“S&P” vlerëson Shqipërinë – S`ndryshon B+, por projeksionet.

Agjencia e vlerësimit Standart and Poor`s ka mbajtur të pandryshuar në B+ me perspektivë të qëndrueshme borxhin sovran të Shqipërisë. Gjigandi i vlerësimeve flet me tone mjaft optimiste në raportin më të fundit të publikuar për vendin tonë.

Në krahasim me raportin e kaluar, atë të 3 shkurtit, Standart and Poor`s është më optimiste për Shqipërinë, pasi ka rishikuar në territor pozitiv pjesën dërrmuese të projeksioneve, përfshirë rritjen ekonomike për vitin aktual, nga 3.5% që ishte më parë, në 3.7% aktualisht.

Të gjitha pritshmëritë por edhe vlerësimi i agjencisë buron pikërisht nga besimi se qeveria do të vijojë me konsolidimin fiskal, sidomos në drejtim të mbledhjes së të ardhurave.

Ndër të tjera, në raport thuhet se, nota për Shqipërinë mund të rritet në rast se reformat strukturore do të forcojnë institucionet, e në rast se borxhi publik në raport me PBB do të bjerë më shpejtë se ç`pritet.

Vetë agjencia ka rishikuar në territor pozitiv projeksionet e borxhit publik në harkun e 6 muajve. Deri në 2020, borxhi do të bjerë në 62% të PBB, thotë raporti, duke theksuar se, pjesërisht kjo vjen edhe nga rënia e normave të interesit në nivel global.

Nga ana tjetër, një zhvlerësimi i papritur i borxhit sovran të Shqipërisë mund të vijë në rast të një përkeqësimi të financave të qeverisë. Roli i FMN vlerësohet si thelbësor në ecurinë e ekonomisë shqiptare dhe konsolidimin e financave publike.

Vlerësimi jonë për Shqipërinë merr shtysë nga progresi i qëndrueshëm i vendit drejt konsolidimit fiskal, rrjedhojë e reformave dhe rritjes së fortë ekonomike, pavarësisht tensioneve politike të mesit të këtij viti, nënvizon S&P në këtë raport.

Sa i përket reformave strukturore, që vlerësohen si çelësi i suksesit të ekonomisë shqiptare, agjencia thekson se, pret që rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme ti lejojë qeverisë që të vazhdojë përpara me këto reforma.

Veprimet e qeverisë së re, me shumë gjasa do të mbështesin përmirësimin gradual të efektshmërisë së institucioneve shqiptare, thuhet më tej.

S&P vlerëson se, ekonomia shqiptare do të vijojë një rritje të fortë, duke marrë shtysë nga kërkesa e fortë e brendshme, konsumi privat dhe investimet private.

Sa i përket remitancave, agjencia projekton një nivel të qëndrueshëm por në rënie të lehtë të tyre gjatë viteve në vijim. Ndërkohë, për sektorin bankar, agjencia nënvizon faktin se, kapitali dhe likuiditeti mbeten bindshëm mbi minimumin e kërkuar.

SHKARKO APP