Spiropali në Danimarkë: Zgjerimi i BE dhe bashkimi i Europës, objektiv strategjik
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, po zhvillon një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Danimarkës me synim avancimin e agjendës së integrimit europian të Shqipërisë dhe thellimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet dy vendeve.
Spiropali është pritur në takim nga Ministrja për Europën, Marie Bjerre, ndërsa kanë diskutuar lidhur me objektivat për avancimin e mëtejshëm të agjendës së integrimit të Shqipërisë në BE.
Spiropali shkruan se Danimarka mbetet një nga mbështetësit më të mëdhenj të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Postimi i plotë i Spiropalit:
Kënaqësi të rikthehem në Kopenhagen të Danimarkës, pak pas Samitit të Komunitetit Politik Europian, për të ndarë me Ministren e Çështjeve Europiane, Marie Bjerre, objektivat për avancimin e agjendës së integrimit të Shqipërisë në 🇪🇺.
Nën Presidencën Daneze të BE mbështetja e së cilës ka qenë faktor përcaktues në progresin e deritanishëm, presim të çelim brenda Nëntorit grupkapitullin e fundit të negociatave të anëtarësimit. Po brenda kësaj Presidence besojmë fuqimisht se do të nisim me mbylljen e grupkapitujve ku kemi plotësuar kriteret, duke filluar me grupkapitullin 6 – “Marrëdhëniet me Jashtë”, për të prekur një tjetër moment vendimtar në rrugëtimin tonë historik drejt Europës.
Me Ministren Bjerre iu bashkuam tryezës së Institutit Rasmussen Global për ndikimin e procesit të zgjerimit në të ardhmen e Europës, në prezencën e Dhomave të Tregtisë daneze, ku theksova se për Shqipërinë, rruga drejt anëtarësimit është histori e një transformimi të thellë politik, ekonomik e shoqëror.
Gjatë kësaj vizite, Ministrja Spiropali do të takohet gjithashtu me Ministrin e Jashtëm të Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen.
Ministrja Spiropali do të zhvillojë gjithashtu një takim me Komitetin e Politikës së Jashtme të Parlamentit danez, të kryesuar nga kryetari Christian Friis Bach, si dhe do të mbajë një fjalë në Universitetin e Kopenhagës me temë: “Navigimi i zgjerimit: zëri i Shqipërisë në Evropë”, e cila do të fokusohet në arkitekturën e reformave të ndërmarra nga Shqipëria për përafrim me acquis dhe në vlerën përbashkuese që këto reforma i shtojnë dinamikave të zgjerimit të BE-së.
Gjatë ditës, Spiropali do të takohet me ish Kryeministrin danez dhe ish Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.
Vizita në Kopenhagë vjen në një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Danimarkës, duke pasqyruar përkushtimin e përbashkët për forcimin e dialogut dhe mbështetjen e perspektivës evropiane të Shqipërisë.
KOHA JONË SONDAZH

