Stadiumi i shërben sportit, jo politikës së mbrapsht
Nga Viron Bezhani/Ditët e fundit, gjithnjë e më shumë kam dëgjuar për debatin e madh që është bërë në lidhje me stadiumin e ri kombëtar që do të ndërtohet në kryeqytet. Për sa kohë ka debat, për më tepër kur ai bëhet për sportin, jam i lumtur, pasi kështu shoh që edhe politika, hera-herës, kujtohet për të edhe pse shpesh në 26 vite demokraci ai është lënë në harresë apo është nëpërkëmbur. Por kur shoh se politika kërkon të fusë hundët në sport, për të bërë politikë me të, atëherë ndihem i revoltuar dhe irrituar, sidomos kur shoh të flasin për sportin njerëz që nuk kanë bërë asgjë për të. Kur shoh të flasin për sportin njerëz që e shkatërruan atë, që e konsideruan dhe kujtuan se edhe në sport bëhet politikë. Për fat të keq këta njerëz flasin mbrapsht, më së shumti ngatërrojnë gjërat e prishin punë dhe kjo është deri diku e kuptueshme, pasi ata nuk janë marrë asnjëherë me sport, nuk e kuptojnë atë dhe nuk ia dinë vlerat sportit.
Zotërinj, më vjen keq që ngatërroni politikën me sportin, që nuk kuptoni se sa e rëndësishme është për ne, njerëzit e sportit, ai stadium dhe terrenet sportive. Madje, dua të ulërij e kërkoj edhe disa stadiume të tjerë të atij niveli në vendin tonë, pasi për 26 vjet terrenet sportive kanë qenë gangrena më e madhe e sportit shqiptar. Zotërinj demokratë, për 8 vjet në pushtet nuk ndërtuat asnjë terren të ri sportiv, nuk ndërtuat asnjë stadium të ri, nuk hapët asnjë palestër të re në kryeqytet apo në mbarë Shqipërinë. Ndaj, ju të parët duhet të heshtni dhe të lini të tjerët të punojnë e ndërtojnë ato impiante sportive që ne i kemi ëndërruar prej vitesh. Sot kemi një stadium modern në Elbasan, pas pak kohësh do të inaugurojmë një edhe më të mirë në Shkodër. Dhe pas 2-3 vitesh do të ulemi për të ndjekur një ndeshje futbolli edhe në një stadium modern në kryeqytet.
Këto janë fakte zotërinj, e jo fjalë. Janë vepra, e jo shkatërrime siç bëtë ju z.Berisha me shokë gjatë kohës që qëndruar në pushtet. Ju, jo vetëm që nuk ndërtuat asgjë, por edhe lekët që ishin për sportin i grabitët. Shihni se ku shkuan lekët që Këshilli Bashkiak miratonte për klubin Tirana e se ku i çonte ato z.Basha. Përfundimi: Asnjë terren i ri sportiv, asnjë pallat sporti, asnjë stadium në gjithë këto vite, përkundrazi. Edhe ato pak terrene sportive që mund të shfrytëzoheshin ju i shkatërruat, por nuk kuptuat se kështu ju e shkatërruat edhe sportin. Ju nuk e keni kuptuar kurrë se çfarë do të thotë të merresh me sport, se sa e rëndësishme është të luash në një stadium të tillë modern, të vraposh në një pistë me tartan, të luash në një pallat sporti të ngrohtë në dimër e të freskët në verë.
Së shpejti në kryeqytet do të kemi edhe shtëpinë olimpike, kompleksin olimpik që ne kaq shumë e kemi ëndërruar. Edhe kjo që po them është një realitet të nderuar zotërinj demokratë dhe jo fjalë. Pak metra këtij kompleksi ju donit të ndërtoni një tjetër kompleks, por pallatesh dhe jo të mendoni për sportin. Ndaj, kur nuk jeni të aftë të bëni qoftë edhe një gramë punë për sportin, më mirë heshtni dhe mos pengoni ata që po mendojnë e punojnë për të. Sporti bëhet edhe më cilësor duke i dhënë mundësi sportistit të stërvitet në kushte optimale, por ju këtë gjë nuk e keni kuptuar kurrë, pasi keni menduar vetëm se si të bëni politikë me sport dhe jo politika për zhvillimin e sportit. Arritët deri aty sa të dhunonit me armë edhe punonjësit e federatave sportive, me pretekstin se po largonit komunistët nga zyrat e shtetit. Ju guxuat të prekin e dhunoni edhe olimpizmin shqiptar, një babëzi e paparë, ndërsa sot flisni për sportin me pretekstin se e doni atë.
Jo o politikanë të mbrapshtë, pasi bota e përdor sportin për edukimin e brezit të ri, ndërsa ju e përdorët për të bërë politikë, e shkatërruat dhe sot nuk keni të drejtë të kërkoni llogari. Stadiumi i ri do të bëhet, ashtu si do të bëhet edhe kompleksi i ri olimpik edhe shumë gjëra të tjera në vijim. Edhe kaq sa po bëhen e po përmend janë pak për sportin, shumë pak, por të paktën dikush po mendon dhe kërkon të hedhë themelet e para për ringritjen e tij. Sporti nuk bëhet me dhunë, siç donit të bënit ju, por me pasion, punë, ide dhe vizion. Dhe ato nuk na mungojnë, ndaj sporti do të ecë përpara edhe pse ju kërkoni të fusni “shkopinjtë në rrota”.