Sulmi kriminal ndaj biznesit tim është sulm ndaj çdo biznesi në vend
Nga Zef Shtjefni
Siç është bërë e ditur nga mediat, që në orët e para të mëngjesit të ditës së hënë, një bandë kriminale prej katër personash, të armatosur me kallashnikov e pistoleta, sulmuan natën në pragun e shtëpisë, ngjitur me Fabrikën e tullave qeramike të Lezhës, vëllanë tim Petritin, i cili është drejtor i kësaj Fabrike. As në 1997-ën nuk e kanë marrë një guxim të tillë grupet kriminale, edhe pse na kanë gjuajtur nga të katër anët, por nga larg. Tani, siç duket, ofensiva e krimit në vend ka marrë tatëpjetën dhe nuk po ndalet. Sigurisht, në qendër të sulmeve kriminale është Policia, sepse ndeshet e para çdo ditëme ta. Por si ujku që sulmon në fillim qenin, fill pas policisë , targeti kryesor i krimit janë bizneset, janë bankat, janë pronat e qytetarëve të pambrojtur. Nuk është hera e parë që fabrikat dhe bizneset e mia, të cilat kanë ndërtuar gjysmën e Shqipërisë, të vihen në shënjestër të krimit, por dhe të politikës së lidhur me krimin. Në dhjetor të vitit 2008, një grup tjetër kriminal, ose mbase i njëjti, sulmoi natën zyrat e po kësaj fabrike, duke i vjedhur e djegur ato. Nuk u mjaftuan me kaq, por lanë në mes të zjarrit edhe bombolat e oksigjenit, me qëllim që të hidhnin në erë ndërtesën më këdo që ndodhej brenda. Policia e Shtetit të Sali Berishës vrapoi të fshinte gjurmët e dukshme të atij krimi të rëndë dhe së bashku me prokurorët e gjyqtarët ndanë rreth 8 mln lek të vjedhura aty. I kërkova ndihmë me shkrim direkt ish-Kryeministrit Berisha, por injorimi, harresa dhe heshtja pasuan. Dhe ja, krimi që nuk ndëshkohet, godet përsëri. Në vitin 1997, shteti i Sali Berishës u shkërmoq dhe na la shakull në diell, në mëshirë të fatit dhe krimineleve, që na gjuanin çdo natë nga kodrat me të gjithë arsenalin e armëve, na hidhnin në erë shtyllat e tensionit e urat, na shantazhonin me letra gjobash etj. Por Fabrika e Lezhës nuk e ndaloi punën asnjë orë, nuk i la pa punë e pa paguar punonjësit e saj asnjë ditë. E po kështu, as ndërtuesit e klientët e saj, kurrë pa furnizim. Administrata e Sali Berishës e privatizoi në vitin 1994 këtë fabrikë të rrënuar dhe një muaj pas privatizimit ish -kryetari i PD dhe i Rrethit, i mori dhunshëm Fabrikës kavon e lëndës së parë, në bazë të ekzistencës së të cilës ishte projektuar e ndërtuar nga shteti kjo fabrike në këtë vënd dhe po për të njëjtin qëllim u shit në ankand publik. Sot e dëgjojmë Sali Berishën të sulmojë Ministrin e Brëndshëm për lidhje me krimin. Por unë jam një nga ata shumë persona që kemi provuar në kurriz të kundërtën e asaj që ai thotë. Administrata e qeverive të Sali Berishës ka qenë e inkriminuar dhe e korruptuar deri në fyt dhe mund t’u jap prova të pafund. Sot, më përforcohet bindja se skalionet e krimit janë ringjallur në gjithë vendin, pasi u është ndaluar droga, vjedhja, ndërtimet pa leje; u kanë rënë nga fiku përfaqësuesit e mbrojtësit e tyre, që e patën kthyer këtë vend në geto. Me këto sulme kriminale, banditët dhe kriminelët krahas vjedhjes, duan të na tregojnë se çfarë na gjenë neve që kemi kurajo të investojmë e ëndërrojmë në këtë vënd dhe atyre që synojnë të bëjnë shtet e vënëligje këtu. Unë jam një nga ata qindra biznesmenë, por dhe nga ata pak gazetarë të pavarur prej askujt të këtij vendi, që kemi guxuar të qëndrojmë këtu dhe të kritikojmë hapur keqqeverisjen dhe keqbërjen opozitë të çdo pale, edhe pse familjarët tanë votojnë lirshëm majtas e djathtas pa i influencuar asnjeri. Por, jam i bindur se një nga shkaktarët kryesor të rritjes së valës kriminale në vend, këto kohë, janë veprimet e ndërgjegjshme ose të papërgjegjëshme të PD-së dhe Sali Berishës dhe këtë e kam thënë hapur në shumë shkrime tek “Koha Jonë” e “Shekulli”.
Krimi është vigjilent dhe kur e sheh se politika e shteti çedojnë sado pak, ai hidhet në sulm dhe në shenjestër të parë ka biznesin. Por nëse biznesi lihet në mëshirë të fatit dhe në dorë të krimineleve, këtë vend e merr lumi dhe shpejt do t’ia dorëzojmë atë hajdutëve, kriminelëve, drogaxhinjëve e xhihadistëve. Një shtet që nuk mbron bizneset e tij, është trembës i kapitalit. Braktisja nga biznesi është vdekjeprurës për çdo vend. Ajo që i ndodhi vëllait tim të dielën në darkë, mund t’i ndodhë çdo kujt sot. I ndodhi Bankës në Tiranë, Neranxit në Autostradë, Santos në Bllok, Drejtorit dhe Pronarit të Fabrikës së Çementos në Fushë-Krujë, e sa e sa të tjerëve që janë vjedhur, plagosur apo dhe vrarë. Këto janë vjedhje të shoqëruara me terror dhe shpesh të pandëshkuara. Janë vjedhje që kanë në sfond edhe indiferencën, paaftësinë, mosmbrojtjen, heshtjen, frymëzimin e deri lejedhënien e hallkave të caktuara të krimit brenda institucioneve. Policia e shtetit nuk ka rrugë tjetër, veçse përballë kësaj force të shumëfishuar të krimit e terrorit në vend, të pastrojë radhët e veta, të fuqizojë personelin me vajza e djem të rinj të shkolluar, të pakurruptuar dhe të përkushtuar dhe të gjejë e dërgojë pas hekurave kriminelët dhe banditët e rrugës dhe së bashku me ta edhe kumbarët e tyre të politikës. Kjo luftë përballohet së bashku me popullin, së bashku me biznesin, së bashku me Europën nga ku i merr forcat dhe energjitë Policia e Shtetit. Opozita dhe avoketërit e krimit le të bërtasin se gjoja kemi shtet policor. Në fakt është e kundërta. Kemi një shtet akoma shumë të dobët. Kemi mungesë të fuqisë zbuluese e goditëse të tij. Kemi paralizë të Prokurorisë dhe SHIK-ut. Kemi korrupsion të paskrupullt të Drejtësisë. Kjo i jep krah e kurajo krimit dhe frymëzuesve të tij, që kanë humbur interesa të mëdha ekonomike, ndaj kërkojnë të destabilizojnë vendin e rimarrin me dhunë pushtetin me çdo mjet.