Stefan Çipa: Pres të më rikandidojnë sarandiotët

Nga Fernada Cenko

Kryetari i Bashkisë Sarandë Stefan Çipa shpreson të marrë një mandat të dytë për drejtimin  këtij qyteti. Edhe pse nga selia rozë nuk ende konfirmime zyrtare të kandidatëve, Çipa thotë se do të jenë sarandjotët ata që do ta vlerësojnë për një mandat të të dytë. Këtë Çipa e theksoi gjatë një interviste për gazetën “Koha Jonë”. “Unë pres që të rikonfirmohem nga subjekti politik i PS-së si kandidati më përfaqësues i kësaj force, që në Sarandë ka mbështetje të gjerë. Sa i takon arsyeve pse sarandjotët duhet të rivotojnë mua, këtu mendoj se kam avantazhin që këtë pyetje unë ia kam bërë vetes pas çdo hapi dhe pas çdo pune e investimi që kemi realizuar në këta 42 muaj, së bashku me ta”, është shprehur ai. Ndërsa kanë nisur ethet, Çipa thotë se është i qetë në këtë periudhë duke ju përkushtuar akoma më shumë punës së tij si qytetari i parë i Sarandës. Me ndarjen e re territoriale, bashkia do të ketë një administrim më të gjerë. “Për një bashki të madhe, detyrat janë edhe më të mëdha”, ka nënvizuar ai.

Po afron 21 qershori, çfarë sinjalesh keni marre nga qendra për kandidimin tuaj në qytetin e Sarandës?

Megjithëse zgjedhjet vendore po afrojnë dhe mandatit tim të parë të qeverisjes vendore po i vjen fundi, unë nuk bëj pjesë në ata që janë përfshirë në ethet e këtyre zgjedhjeve. Asnjë shkujdesje apo spostim vëmendjeje nga përditshmëria e punëve nuk i lejoj vetes dhe këtë kërkoj pothuaj përditë edhe nga stafet e Bashkisë. Kjo nuk vjen nga dëshira për ta mbajtur veten larg zhvillimeve të ditës në politikën e vendit, por sepse prirem nga ideja se politika më e mirë është kur i shërben atyre që të kanë votuar. Prandaj dhe jemi në punë edhe në këto kohë, kur kurioziteti është maksimal për emrat e pretendentëve, që dihet se janë në qendër të bisedave të ditës. Unë jam i qetë dhe i ftohtë ndaj këtyre sinjaleve, ndërkohë që nuk kam përse ta fsheh se është në ambicien time që t’u kërkoj sarandjotëve një mandat të dytë për ta qeverisur këtë qytet me dashurinë e treguar prej meje dhe me më shumë vizion, sidomos në kushtet e formatimit të një Bashkie të re, që është një sfidë e imja.

Surprizat në PS kanë qenë gjithmonë, nëse ju rikandidoheni, cilat janë arsyet që sarandjotët edhe më tej duhet t’ju votojnë juve?

Pavarësisht surprizave, që gjithnjë janë të pranishme, unë pres që të rikonfirmohem nga subjekti politik i PS-së si kandidati më përfaqësues i kësaj force, që në Sarandë ka mbështetje të gjerë. Sa i takon arsyeve pse sarandjotët duhet të rivotojnë mua, këtu mendoj se kam avantazhin që këtë pyetje unë ia kam bërë vetes pas çdo hapi dhe pas çdo pune e investimi që kemi realizuar në këta 42 muaj, së bashku me ta. Së bashku e bëmë Sarandën me kushte më cilësore për të banuar dhe më tërheqëse për të pushuar; e bëmë atë me më shumë festa tipike e evente lokale, për të cilat ndjehej boshllëk. I rikthyem këtij qyteti mjaft nga identitetet e veta, si: hapësirën e rivlerësuar të limanit karakteristik, vende çlodhjeje e kreativiteti për të gjitha moshat, kënde lojërash për fëmijë dhe lulishte, sipërfaqe të gjelbra e pemë, shkallaret e gurta dhe lulen e bukonviles, terrene sportive dhe zadrën e notit, galerinë e artit dhe skulpturën e parkut, zgjatimin e shëtitores dhe kthim të plazheve publikut. Të tjera investime që kemi në proces, përmirësojnë ndjeshëm furnizimin me ujë të pijshëm, krijojnë mundësi më të mëdha për të jetuar gjelbër në këtë qytet dhe rrisin performancën turistike të Sarandës apo promocionin e saj.

