Starmer: Konflikti në Lindjen e Mesme ka shkaktuar shkëndija në Britaninë e Madhe
Lufta në Gaza dhe përshkallëzimi vdekjeprurës në Liban kanë shkaktuar “shkëndija në komunitetet tona”, tha sot kryeministri britanik Keir Starmer duke denoncuar rritjen e akteve antisemite dhe islamofobe në Mbretërinë e Bashkuar, që nga 7 tetori.
”Flakët e këtij konflikti vdekjeprurës tani kërcënojnë të konsumojnë rajonin dhe shkëndijat e tij po ndezin komunitetet tona, këtu në shtëpitë tona”, shkroi lideri laburist në një artikull të botuar në gazetën ”The Sunday Times”.
“Ka gjithmonë njerëz që përdorin konfliktet jashtë vendit për të nxitur konfliktet këtu dhe që nga 7 tetori, ne kemi parë një rritje në komunitetet tona të urrejtjes së neveritshme kundër hebrenjve dhe myslimanëve”, vazhdon ai, duke iu referuar shpërthimeve antisemite dhe islamofobe.
Në këtë shkrim të gjatë, të botuar një ditë përpara përvjetorit të parë të sulmit të paprecedentë të lëvizjes islamike palestineze Hamas në Izrael, lideri laburist u bën thirrje edhe një herë “të gjitha palëve të veprojnë me përmbajtje” dhe t’u “rikthehen zgjidhjeve politike dhe joushtarake”.
”Përvjetori i sulmeve të 7 tetorit duhet të na kujtojë koston e dështimit politik”, vazhdon ai.
Sulmi i Hamasit në tokën izraelite më 7 tetor rezultoi në vdekjen e 1 205 personave, shumica civilë.
Që nga 3 tetori, 97 persona mbeten të mbajtur në robëri, duke përfshirë 64 të supozuar të gjallë, me 33 të deklaruar të vdekur nga ushtria izraelite.
Duke bërë thirrje për lirimin e pengjeve të mbajtura në Gaza, Starmer tha se zgjidhja me dy shtete ishte “zgjidhja e vetme e mundshme” për konfliktin.
Ofensiva hakmarrëse izraelite në Rripin e Gazës ka kushtuar jetën e afro 41 900 njerëzve, kryesisht civilë, sipas Hamasit.
Në këtë pikë, Starmer gjykon se “nuk do të kemi një të ardhme më të mirë duke traumatizuar, lënë jetim dhe zhvendosur një brez tjetër (të palestinezëve – shënim i përkthyesit).
Në një letër të hapur të botuar sot, kryepeshkopi i Canterbury-t Justin Welby, kryerabini Ephraim Mirvis dhe udhëheqësi i Bordit Këshillimor të Xhamive Kombëtare dhe Imamëve (MINAB), Qari Asim, i bënë thirrje publikut britanik të refuzojë “urrejtjen në të gjitha format e saj”./ a.jor. ATSH