Stili ndryshe i Erion Veliajt (FOTO)
Nga Stela Sallaku: Sot vendosa që të kem nën lupë një person mjaft të thjeshtë në dukje, pavarësisht postit. E sheh gjithnjë në lëvizje, takon njerëz, viziton kantiere dhe vende të ndryshme pune. Si rezultat preferon të jetë casual, por edhe kur del në ekran qëndron tek stili i tij pa kopjuar dikë tjetër. Psychology Today shkruan se veshjet kanë më shumë rëndësi se sa mendoni ju. Ato pasqyrojnë statusin shoqëror, punën që bëni, vlerësimin që keni për ambientin e punës si dhe vetëbësimin.
Lali Eri ka stil perëndimor, nuk krekoset asnjëherë por ruan me fanatizëm atë thjeshtësinë e tij. Edhe në rastet kur i duhet të vishet me tuxedo ose kostum, tregohet modest. Pa dashur të zgjatem me detaje, sepse mund t’ju mbaj gjithë ditë duke lexuar blogun në Tirana Post, le të fillojmë nga 10 veshjet që kam zgjedhur t’i komentoj sot.
Pesë më të realizuarat.
1- Një ndër të paktat kostume meshkujsh të cilët më pëlqejnë dhe s`kam as vërejtje madje. Teknikisht është ndërtuar për fizikun e Erionit, shpatullat janë kornizuar bukur, pak prerje beli aq sa lejon përmasa dhe pantallonat kanë gjatësinë dhe gjerësinë e duhur. Jam më se e lumtur që nuk ka zgjedhur kostum blu, sepse i gjithë parlamenti së fundmi është kompletuar me blu. Ajola si gjithnjë një yll.
2- Vëreni sa ndryshon kostumi nga aksesorët, këtë herë për një rast pak më zyrtar ka zgjedhur kravatë. Kostumet ceremoniale duan patjetër papjon, sipas rregullave të dizajnit. Edhe këtë herë zgjedh kostumin e zi për të mos e ngatërruar stilin si dhe për të qënë besnik i tipareve. Tonaliteti blu do e tregonte më të madh në moshë, si dhe më pak serioz.
3- Bluza e pambukut me mëngë të shkurtra me slogan ka qënë një nga tendencat e këtij viti. Por ajo çka më pëlqen më tepër është modestia me të cilën i bën kombinimet e tij. Kushdo tjetër do e kishte veshur me xhaketë lana këtë bluzën.
4- Po thosha qëpar se aksesorët e bëjnë veshjen të marrë formë. Gjëja që më bie në sy e para është pikërisht ai aksesori tek jaka, i cili në pamje të parë tregon se eventi është i rëndësishëm, por nuk është për kravatë, sepse mosha e cila do jetë prezente është e re. Këmisha harmonizon nuancën e xhaketës, por qëndron në plan të dytë sepse vëmendjen e merr xhaketa.
5- Gingham me tone bojëqielli është print mjaft i guximshëm, por perfekt për paraditet casual. Pa përmendur faktin se sa novatore bëhet veshja me një detaj të tillë. Ndër të paktat herë ku mosha është në sintoni me veshjen.
Le të kalojmë tek veshjet për të cilat kam sugjerime.
1- Të gjithë ne jemi paksa kuq e zi në shpirt, sado të duam ta fshehim na vjen natyrshëm. E kuqja na shkon, sidomos këtë vit që është dhe tendenca kryesore e sezonit. Më pëlqen sportiviteti tek kryetari i bashkisë tonë, se si preferon xhinset përpara pantallonave të krekosura, këmisha casual në vend të atyre me butona të gdhendur me flori. Këshilla ime e vetme është për dy jakat e përdorura. Janë thuajse në të njëjtën lartësi, nëse do eleminohej njëra, veshja do ishte akoma më mirë.
2- Më pëlqen grija e errët e pantallonave me prerje klasike, por nëse këmisha do kishte një tonalitet tjetër të blusë do ia vinte më në pah tiparet. Kjo nuancë e tregon pak më të madh në moshë.
3- Xhupi pa mëngë është mjaft i rehatshëm kur të duhet të jesh në lëvizje pune shumicën e kohës. Sërisht jam tek nuanca, do e preferoja pak më të errët, në nuancën e syve.
4- Në këtë rast do kisha rekomanduar eleminimin e xhupit, sepse pantallonat me këmishën xhinse janë në harmoni mjaft të mirë. Më bien në sy orat të cilat preferon, asnjëherë nuk e kam vënë re me detaje floriri apo argjendi. Shumë casual dhe praktike, duke mos dashur më shumë vëmendje. Bravo.
5- Më pëlqejnë pa masë atletet tek të cilat detajet janë minimaliste por të dukshme. Kam vetëm një rekomandim për këmishën, ndoshta nëse mbahet brenda qemerit të pantallonave balancon gjatësinë. Në fund të fundit, siç thotë populli, thjeshtësia e zbukuron njeriun.
/Tirana Post/