Sovraniteti si çifligarizëm!

Nga Araian Galdini/ Nga Arian Galdini Po na thonë se kjo që po ndodh në Shqipëri është fundi i Sovranitetit, kalimi i vijës së kuqe. Madje kurrë më parë nuk ka ndodhur diçka e ngjashme. E kush na e thotë? Na e thonë puthadorë pushtetarësh të koruptuar ose politikanë që kur e patën shansin e tyre e përdorën për të shitur viza Ambasadash të huaja, për të vënë pasuri ndërsa bënin tregëti me të mirat publike e madje edhe me vetë interesat kombëtare të shqiptarëve.

Mbi dy dekada që pas gjithçkaje që fituam në vitin 1990, po bëjmë prapakthim e po humbasim çdo ditë nga pak liri, nga pak përfaqësim, nga pak hapësira, e pothuajse të gjithë shpresën, pikërisht sepse jemi qeverisur politikisht dhe institucionalisht nga Politikanë që na kanë sunduar si sovranë, jemi molloisur çdo natë nëpër TV e çdo ditë nëpër gazeta nga analistë mercenarë që ndërsa flasin sipas porosisë së zarfpaguesit pretendojnë se flasin mendimin e tyre Sovran, jemi harlisur nga sipërmarrës që pasi janë bërë emërhuazues të parave të politikanëve të koruptuar apo të krimit të organizuar, na shesin mend poshtë e lartë sikur pasuria e tyre i bënë Sovranë, jemi hetuar e gjykuar nga Prokurorë e Gjykatës që kanë blerë karrierat e tyre me para në dorë, me prapanicë lëpirje ndaj politikës apo me vendime të shitura sa frëngu pulën për hallexhinjtë, blejmë ushqime e ilaçe nga spekulatorë e falcifikatorë, ujin në rubineta nuk e pijmë sepse e dimë që është i ndotur, shëndetësinë e dimë që e kemi falas sepse kur pagujmë nën dorë nuk ka nevojë për faturë, në spitale na presin si në therrtore, në farmaci na shesin ilaçe që një zot e di nga vijnë, kur kemi halle në zyrat e shtetit nuk ka zyrtar, ligj e rregull që na jep zgjidhje por vetëm nr i telefonit, partia, tarafi, zarfi apo partneriteti me Emiljano Shullazin, po bëmë pasuri me sipërmarrje të ndershme e dimë që për të mbijetuar, në çdo fushatë duhet të paguajmë haraçin tek politikanët e partitë kryesore, ndërsa kur mbarojnë fushatat elektorale e dimë që do tu paguajmë gjobën taksidarëve të shtetit dhe atyre të mbishtetit të emiljanoshullazëve të shumtë që ka pjellë ky vend, etj, etj, etj.

Të gjithë flasin, të gjithë e thonë, të gjithë e dinë se një vend pune për infermier shitet rëndom 5000 euro, një vend për polic burgu shitet 3000 euro, mësues bëhesh po ta blesh vendin me 6000 euro, e kështu me rradhë, çka nuk ta jep karta e Partisë, apo tarafi, mund ta blesh sipas listëçmimeve të pashpallura por të gjithëditura. Kur do të bëhesh Drejtor, çmimi është më i lartë. Sepse Drejtori përveçse paguan çmimin fillestar, ka detyrimin që të çojë edhe një kuotë periodike sipas normës së fitimit që dakordësohet me Udhëheqësin Politik apo Institucional i cili ka autoritetin e emërimit të Drejtorit. Nëse do që të bëhesh këshilltar apo Kryetar Bashkie, duhet të paguash tek një Kryetar Partie. Nëse do të bëhesh deputet duhet të hysh në tender për pagesën më të lartë tek një Kryetar Partie. Nëse do të bëhesh Ministër, je pranuar në odën e ndarjes së parave me Kryetarin e Partisë, e këtu çmimi është vetë shpirti.

Një ofiqar i vogël, i thjeshtë dhe i rëndomtë i zyrave të Shtetit tonë, poshtëron, nënçmon, zvarrit, shkel me këmbë çdo qytetar shqiptar që i paraqitet për nevoja, halle, informacione a shërbime. Drejtori e bën dhe e trajton si leckë, tapet, pluhur, mbeturinë, ofiqarin e vogël. Udhëheqësi Politik apo Ministri i Drejtorit dhe ofiqarit, i bën dhe i trajton këta si sende pavlerë, si asgjë, si zero. Ndërsa Krimineli që ha dreka e darka me Udhëheqësin politik, e trajton këtë të fundit si llum dhe anëtar bande. Kjo është pak a shumë panorama që kemi sot ne, për shkak të mënyrës sesi jemi qeverisur në këto 25 vite, e madje edhe për shkak të mënyrës sesi na kanë bërë lavazh truri analistët mercenarë që na mbijnë çdo natë po të njëjtët nga ekrani në ekran, e nga gazeta në gazetë.

Dhe këta duan të na e shesin këtë për Sovranitet? Këta që gjuhët i përdorin për të lëpirë prapanica shefash e pagatorësh ndërsa gojët për tu bërë qejfin çdo ditë e çdo natë. Jo or jo. Nëse ka një grimë shpresë për Sovranitet në këtë vend, ajo vjen nga përpjekja e partnerëve strategjikë ndërkombëtarë të Shqipërisë, pra nga SHBA dhe BE për të na futur në hullitë e Shtetit të së Drejtës, demokracisë, lirisë, përgjegjshmërisë, llogaridhënies dhe drejtësisë. Sepse ne qytetarët shqiptarë, kur na thërret politika mbushim sheshet për protesta, mjafton që të na paguajë partia biletën vajtje – ardhje dhe bukën e ditës. Sepse ne qytetarët shqiptarë, kur na thërresin në protesta për kauza civile, nënqeshim dhe mezi bëhemi 10 veta a maksimumi 50. Sepse ne qytetarët shqiptarë, jemi me valixhe në duar e mezi presim mundesinë e ikjes nga ky vend. Sepse ne qytetarët shqiptarë, ankohemi, mallkojmë e shajmë çdo ditë çdo politikan shqiptar, e në fund kur na bie bilibili i fushatës elektorale të rradhës, shkojmë e mbushim sallat e sheshet, rrahim shuplakat fort sa i bëjmë gjak për udhëheqësin e partinë, e gërrthasim me sa kemi në kokë: Rroftë ai që kemi sharë e mallkuar.

Poshte ai që është kundërshtari i atij që kemi sharë e mallkuar. Kësisoj, nëse Ambasadori Amerikan Donald Lu dhe Ambasadorja e BE Romana Vlahutin, janë dy të huaj që ndërhyjnë në punët tona, kjo nuk është edhe aq gjë e keqe. Sepse, këta Sovranistët tanë e kanë bërë Shqipërinë si çifligun e tyre e ne shqiptarëve si bujkrobërit e tyre. Çifligjet nuk zhbëhen dot nga bujkrobërit. Vetëm fuqia dhe parimet e dy vendeve si SHBA dhe BE, që janë edhe Shtëpia e kultura jonë natyrale, mund të na çlirojnë nga çifligarizmi ku jemi zhytur kokë e këmbë.

SHKARKO APP