“SPAK do kërkojë pezullimin e kryeministrit për Porto Romanon”!
Reagimi i kryeministrit Rama sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, ku foli gjatë se përse nuk e dorëzojnë ish-zv/kryeministren Belinda Balluku, mësohet se ka inatosur SPAK. Por sipas analistit të njohur Frrok Çupi që “Rama sot u tregu burrë shteti”, duket se do kemi përplasje të forta SPAK-Qeveri. Kryeministri nuk ia përtoi gjatë fjalës së tij ku ngriti lart punën e Ballukut duke aluduar se SPAK po sulmon qeverinë për interesa politike.
Ndërkohë vendimi i sotëm i grupit të PS që të mos dorëzojnë Ballukun në duart e SPAK ka sjellë reagime dhe opinione të shumta.
Gazetari Poli Hoxha, i ftuar në emisionin “Studio24” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit mes politikës dhe drejtësisë në vend, ndërsa është ndalur te hetimet që lidhen me ish-zv/kryeministren Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar arrestimin.
Sipas Hoxhës, hetimet e Prokurorisë së Posaçme nuk kufizohen vetëm te Balluku, por mund të shtrihen edhe në çështje të tjera të rëndësishme, përfshirë projekte të mëdha infrastrukturore.
Gazetari zbuloi se së fundmi është sekuestruar dokumentacioni që lidhet me projektin e Portit të Porto Romanos, një investim i konsideruar me rëndësi strategjike.
“Para pak kohësh është sekuestruar gjithë dokumentacioni për portin e Porto Romanos”, u shpreh Hoxha.
Ai pretendoi se kompani të mëdha ndërkombëtare janë përjashtuar nga gara për projektin, ndërsa sipas tij është përzgjedhur një kompani me strukturë të paqartë pronësie.
“Kompania më e madhe franceze për ndërtimin e porteve është skualifikuar dhe nuk u lejua as të ankohej. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me një kompani të madhe gjermane. Në fund është gjetur një kompani që nis në Greqi, kalon në dy kompani ‘offshore’ dhe përfundon në Rusi”, deklaroi ai.
Sipas Hoxhës, të tjera hetime lidhen me marrëveshjen për hekurudhën Nish–Prishtinë–Durrës, e cila është firmosur në zyrën e presidentit amerikan Donald Trump gjatë mandatit të parë, ndërsa tenderi i fizibilitetit të projektit është fituar në vitin 2023. Tenderi përfundimtar, që sipas tij kap vlerën e rreth 700 milionë eurove, është shtyrë.
Gazetari shtoi gjithashtu se hetime të tjera mund të lidhen edhe me sektorin energjetik, duke përmendur transaksione të kryera gjatë kohës kur kjo fushë ishte nën drejtimin e Ballukut.
Hoxha komentoi edhe vendimin e Apelit për pezullimin e Ballukut, duke theksuar se ky vendim krijon një precedent për zyrtarët e lartë të qeverisë.
“Me gjetjet e SPAK mendoj se shumë shpejt mund të kërkohet edhe pezullimi i kryeministrit. Nuk kam folur me prokurorë, por duke parë informacionet që qarkullojnë mbi përmendjen e emrit të tij në hetime, kjo mund të bëhet detyrim juridik për prokurorët”, u shpreh ai.
Me sa duket, nëse kjo ndodh, atëhere do të kemi për herë të parë një përplasje titanësh, ku nuk dihet se cili do të fitojë. Por Rama ka 83 mandate dhe mund të ndryshojë Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale. I duhet dhe një deputet për të bërë numrin 84 për ndryshime, por Rama ka jo 84 por nëse synon edhe 94!
Ndaj do të kemi përplasje të madhe, ku Edi Rama nuk ia përton dueleve./Daniel Muçaku/
KOHA JONË SONDAZH

