Tahiri: Shoferët, të respektojnë sinjalistikën rrugore!
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ishte dje në Durrës ku mori pjesë në takim të PAMECA dhe kishte fokus policin në komunitet. Saimir Tahiri, ka refuzuar sërish t’i përgjigjet lidhur me akuzat deputetit të përjashtuar nga Partia Socialiste, Tom Doshi. Me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të ministrisë së brendshme, pushtetit lokal dhe partnerëve ndërkombëtarë si dhe nxënësve nga shkolla të mesme të qytetit bregdetar, para tyre është prezantuar projekti “ ICARUS”, i cili synon ndërgjegjësimin e shoqërisë për sigurinë rrugore dhe zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor. Në këtë takim mori pjesë edhe ambasadorja e BE-së në vendin tonë, Romana Vlahuti, e cila para te rinjve është shprehur se për ta parësore është te zbatoni rregullat e qarkullimit rrugor që të kujdeseni për veten dhe të tjerët. Më tej foli Ministri i Punëve të Brendshme Tahiri, i cili është shprehur se është mjaft e rëndësishme të edukojmë policët e rrugores, drejtuesit e mjeteve dhe kalimtarët, pasi shifrat e personave që humbin jetën ne aksidente rrugore janë dyfish me te larta se ato që ndodhin për ngjarje kriminale. –“Vitin e kaluar Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit nisi një fushatë sensibilizuese për drejtuesit e automjeteve. Të tëra ato kishin në qendër edukimin e drejtuesit për të respektuar rregullat e qarkullimit rrugor lidhur me çështje që shkaktojnë më së shumti aksident në Shqipëri, siç janë tejkalimi i shpejtësie, drejtimi i mjetit në gjendje të dehur, drejtimi i mjetit pa patentë dhe shumë të tjera që shkaktojnë pasoja fatale për jetën e qytetarëve dhe pasoja tepër të rënda për shëndetin e qytetarëve. Por ne besojmë se është po kaq e rëndësishme të edukojmë ata që rrugën e përdorin jo si drejtues mjetesh, por si këmbësorë, apo me çdolloj mënyre tjetër.” Më tej ai shtoi se të rinjtë duhet të jenë modeli. – “Besoj shumë fort që ju më të parët mund të jeni në gjendje të bëni jetën tuaj të lirë pa konsideruar si barrë tepër të rëndë apo si kufizim të madh, respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor dhe respektimin e ligjit në tërësi. Sepse ju ndër më të parët mund të aplikoni modelin që gjithmonë mund të dalësh në shoqëri, por ai që është në timon mund të mos të pijë alkool.” Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako duke përshëndetur takimin ka sjellë një eksperiencë personale që lidhet me aksidentin që pësoi djali i tij para disa muajsh. Dako tha se në një aksident djali i tij rrezikoi jetën dhe prandaj është e rëndësishme që të rinjtë të kenë mjaft kujdes në drejtim të jetës që bëjnë dhe zbatimit të rregullave të qarkullimit rrugor.