Studim, ndotja e mjedisit, vrasësi numër 1 në botë
Sipas një studimi të ri, ndotja e mjedisit është vrasësi numër 1 në botë, duke shkaktuar më shumë vdekje të parakohshme mes njerëzve, se sa lufta, terrorizmi, fatkeqësitë natyrore, duhani dhe sëmundjet. Në studimin e revistës mjekësore “Lancet”, thuhet se ndotja, si jashtë edhe brenda, ka shkaktuar rreth 9 milionë të vdekur në vitin 2015, ose një në 6 vdekje.
Në Indi, gazet toksike që dalin nga djegia e kashtës arrin deri në kryeqytetin me miliona banorë. New Delhi është në krye të listës së qyteteve më të ndotura të botës. Autori i studimit thotë se ndotja kërcënon të drejtat bazë të njerëzve, si e drejta për të jetuar, shëndeti, mirëqenia, kushtet e sigurta në punë, si dhe mbrojtja e fëmijëve dhe personave më delikatë.
Në studim thuhet se shumica e vdekjeve që lidhen me ndotjen e mjedisit ndodhin në vendet në zhvillim, ku autorët thonë se udhëheqësit shqetësohen më tepër për ekonominë dhe infrastrukturën, se sa për rregulloret e mjedisit. Bangladeshi, Kina, Haiti, India, Pakistani, Koreja e Veriut dhe Sudani Jugor janë disa nga vendet e botës me më tepër ndotje.