Sovranitetin e mbronte Enveri

Nga Ardit Rada/Refuzimi i reformës në Drejtësi në emër të ruajtjes së sovranitetit kombëtar është argumenti i fundit që Sali Berisha, Lulzim Basha dhe përkrahësit e tyre në Kuvend po përdorin për të shmangur votimin. Duhet saktësuar se jo e gjithë opozita është kundër propozimit euro-atlantik dhe madje figura brenda PD kanë debatuar ashpër për qëndrimin politik të partisë së tyre apo kanë zhvilluar biseda kokë më kokë me predikuesit e Reformës, Lu dhe Vlahutin. Do të ishte e tepërt të përsëritej se streha e fundit për cilët është nacionalizmi. Megjithatë, sa më shumë që afron 21 Korriku, aq më larg duket kompromisi në Kuvend për të nisur reformimin e drejtësisë.

Partia Demokratike i është përgjigjur me refuzim çfarëdolloj propozimi që ka ardhur jo vetëm nga tryeza e Ramës, por edhe nga ndërkombëtarët.

Akuzat se këta të fundit do të shkelnin sovranitetin përmes ndërhyrjes në Drejtësi u artikuluan për herë të parë si tezë nga Jozefina Topalli brenda një mbledhje te grupit parlamentar, që u zbardh më pas nga shtypi i ditës. Më shumë sesa demokratët e vendosur kundër projektit të SHBA dhe BE, në siklet më të madh janë ata që nuk i kanë asnjë borxh vendimit të dy bashkëkryetarëve të partisë së tyre, që duan ta listojnë të gjithë opozitën shqiptare si një front anti-perëndimor.

Pas deklaratave se ndërkombëtarët po shkelin sovranitetin edhe duke vajtur në mbledhjet e grupeve parlamentare, ambasadori amerikan e bëri të qartë se shqiptarët nuk duhet të harrojnë kontributin 100-vjeçar të SHBA-ve pikërisht për t’i mbrojtur sovranitetin. Madje, në mënyrën e tyre amerikanët edhe gjatën 45 viteve të regjimit komunist janë investuar në shërbime inteligjentë për të përmbysur diktaturën. SHBA-të që sot cenojnë sovranitetin e atdheut të Berishës, janë ato që e cilësuan si burrë shteti në ditën e tij më të keqe.
Të dy përfaqësitë më të larta diplomatike i kanë intensifikuar presionet e hapura se mosmiratimi i reformës do ta pengonte integrimin e Shqipërisë në familjen evropiane. Një dështim i tillë për faj të vendimit në PD jo vetëm që do të sillte anulimin e Statusit të Kandidatit, por edhe rikthimin e vizave e të tilla pasoja të rënda. E gjitha kjo, sepse Evropa nuk pranon më ta shohë me sy një vend me drejtësi të korruptuar, e jo më ta qasë në shtëpi. Sa për sovranitetin e Berishës, është fakt se për shkak të keqqeverisjes, korrupsionit dhe ligjeve të xhunglës, populli është gati që tani që t’ua japë ‘kurorën e mbretit’ të huajve nëse është e nevojshme, vetëm të shporren nga drejtimi i institucioneve të pavarura pazarxhinjtë që u ka zënë kallo prapanica në kolltukët e Drejtësisë.

Nëse drejtuesit e Partisë Demokratike kanë marrë një vendim që ta lënë vendin jashtë proceseve integruese në emër të ruajtjes së sovranitetit, do të ishte e ndershme të artikulohej hapur dhe të dilnin me një platformë të tillë para publikut. Këtë e bëri Enver Hoxha që në emër të fanatizmit për ruajtjen e sovranitetit, e la Shqipërinë larg perëndimit dhe nga fundi i iku dhe Lindjes. Ata që kundërshtojnë reformën në emër të patriotizmit nuk kanë lidhje me atdheun, por po bëjnë një tradhti edhe më të madhe sesa kontrabanda e naftës me Jugosllavinë apo falja e detit të Greqia. / JavaNews

SHKARKO APP