Spahiu, Denajt: Të thuash që do të rrisësh investimet publike kur të ka mbuluar borxhi me mbi 80%, është e pamundur e nuk të beson më njeri

Përmes rrjeteve sociale ish-deputeti i LSI-së Përparim Spahiu reagon ndaj deklaratave të ministres së Financave e cila e sheh rritjen ekonomike vitin që vjen në 5.9% dhe për tre vitet e ardhshme në 4.9%.

“Pas ngadalësimit të ekonomisë Ministrja e Financave e sheh rritjen ekonomike vitin që vjen në 5.9% dhe për tre vitet e ardhshme në 4.9%. Optimizmin kreu i Financave e mbështetet tek rritja e konsumit nga investimet publike. Pas një krize të tillë është normale që të ketë rritje ekonomike, por një qeveri e përgjegjshme duhet patjetër ta shohë rritje dyshifrore. Të thuash që do të rrisësh investimet publike kur të ka mbuluar borxhi me mbi 80%, të thuash që do të kesh investime publike kur në tetë vite të gjitha investimet direkte i ke fokusuar në kontrata afatgjata PPP-sh me kosto të tmerrshme është e pamundur e nuk të beson më njeri. Modeli i investimit publik kur jep me konçension Milot – Fier që qytetarët e tu të paguajnë 20 euro është vërtet model rritje konsumi, por jo që ky konsum të përkthehet në rritje ekonomike, por të çojë para në xhepa hajdutësh. Modeli i tarifës në Rrugën e Kombit është vërtet model rritje konsumi, pasi qytetarët paguajnë dy herë për të njëjtën gjë, blejnë naftën më të shtrenjtë si taksë rruge, paguajnë edhe traun e vënë në rrugë. Për këtë lloj konsumi dhe rritje ekonomike jeni vërtet mjeshtra. Vetëm lehtësimi fiskal, çlirimi i ekonomisë nga formati monopol, konkurrenca e lirë, zgjidhja përfundimtare e problemeve me pronat, reformë e vërtetë e sistemit gjyqësor ku biznesi, si i huaj dhe vendas, mos të ndjejë kurrë presionet e tëiterit të KM-s, do bënte që vërtet të kishim rritje ekonomike, rritje pagash dhe pensionesh, rritje mirëqenieje!”, shprehet në reagimin e tij, ish-deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu.

SHKARKO APP