Tabelat e karburanteve, MIE miraton standardin e ri: 30 ditë kohë për t’i zëvendësuar

Të gjitha pikat e tregtimit të karburanteve kanë 30 ditë kohë të ndryshojnë tabelat reklamuese të çmimeve, duke aplikuar standardin e ri, që sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë është në përputhje me Kodin Rrugor.

Tashmë, ky dikaster ka miratuar një model të ri reklamimi dhe ndriçimi për pikat e karburanteve në akset rrugore kombëtare, i cili vjen në kuadër të aksionit për garantimin e sigurisë rrugore.

Ndryshimi i tabelave të reklamimit u paralajmërua disa javë më parë edhe nga ministri, Damian Gjiknuri, i cili zhvilloi një takim me operatorët kryesorë të tregtimit të karburanteve në vend.

Sipas Gjiknurit, kjo ka qenë një ndër pikat më problematike të trashëguara, pasi tabelat reklamuese për markat dhe çmimet, konfuzojnë shoferët e makinave dhe bëhen burim aksidentesh.

Prej 4 javës Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndërmarrë një aksion për pastrimin e nyjeve dhe akseve kombëtare nga tabelat dhe aktivitetet e jashtëligjshëm. Që prej nisjes së këtij aksioni, janë pastruar akset: Vorë-Fushë Krujë, Elbasan- Rrogozhinë, si dhe është ndërhyrë në rrethrrotullimim Rrogozhinë-Plepa dhe nyjen e Milotit.

Gjithashtu, në aksin rrugor Tiranë-Shkozet janë hequr 70 tabela dhe reklama informuese, ndërkohë që në javën e fundit u ndërhy në akset Fier-Vlorë dhe Lezhë-Shkodër.

SHKARKO APP