Tahiri: Dorëzoj mandatin e deputetit. Më keni qytetar të thjeshtë
Nga konferenca për shtyp në kryesinë e kuvendit, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka bërë me dije se dorëzon mandatin e deputetit, dhe i drejtohet organeve hetimore, se nga sot e kanë qytetar të thjeshtë.
“Unë sot e dorëzoj mandatin tim të deputetit, nuk do të jem deputet po qytetar i thjeshtë si mijëra të tjerë në këtë vend me të drejtën time, me familjen time, njerëzit e mi, ata që më besojnë, do të përballen me drejtësinë siç do të përballem me palaçot në politikë që sot shesin dëngla. Këtu lajm e këtu do jem, përballë jush, do t’i shkoj deri në fund”,-tha Tahiri.
Pasi PS-ja vetë nuk e lëshoi, por e mbajti duke mos i hequr imunitetin, Tahiri duket se është detyruar të japë dorëheqjen nga mandati.
”Unë nuk jam palaço, e nuk kam nevoje as për mandat e as për të qenë deputet për tu përballur me palaçot e politikes. Me mua mund të merren do të duroj deri në fund, me familjen time janë marrë, mund të merren, do të bëjmë si do bëjmë, do të durojmë deri në fund. Deri atëherë unë do te jem këtu patjetër se kjo nuk është ndeshja ime e fundit, është veç e para”,-theksoi Tahiri.
Nga ana tjetër, ai tha se:”Kush heshtjen time e ka marrë për dobësi, nuk më keni njohur”. Ai thotë se drejtësisë ia hodhën duke bërë harbutin e duke akuzuar të tjerët për gjëra që kanë bërë vetë.