Sulmi me armë ndaj Fenerbahçes, ndërpritet 1 javë kampionati turk

Ndërpritet Super Liga Turke, ashtu siç ishte paralajmëruar pas incidenteve të fundit. Futbolli turk ndalet për një javë pas të shtënave me armë zjarri ndaj autobusit të Fenerbahce që transportonte skuadrën pas fitores 5-1 ndaj Rizesport, të shtunën e fundit. Gjatë atentatit u plagos shoferi i klubit të Fenerbahce. Ndalja e Super Ligës u bë e ditur nga Federata Turke e Futbollit pas një mbledhjeje me Ministrin e Sportit, Akif Cagatai Kilic.  Të shtunën pas ndeshjes autobusi me të cilin udhëtonte skuadra e Fenerbahce për t'u kthyer nga fusha e Rizesporit u sulmua nga një grup njerëzish të armatosur që hapi zjarr duke plagosur në fytyrë shoferin. Për fat të mirë, lojtarët dhe drejtuesit e skuadrës nuk u dëmtuan. Zërat e parë, edhe pse të pakonfirmuar nga burime zyrtare, hedhin hipotezën e një përfshirjeje të mundshme në këtë akt nga tifozë të Trabzonsporit, rivalë të egër të Fenerbahces. Pas ngjarjes klubi i Fenerbahce bëri të ditur nëpërmjet një komunikate, ku shprehej se nuk do të luante deri sa të zbulohej e  vërteta në lidhje me aktin që e denonconte si një tentativë për vrasje. “Gjetja dhe ndëshkimi i fajtorëve është me rëndësi jetike, përndryshe është e pamundur që të ecet përpara”, – shkruante në qëndrimin e saj Fenerbahce.

SHKARKO APP