Suveniret që do përfaqësojnë Tiranën, Veliaj shpërndan çmimet: Në 6 muaj rritur me 2.4 herë numri i turistëve

Përmes një jurie të specializuar, Bashkia ka përzgjedhur produktet dhe suveniret e frymëzuara nga kryeqyteti të cilat do të përfaqësojnë Tiranën në sytë e vizitorëve dhe të turistëve.  Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj shpërndau sot çmimet për fituesit e konkursit të organizuar me temë “Identifikimi, Dizenjimi dhe Përzgjedhja e Produkteve Turistike”.

 Kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se vetëm në gjashtë muajt e parë numri i turistëve që kanë vizituar kryeqytetin është rritur me 2.4 herë. “Për ne turistët nuk janë një potpuri fotosh në instragram. Për ne turistët janë një mënyrë jetese. Tirana është një qendër financiare jo vetëm për Shqipërinë, por për shqiptarinë. Në thelb është një vend ku shërbehet. Ka një tregti të zhvilluar dhe besoj një nga burimet më të mira dhe më të sigurta në të ardhmen është turizmi. Vetëm në gjashtë muajt e parë është rritur 2.4 herë numri i turistëve që kanë vizituar Tiranën. Pra ende pa filluar vera, ende pa ardhur emigrantët që sjellin familjet dhe miqtë e tyre, 2.4 herë”, tha Veliaj.

 Kreu i Bashkië deklaroi se një impakt pozitiv në rritjen e numrit të turistëve ka dhënë dhe përmirësimi i infrastrukturës dhe transformimi që ka pësuar në tërësi qyteti. “Paska një impakt  sheshi, paska një impakt në Pazar, paska një impakt tek “Reja”, paska një impakt këndi i lodrave dhe më rezulton që është shumë i madh numri i atyre që janë turistët e brendshëm. Ndaj dhe them ne e kemi një shans fantastik. Për sa kohë që INSTA-ti, operatorët turistik po na promovojnë, dëshmon që është rritur fluksi. Atëherë si do sigurohemi që sa më shumë para të mbeten në Tiranë, dhe unë besoj që një përgjigje konkrete është ajo që po bëjmë sot, një prodhim ose një inkurajim i prodhimit të suvenireve që bën para në artizanatin shqiptar dhe që sigurisht e bëjnë më të këndshme dhe eksperiencën”, u shpreh Veliaj.

 Veliaj deklaroi se krahas rritjes së stacioneve që mund të vizitohen në Tiranë nga turistët është rritur edhe kërkesa për shtretër. Kryebashkiaku deklaroi se brenda katër viteve do të plotësohet edhe kjo kërkesë e turistëve për t’u akomoduar. “Kjo është arsyeja që ne do të vazhdojmë me inkurajimin e hotelerive në Tiranë. Do të jenë dhe dy brande hotele të tjera shumë të famshme të cilat janë në prag të finalizimit të projekteve të tyre të Tiranës. Kemi dhe disa aplikime të tjera për hoteleri në zonën e bulevardit të ri. Dhe besoj se edhe oferta e shtretërve të mangët në qytetin e Tiranës, brenda 4-vjeçarit do të përmbushet dhe Tirana do të jetë e vetëmjaftuehsme me shtretër dhe me industrinë e njerëzve që punojnë”, u shpreh ai.

 Kryetari i Bashkisë deklaroi se një punë e mirë është bërë dhe për përgatitjen e njerëzve të aftë për këtë industri, projekt i cili nisi katër vite me parë me shkollat profesionale. “Është mundësi fantastike punësimi. Ka shumë të rinj sot që punojnë në industrinë e hotelerisë. Na duhet pak kohë të avancojmë me shkollat tona profesionale, por më vjen mirë që për herë të parë ka radhë në shkollat tona profesionale. Mbaj mend para katër vitesh kur filluam shkollat profesionale, njerëzit menduan se ishte një lloj paraburgimi për katranosët. Sot nuk është kështu. Sot secili që ka marrë një arsim profesional ia ka parë dukun se çfarë do të thotë të kesh një zanat”, nënvizoi Veliaj.

 Veliaj deklaroi se qytetet e mira funksionojnë kur i gjithë qyteti e kupton  si mision qytetar promovimin e turizmit.

 Konkursi kishte për qëllimin identifikimin dhe përzgjedhjen e produkteve apo suvenire me synim rritjen e tregtueshmërisë dhe diversifikimin e tyre, duke lidhur dizenjimin dhe kompozimin me tendencat tregtare bashkëkohore si dhe me traditën dhe trashëgiminë natyrore, historike dhe kulturore të Tiranës.

SHKARKO APP