“Standard & Poor’s” paralajmëron Shqipërinë: Kujdes nga Greqia!
“Standard & Poor’s” paralajmëroi dje se ajo mund të zhvlerësojë renditjen e kredisë së Bullgarisë, Maqedonisë, Shqipërisë, Rumanisë dhe Serbisë në rast se telashet e Greqisë do të përhapen në sistemin e tyre bankar. Lajm ky i bërë me dije nga agjencia “Reuters”, referuar pikërisht qëndrimit më të fundit mbajtur nga ekspertët e agjencisë së njohur ndërkombëtare të vlerësimit të kreditit.
Konkretisht sipas tyre, bankat greke zotërojnë banka të rëndësishme në këto shtete të Europës Juglindore dhe shqetësimi është se në rast se Athina do të detyrohet të dalë nga eurozona, huadhënësit e saj mund të falimentojnë, me një efekt domino në degët e tyre. E në këtë rast, ata përfshijnë edhe vendin tonë, ku sipas të dhënave që referon sistemi bankar shqiptar, bankat me kapital grek zënë 16% të totalit. Dhe gjithmonë sipas ekspertëve të “Standard & Poor’s”, në rast se qeverive të ndryshme do të duhet t’u shpëtojnë ato, kjo do të dëmtonte financat kombëtare dhe perspektivën afatgjatë të rritjes ekonomike.
“Ne nuk e përjashtojmë mundësinë e mbështetjes së qeverisë për bankat,” tha “S&P” në një raport të fundit të saj. Duke shtuar se “në rast se një mbështetje e tillë do të dobësojë parametrat fiskalë dhe të borxhit të qeverisë, kjo mund të ndikojë negativisht në renditjen e tyre kombëtare”.
Ndër të tjera, “Standard & Poor’s” tha gjithashtu edhe se bankat mund të kontrollojnë degët e tyre për asetet e tyre më të mira, në një përpjekje për mbijetesë dhe përpjekjet e bankës qendrore për të ngritur kontrolle mund të jenë të pamjaftueshme për të ndaluar largimin e depozitave. Ndërkaq, “Standard & Poor’s” aktualisht e rendit Bullgarinë me BB+ me panoramë të qëndrueshme, Rumania BBB- stabël, Maqedonia BB- stabël, Shqipëria B pozitive dhe Serbia BB- me panoramë negative.