Standardi i PD për dekriminalizimin e politikës në zgjedhjet lokale

 

Nga Ndriçim Kulla

Partia Demokratike ia arriti që ta bënte një çështje ndërkombëtare atë të kriminalizimit të politikës në Shqipëri, duke treguar se të inkriminuarit kishin hyrë në numër të madh deri në parlament. Lidershipi i PD-së arriti që me zgjuarsi të shfrytëzojë një shqetësim ndërkombëtar, që lindi befas në kryeqytetet e vendeve më të rëndësishme partnere për shkak të ngjarjeve në Ukrainë.

Ajo që dukej si një gjë e pamundur verën e kaluar kur PD bojkotoi Parlamentin për shkak të dhunës që ushtruan ndaj saj deputetët e inkriminuar të mazhorancës parlamentare, u realizua shpejt, madje më shumë sesa pritej. Nuk është një gjë e rastit që konflikti brenda mazhorancës mes dy liderëve të saj dhe disa deputetëve të tillë nisi me fillimin e presionit të opozitës për dekriminalizimin e politikës dhe me ndërkombëtarizimin që i bëri opozita kësaj çështjeje.

Kjo solli një alarm në radhët e mazhorancës dhe me këtë nisën edhe lëvizjet e para për eliminimin e këtyre njerëzve, për të cilët liderët e mazhorancës e dinin se nuk do të pranonin që të nxirreshin lehtë nga skena. Pra, nisën përpjekjet për të bërë ndonjë shembull mes tyre, që të tjerët më pas të largoheshin urtë e butë, kur t’iu vinte koha. Dhe ky është një sukses indirekt i fushatës së PD-së për dekriminalizimin e politikës.

Tanimë që kemi arritur në fazën e finalizimit të procesit të dekriminalizimit, PD ka rastin që të tregojë se cili është standardi i saj për dekriminalizimin e politikës. Dhe këtë gjë ka rastin ta bëjë me kandidaturat për zgjedhjet vendore. Nëse PD e ngre shumë standardin duke vendosur filtra të pakalueshme për të inkriminuarit apo të akuzuarit që ata të mos mund të hynë në listat e saj të kandidatëve për kryetarë bashkish apo të këshillave bashkiake, atëherë PD do të ketë një përfitim të dyfishtë nga kjo gjë.

E para, me këtë PD do t’ u tregojë partnerëve tanë, SHBA dhe Bashkimit Europian se e ka seriozisht kur kërkon dekriminalizimin e politikës dhe nuk kërkon që ta përdorë këtë proces thjesht për të dëmtuar kundërshtarët politikë. Pra, PD do të dëshmojë përgjegjshmëri për mbarëvajtjen e vendit edhe në opozitë. E dyta, sa më lart që ta ngrejë këtë standard PD, aq më në vështirësi do ta vendosë mazhorancën parlamentare, e cila ka shumë presion nga të inkriminuarit që kontribuan në fitoren e 23 qershorit dhe nuk morën shpërblim pas saj që të kandidojnë për kryetarë bashkish apo në këshillat bashkiakë.

PD duhet ta dijë se kandidatët e saj në zgjedhje do të shqyrtohen me lupë nga mazhoranca, por kësaj radhe me vëmendje si kurrë ndonjëherë edhe nga publiku i gjerë, sidomos nga shtresa mosbesuese ndaj të dy krahëve të politikës për të gjetur ndërmjet tyre të inkriminuarit.

Dhe nëse mazhoranca gjen të tillë, do të bëjë zhurmë të madhe brenda dhe jashtë vendit, për të ulur efektin e brendshëm dhe ndërkombëtar që kanë krijuar skandalet e fundit brenda mazhorancës. PD duhet ta dijë se ato vota shtesë që mund të marrë një person me probleme, nuk kanë vlerë në krahasim me dëmet që do të bëjnë kandidatë të tillë. Suksesi që mund të arrihet në ndonjë rast me anë të tyre do të jetë jetëshkurtër, se Prokuroria do t’i arrestojë këta njerëz, qoftë edhe për shkak të zhurmës së madhe që do të bëjë mazhoranca.

Dhe PD nuk do të fitojë gjë tjetër nga këta njerëz, përveç fajit që do t’ i mbetet kësaj partie në planin e brendshëm dhe atë të jashtëm nga përzgjedhja e tyre si kandidatë. Dhe kjo do të jetë humbja më e madhe për këtë parti, e cila me fushatën e dekriminalizimit ka arritur që të fitojë jo pak kredenciale morale brenda dhe jashtë vendit.

