“Surprizon” Pandeli Majko: PS fitoi 73 mandate? Të presim deri në kutinë e fundit
Kandidati për deputeti i PS-së, Pandeli Majko, i cili rezulton fitues sipas rezultateve paraprake në kryeqytet pohoi se procesi i numërimit të votave po vijon normalisht.
Teksa është bërë pjesë e një lidhjeje direkte për emisionin ‘Studio e Hapur’ në ‘News24’ Majko është treguar i qetë dhe tepër i rezervuar sa i takon pyetjeve të gazetareve Eni Vasili dhe Klodjana Lala sa i takon deklaratës së kryeministrit Rama për mandatet dhe ‘timonin’, shkruan ‘BalkanWeb’. Me diplomaci socialisti iu shmang përgjigjes ndërsa theksoi se PS po pret me maturi edhe kutinë e fundit, për të shpallur më tej rezultatin përfundimtar.
Majko pohoi se nuk ia vlen më që të diskutohet historia e ‘timonit’, ndërsa shtoi se ‘I kemi mbyllur të gjitha llojet e metaforave, prapashtesave. Po numërohen votat e PS, po na rritet pesha e përgjegjësisë’.
‘BalkanWeb’ zbardh intervistën e plotë të Majkos
Zoti Majko keni siguruar 73 mandate, ndërkohë Zoti Rama pohoi se i duheshin 71….
Prit, prit, njëherë se nuk kemi hapur kutitë e fundit. ne të PS jemi të kujdesshëm. Dua të them për votuesit e PS, është se ajo që po na vjen me ngadalë është një rezultat shumë i mirë.
Ju jeni me 73 mandate….por zoti Rama doli dhe tha se i duhej timoni…
Nuk besoj se ia vlen që të diskutojmë histori timonësh. I kemi mbyllur të gjitha llojet e metaforave, prapashtesave. Po numërohen votat e PS, po na rritet pesha e përgjegjësisë.
Ju nuk doni të kujtoni timonin, por Rama thotë: 14 vjeç u bëra basketbollist, 53 vjeç shofer…
Ka të bëjë me një humor relaksues. Fushata e jonë nuk do shoqërohet me fishekzjarrë apo lëvizje makinash në rrugë. Mbase dhe mund ta bëjmë. Njerëzit duhet ta shohin si fushatë të natyrshme.
Më herët keni nxituar për të shpallur fitore….Pse jo këtë herë?
Ça të them unë. Kur je i qetë do të thotë se je i qetë. Rezultati është krejtësisht në favor që të jemi të qetë. Por nuk duhet kuptuar kjo si histori vetëkënaqësie. Ne donim që të realizonim një proces sa më të mirë, ku mos të përfshihej administrata. Një proces që gati gjysma e qeverisë iu dha opozitës.
Jeni i qetë se e keni fituar mandatin tuaj?
Po të ishte kjo lloj qetësie për këtë lloj historie, do ishte e shtirur. S’do kisha dalë as në intervistë.