S&P’s: Financat shqiptare të qëndrueshme, por investimet e huaj parashikohen në ulje
Kompania ndërkombëtare e vlerësimeve financiare “Standard&Poor’s” ka publikuar raportin më të fundit për Shqipërinë, duke i vlerësuar financat e vendit me notë B+/B me parashikim të qëndrueshëm. Në lidhje më këtë, në raportin e kompanisë thuhet: “Vlerësimi për Shqipërinë pasqyron progresin e qëndrueshëm drejt konsolidimit fiskal, pavarësisht tensioneve politike në mes të vitit 2017, i ndihmuar nga një rritje ekonomike e qëndrueshme dhe progres reformash. Ne besojmë se politika mbështetëse e dhënë nga programi me FMN-në (IMF EFF) që përfundoi në shkurt 2017 e forcoi strukturën fiskale të Shqipërisë”. Megjithatë, nota B+/B e “Standard&Poor’s” do të thotë se investimet financiare kanë një risk të lartë.
Reforma në drejtësi
“Standard&Poor’s” vlerëson se reforma gjyqësore ka mundësinë për të pasur një ndikim pozitiv në ekonomi. “Ne theksojmë se reforma gjyqësore e vitit të kaluar (2016) ka potencialin për të krijuar një gjyqësor më të pavarur. Kjo do të përmirësojë mjedisin e biznesit të vendit, për shembull, duke rritur efektshmërinë e zbatimit të ligjeve për të drejtat e pronës dhe duke ofruar një proces më të efektshëm të zgjidhjeve të rasteve të falimentimit”, thuhet në raport
Investimet e huaj
Sipas parashikimeve të “Standard&Poor’s” investimet e huaja në Shqipëri pritet të jenë në rënie në vitet në vijim. Kështu, sipas pas kompanisë së vlerësimeve financiare për vitet 2017, 2018, 2019 dhe 2020, investimet e huaja pritet të kenë përkatësisht vlerën e 9.0%, 7.0%, 6.5% dhe 6.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Ndërkaq, “Standard&Poor’s” në raportin e vet jep edhe sugjerimin sesi mund të përthithen më shumë investime të huaja. “Një përmirësim i mjedisit të biznesit dhe institucione më të forta do të ndihmojnë vendin të tërheqë më shumë investime të huaja në energji, turizëm dhe bujqësi”.
Papunësia
Papunësi mbetet një problem i madh për Shqipërinë. Sipas “Standard&Poor’s” niveli i papunësisë për vitet 2017, 2018, 2019 dhe 2020 pritet të jetë përkatësisht 14.3%, 14.2%, 14.1% dhe 14.0%. Edhe pse në ulje, përsëri nivlei i papunësisë gjatë 3 viteve të ardhshme nuk parashikohet të jetë më i ulët sesa në vitin 2012 (13.8%).
Borxhi publik
Borxhi publik i Shqipërisë parashikohet në ulje nga “Standard&Poor’s”. Sipas shifrave të kësaj kompania borxhi publik për vitet 2017, 2018, 2019, 2020 parashikohet të jetë përkatësisht 70.0%, 67.3%, 65.7% dhe 63.9% e PBB-së. Por pavarësisht se parashikohet në ulje, borxhi publik në vitin 2020 (63.9% e PBB-së) pritet të jetë përsëri më i lartë se në vitin 2011 (62.5% e PBB-së).
Dërgesat e emigrantëve
“Standard&Poor’s” i vlerëson dërgesat e emigrantëve si një burim të rëndësishëm financiar të huaj për Shqipërinë. Ndërkaq sipas kompanisë, dërgesat e emigrantëve drejt Shqipërisë janë në ulje. “Standard&Poor’s” parashikon se dërgesat në vitet në vijim do të përbëjnë 7% të PBB-së. Kjo është një ulje e ndjeshme krahasuar me ato gjatë viteve 2004 – 2008 kur dërgesat e emigrantëve përbënin një mesatare prej 13% të PBB-së.
/GSh.al- Ilir Sinanaj