Fushata e dekriminalizimit të politikës është arritja e parë madhore e liderit të ri të PD-së Lulzim Basha, dhe janë të gjitha mundësitë që kjo fushatë të prodhojë edhe një kredencial personal moral afatgjatë të këtij lideri, përveçse të partisë. Se në fund të fundit do t’i faturohej atij përgjegjësia nëse kjo fushatë e nisur me një bojkot parlamentar do të dështonte, ose së paku nuk do të arrinte suksese kaq të ndjeshme duke shkaktuar një luftë të brendshme brenda mazhorancës mes të inkriminuarve dhe liderëve të tyre. Kur Basha e nisi këtë fushatë, shumë pak njerëz mendonin se ai do të kishte sukseset që arriti, ato direkte dhe indirekte.

Meqenëse PD është kapur dhe me shumë të drejtë pas termit “rekorde kriminale” si kriter për procesin e dekriminalizimit, atëherë ky duhet të jetë edhe filtri që do të përdoret për listat e kandidatëve të kësaj partie në zgjedhjet vendore. Sot ka jo pak njerëz me rekorde kriminale, të cilët po lobojnë fort për të qenë kandidatë të PD-së në zgjedhjet vendore.

Për një pjesë të madhe të tyre është e sigurt se nuk do të mund ta kalojnë filtrin e dekriminalizimit në PD, por disa edhe mund ta kalojnë në qoftë se filtri diku do të jetë më i lirshëm. Kështu, si në Shkodër, Durrës, Tiranë apo kudo në të gjithë Shqipërinë lind problemi i atyre që kërkojnë të kandidojnë për PD-në dhe të cilët janë kallëzuar penalisht   për shkak të abuzimeve që kanë bërë në postet që kanë pasur në kohën që PD ishte në pushtet.

Për këta ish-zyrtarë ka dosje të trasha, ku tregohen me detaje abuzimet e tyre. Dosjet dhe kallëzimet u janë përgatitur përveç të tjerash edhe nga një institucion si Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili është një nga të rrallët institucione titullari i të cilit është emëruar kur PD ishte në pushtet, dhe që sot por ruan integritetin duke mos iu nënshtruar mazhorancës së re parlamentare, por duke ruajtur pavarësinë e institucionit dhe duke goditur shkelësit e ligjit pavarësisht nga ngjyrat partiake të tyre. Me këtë, ky institucion, që nga koha kur në krye të tij ka ardhur z. Leskaj, i ka shërbyer më së miri procesit të dekriminalizimit të administratës shtetërore, si asaj qendrore, ashtu edhe asaj vendore.

Për këtë arsye do të ishte mirë që kriteri i PD-së i rekordit kriminal të përfshinte si koncept edhe kallëzimet e bëra nga Kontrollit i Lartë i Shtetit dhe personat ndaj të cilëve janë bërë këto kallëzime të konsiderohen si njerëz me rekorde kriminale. Dhe si të tillë të mos mund ta kalojnë dot filtrin e dekriminalizimit të vendosur nga PD për kandidatët në zgjedhjet vendore pa patur vendimin përfundimtar të pafajësisë. Se, nëse njerëz të tillë do të mund të jenë në listën e kandidatëve, atëherë për shkak të situatës të sotme dhe të mundësive propagandistike që ka qeveria për të ndikuar opinionin publik, këta njerëz do të damkosen dhe do të bëhen shkak për humbjen e PD-së në zonat përkatëse ku do të kandidojnë, në vend që të kontribuojnë sadopak në fitoren e saj. Nuk do të ishte çudi që Prokuroria të detyrohej që t’i arrestonte këta njerëz që gjatë fushatës zgjedhore, për shkak të presionit të madh që do të ketë nga qeveria për të vepruar edhe ndaj palës tjetër.

PD ka në radhët e saj si dhe pranë saj mjaftueshëm njerëz të aftë, me reputacion pozitiv, me autoritet në komunitetin përkatës, në territorin e 61 bashkive, të cilët mund t’i përzgjedhë si kandidatë. Do të ishte një fatkeqësi për komunitetin përkatës dhe një turpërim për vetë PD-në në qoftë se në ndonjë rast, kandidati i PD-së në vend që të dilte nga këta lloj njerëzish, të dilte nga radhët e të inkriminuarve ose të akuzuarve, të cilët kanë avantazhin se mund të bëjnë lobing me mënyra të ndryshme.

Në radhë të parë është përgjegjësi e të deleguarve të PD-së nëse këta lloj njerëzish të inkriminuar në ndonjë rast edhe mund ta kenë kaluar filtrin e parë dhe emri i tyre mund të shkojë në qendër për t’u shqyrtuar si kandidaturë, në rivalitet me njerëz të tjerë. Por këtu, këta njerëz duhet të ndalen në filtrin e fundit të pakalueshëm të dekriminalizimit, që në rastin e tyre nuk duhet të jenë zgjedhësit, por vetë Kryesia e PD-së.

Mapo

SHKARKO APP