Me ndarjen e re territoriale, e keni luftën me kundërshtarët më të lehtë apo më të vështirë?

Për secilin prej atyre që janë me ambicien për të qeverisur Sarandën, ndarja e re territoriale është një sfidë më vete. Për një bashki të madhe, detyrat janë edhe më të mëdha. Si një parapërgatitje për këtë realitet të ri që na pret, Bashkia aktuale, pikërisht më 20 mars, ka inicuar dhe do të zhvillojë një konferencë kombëtare me këtë fokus. Tema e Konferencës sonë të 20 marsit: “Zhvillimi urban e turistik, sfida e Sarandës në kufijtë e rinj territorialë dhe me asete të shtuara”, shpresojmë shumë të na japë rekomandimet dhe këshillimet e duhura për të na parapërgatitur dhe aftësuar për të menaxhuar dhe administruar me kompetencë dhe në mënyrë të integruar territore, asete dhe burime njerëzore. Duke qenë se gara e 2015-ës bëhet për të qeverisur jo Bashkinë ekzistuese, por shumë më tepër se kaq, pasi shtohet fshati i madh i Çukës dhe komuna e Ksamilit, e quaj veten të avantazhuar në këtë përballje, falë njohjes së njerëzve, të problematikave të tyre dhe të komuniteteve që jetojnë atje, gjatë tre mandateve të mia si deputet i një zone që niste nga minoriteti e përmbyllej në Çamërinë e Konsipolit. Por gjithnjë duhet folur me njerëzit, duhet qëndruar afër atyre. Veç kësaj unë e kam në natyrë që nuk premtoj atë që nuk bëj, por atë që bëj.

Kanë filluar thashethemet për emra kandidatësh nga partitë, i ruheni ndonjërit prej tyre?

Të them të drejtën, jam i pandjeshëm ndaj këtyre listave, që më tepër janë mediatike dhe ende jo plotësisht zyrtare e publike. Këtyre dëshirave e ambicieve, që kanë edhe intrigën e vogël brenda, siç është zakon, jo pak njerëz u vënë edhe ca bishtra më shumë, që i bëjnë të ngjashme me legjendat urbane, deri tani që flasim. Për të gjitha këto që thashë unë i marr si të tilla ato që janë hedhur për konsum publik deri tani. Por ka një arsye edhe më të fortë pse kam këtë qëndrim ndaj kësaj vorbulle informative, që më shumë dezinformon. Sepse unë pres që edhe bashkëqytetarët dhe votuesit sarandiotë, të më vlerësojnë nga punët e kryera në harkun kohor 2011-2015 dhe jo nga radha e renditjes në listën e kandidatëve që thuhet se do të zbresin në garën zgjedhore ose bëhen gati për këtë garë.

Meqë tani edhe qeveria është e majtë, edhe projektet i keni më të lehta për ti realizuar. Cila do të jetë puna e parë që do të bëni?

Unë e kam përsëritur shpesh se me 23 qershorin 2013, mori fund edhe periudha e gjatë e politikës anti-Sarandë, që mbahej, jo vetëm kur u votëvbesova unë për ta qeverisur Sarandën, por edhe vite më parë. Starti i këtij ndryshimi dhe kthimi i vëmendjes reale mbi Sarandën u dha me Konferencën e mbajtur në Sarandë në fundvitin 2013, me praninë e Kryeministrit Rama, të një pjese të Kabinetit Qeveritar dhe deputetit Kokëdhima. U shpalos një Program i tërë i Investimeve Kapitale, të njohur tashmë me inicialet PIK. Këtë nuk ia dedikoj aq faktit që është qeverisje e majtë apo e të njëjtës kah politik që i përkas unë. Përpara meje Saranda listohej në bashkitë e djathta, por është vështirë ta gjesh këtë të konkretizuar në investime, pasi ishin të munguara dhe Saranda e diskriminuar. Tani është një përmbysje koncpetuale dhe shoh që shtrihet në të gjitha bashkitë e komunat e vendit, pa u nisur nga kush është në krye të tyre. Kjo na është një klimë pune dhe e rritjes së përgjegjësive për t’iu përgjigjur me punë këtij interesimi dhe vëmendjeje të qeverisë qendrore. Ne presim të marrim investimin për rrugën e pestë të qytetit, atë për shëtitoren e këto do të jenë nga punët e para, ndërkohë që kemi në proces investimin për kurorën e gjelbër të Sarandës. 

SHKARKO APP