Duhej ta kish bërë këtë një muaj më parë. Por nuk e bëri! Kjo për ato arsye që në konteksin shqiptar janë uzurpimi i karrikes prej individit. Paçka se lart e poshtë shiten si çështje teknike në lidhje me vizitat e punës, brenda dhe jashtë vendit etj. Në përgjithësi, uzurpatorët shqiptarë janë më të papunët. Ata më shumë shpërdorojnë kohë duke plotësuar tekat e grupeve të interesit, se sa hallet e një e vendi.
Këtë përshembull e konstaton letra e hapur e deputetit Vladimir Kosta, i qarkut të Gjirokastrës. Ajo letër, është këto orë jetë, ndofta gajasja më e madhe, mllefi më i madh i sojit të këtyre burrave uzurpues. Në të njëjtën kohë edhe fatkeqësia që ne e mbulojmë me humor, me mbajtje anësh, pa e kuptuar asnjëherë se sa shpesh e më shpesh e ridënojmë veten.
Në fakt spektri ynë politik është i mbushur me kësisoj shembujsh.
Ndarja e fondeve kthehet në një luftë të ashpër, nga e cila vetëm uzurpatorët nuk humbasin. Ata që humbasim jemi ne. Madje edhe të drejtën për të jetuar. Uzurpatorët veçse na hedhin karafila për sipër. Të tjerat i mbajnë për vete.
Eshtë një histori njëzetë e pesë vjeçare, nga e cila unë si demokrat dhe ti si socialist, mësuam të urrejmë. Mësuam të ndahemi, t’i hamë kokën njëri-tjetrit me lista dhe kundër lista fushatash.
Eshtë një histori njëzetë e pesë vjeçare, nga e cila unë si demokrat dhe ti si socialist dimë vetëm të bërtasim. Të pështyjmë njëri-tjetrin.
Deri të ta vrasim njëri-tjetrin në emër të shefave.
Eshtë një histori njëzetë e pesë vjeçare, nga e cila unë si demokrat të shajë nga nëna ty si socialist. Dhe po të njëjtën gjë bën ti me mua. Aq sa edhe fëmijët tanë dinë vetëm një gjë të thonë…, y ai demokrati, y ai socialisti.
Eshtë një histori njëzetë e pesë vjeçare, nga e cila unë si demokrat dhe ti si socialist, kemi përzënë dhe po përzëmë rregullisht shqiptarët prej vendit të tyre. Duke kthyer në të vobektë, pa nerv, njerëz të kuq ose blu… në komunistë e demokratë, ata që kanë mbetur aty.
Eshtë një histori njëzetë e pesë vjeçare, nga e cila unë si demokrat komunist dhe ti si socialist komunist. E kemi mbushur vendin me ferexhe arabie, me mjekra dhe bankete syfyresh. E kemi mbushur me kisha dhe teqe, aq sa industria më e madhe janë kurbanët, pelegrinazhet fetare.
Sa sot vendi ynë të ngjan herë si Afganistani, herë si mali i shenjtë i Atosit. Apo dhe si një kasapanë e bagëtive të imta, keca, delesh etj.
Eshtë një histori njëzetë e pesë vjeçare, nga e cila unë si demokrat dhe ti si socialist. Kemi zbuluar, demaskuar, treguar me gisht veç armiq të klasës. Megjithëse në trekëndsha, në sheshe publike kemi varur veç njëri-tjetrin. Jo uzurpatorët.
Eshtë një histori ku sot përshembull Sali Berisha na thotë ne demokratëve se, Nano dhe klani i Zemunit janë reformatorët e vërtetë të partisë komuniste. Dhe se ky neobllokmeni i ri, Rama dhe klika e tij, e uzurpuan PS-ën. Kur në fakt ne u vramë në 98-ën, ti socialist dhe unë si demokrat. Për zgjedhjet dhe politikat e Nanos dhe klanit të Zemunit. Pikërisht pasi Nano na e solli si peshqesh nga gjirizet e Parisit, këtë rilindasin ”perëndimor” me video taksitë e pashait nga Stambolli.
Eshtë një histori, ku e drejta e përcaktimit të së bardhës që është e bardhë. Dhe e zeza e zezë. Eshtë privilegj i uzurpatorit, jo i imi, i yti.
Ne vetëm vazhdojmë të dëgjojmë të njëjtën muzikë.
Unë demokrat i ndyrë.
Ti socialist i poshtër.
Kur akoma kërkojmë eshtra. Dhe akoma i reklamojmë me spotet uzurpatorësh se si tmerret e Enverit janë përkthyer dhe gjënden në anglisht, librarive të botës.
Kur akoma ngelëm viktima dhe kasnecë të teserës. Të mëndjes më mirë një mik se sa një çiflig.
Kur akoma shihemi në gjyqe, mbyllemi në shtëpi, marrim arratinë për shkak të hasmit. Akoma jemi turmë e shfrenuar. Akoma vdesim për të parë shoqi-shoqin duke vdekur. Dhe akoma nuk e dimë se cilët jemi?
Sot ti socialist u bëre njëzetë e pesë vjeç.
Të uroj të lash xhamat. Të hedhësh ujë me shumicë. Të pastrosh llumin, zhulin. Skorjet e jetës tonë. Ato që unë, vazhdojë t’i harrojë.

SHKARKO APP