Stoli i rezervave të deputetëve
Nga Artan Fuga
Paradokset dhe alogjizmat e sistemit tonë politik nuk kanë të sosur…
Përpiqem të gjej ndonjë anë pozitive, e nuk ja dal dot. Ja shihni e më thoni nëse nuk kam të drejtë. Po më bindët heq dorë… Ikën nja dhjetë a nuk e di sesa deputetë nga Kuvendi sepse do të kandidojnë për kryetarë bashkish. E tani në vend të tyre do të vijnë nga seicila listë partiake deputetët që kanë qenë më poshtë tyre në rradhë. Po ku kanë legjitimitet moral dhe logjik këta që të hyjnë në Kuvend !!!
Ata mund të jenë burra dhe gra të mira, por kjo nuk ndryshon gjë. E para, si është e mundur që një rezultat zgjedhjesh në një zonë ta quash ende të vlefshme sot kur kanë kaluar dy vite që atëhere kur është bërë votimi. Mirë ata që u zgjodhën atëhere morën mandat për katër vjet, po këta zëvendësuesit kush tha që edhe sot po të votohej do të zgjidheshin??? E dyta, ata duhet edhe sot të rivalizonin me kandidatë të tjerë jo të zgjidheshin automatikisht ndërkohë që elektorati që nuk i votoi në atë kohë mund të mos i ketë dashur fare as si zëvendësues.
Kush e provon se elektorati i votoi si zëvendësuesa të mundshëm të deputetëve të ikur. E treta, a nuk do të ishte një test i mirë nëse në ato zona ku kanë ikur deputetë të bëhej edhe një testim i ri i balancës të forcave politike??? Kjo sigurisht do t’i jepte më shumë pushtet qytetarit. Do e lidhte politikën me qytetarin. Na zëvendësohen deputetët sikur të ishin ekip futbolli, ikën dikush, nxjerrin një tjetër nga stoli i rezervave. Kështu në parim ne mund të kemi në fund të mandatit krejt deputetë të tjerë nga ata që e nisën mandatin. A e kuptojnë se çfarë marrie është ???