Tahiri: LSI i është dhënë mundësia të kthehej në një parti normale
Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i është rikthyer sulmeve ndaj LSI-së, duke thënë se asaj i është dhënë mundësia të kthehej në një parti normale që ka hallin e njerëzve dhe jo të “familjes”.
Por fatkeqësisht, tha Tahiri, kjo nuk ndodhi.
“I kam dëgjuar shpesh të më drejtohen mua dhe të më thonë se kam qenë pa eksperiencë kur kam marrë detyrën e ministrit të Brendshëm. Ky është mendimi i tij dhe unë nuk dua të merrem me të, por një eksperiencë si ajo e Ilir Metës nuk do ta doja kurrë. I kemi dhënë LSI-së mundësinë se mund të ndryshonte dhe të bëhej një parti normale që ka hallin e njerëzve jo të familjes. I kemi dhënë mundësinë të tregonte se mund të kthehej në një parti që synon që ky vend të bëhet më i mirë, me më pak korrupsion, por fatkeqësisht kjo nuk ndodhi dhe kjo është arsyeja përse ne nuk shkojmë me të në zgjedhje”, ka thënë Tahiri.