Sulmi kibernetik i Iranit, Kuvendi: U fshinë disa të dhëna, por sistemet kryesore nuk janë prekur
Kuvendi i Shqipërisë ka reaguar lidhur me sulmin kibernetik nga Irani duke bërë me dije se ka ndodhur mbrëmjen e së hënës. Është vënë re një hyrje e paautorizuar në rrjet dhe fshirja e një pjese informacionesh në disa llogari. Bëhet me dije se sulmi ka pasur si synim fshirjen e të dhënave dhe cenimin e sistemeve të brendshme, por asgjë s’është prekur. Njëkohësisht janë marrë masat e nevojshme për izolimin dhe neutralizimin e sulmit, si edhe rikuperimin e të dhënave të fshirja.
“Nga analizat e para rezulton se infrastruktura kryesore e punës nuk është prekur. Faqja zyrtare e Kuvendit të Shqipërisë dhe sistemet e tjera që mbështesin funksionimin e institucionit vijojnë të funksionojnë normalisht”, thuhet në deklaratë. Sipas Kuvendit, menjëherë pas konstatimit të incidentit janë marrë masa për izolimin e trafikut të dyshimtë dhe për neutralizimin e sulmit. Ndërkohë, ekipet teknike po punojnë për rikuperimin e të dhënave të fshira në llogaritë e përdoruesve.
“Për këtë situatë është ngritur një skuadër e përbashkët teknike dhe hetimore që po punon për analizimin e plotë të incidentit, identifikimin e burimit të sulmit dhe rikthimin e të dhënave të prekura. Në këtë proces Kuvendi i Shqipërisë po bashkëpunon ngushtë me institucionet përgjegjëse për sigurinë kibernetike, përfshirë Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), Drejtorinë për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit dhe Komandën Kibernetike në Ministrinë e Mbrojtjes”, informoi Kuvendi.
KOHA JONË SONDAZH

