TABELA/ Dërgesat në stanjacion. Emigrantët nuk dërgojnë më shumë para

Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se dërgesat e emigrantëve shqiptarë mbetën në stanjacion në tremujorin e parë të vitit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, për periudhën janar-mars të këtij viti, shqiptarët që punojnë jashtë dërguan pranë familjeve të tyre 137.2 milionë euro. Kjo shifër është thuajse e barabartë me atë të tremujorit të parë të vitit të kaluar, ku dërgesat rezultuan 135.9 milionë euro.

Image

Dërgesat e emigrantëve arritën kulmin në vitin 2007, kur regjistruan nivelin 970 milionë euro. Por për shkak të krizës ato ranë me ritme të shpejta duke u tkurrur deri në 590 milionë euro në 2013-ën.

Edhe pse gjatë tre viteve të fundit ka patur një rritje të lehtë, dërgesat vazhdojnë të mbeten larg nivelit të para krizës. Vitin e kaluar dërgesat rezultuan 615 milionë euro me një rritje prej 3 për qind krahasuar me 2015-ën.

Rimëkëmbja e ekonomisë së Eurozonës, e cila nisi vitin e kaluar, ka shtuar shpresat se edhe dërgesat do të rigjallërohen. Por kjo nuk ka ndodhur, të paktën deri tani. Një situatë që sinjalizon se kriza financiare mund të mos ketë qenë arsyeja e vetme e rënies së dërgesave të emigrantëve.

Tashmë u bë rreth 27 vjet që nga koha kur shqiptarët nisën emigracionin dhe shumë prej emigrantëve të ikur në ato vite i kanë shkëputur lidhjet me Shqipërinë duke e ndërtuar jetën në vendet pritëse.

/SYRI.net

SHKARKO APP