Takimi me Unionin Turistik Shqiptar/ Ministrja Ekonomi: Koha për një turizëm cilësor

Cilësia në turizmin shqiptar. Kjo ishte kryefjala e takimit të zhvilluar në MZHETTS mes  Ministres së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Znj. Milva Ekonomi dhe përfaqësuesve të Unionit Turistik Shqiptar.

Ministrja Ekonomi e nisi fjalën e saj duke cituar kreun e Organizatës Botërore të Turizmit, Taleb Rifai, i cili disa ditë më parë deklaroi se “të dhënat e organizatës që ai drejton flasin për një rritje të numrit të turistëve në Shqipëri dhe për një vëmendje të shtuar ndaj këtij sektori”.

“Këtë konstatim, kur e dëgjon, padyshim që të gëzon dhe për këtë kanë meritën e tyre të gjithë ata që janë përfshirë në industrinë e turizmit”,- u shpreh ministrja e Ekonomisë.

Ministrja Ekonomi i bëri një panoramë të gjerë të gjitha zhvillimeve të fundit që lidhen me miratimin e akteve nënligjore të ligjit “Për Turizmin”, që lidhen me vlerësimin e strukturave akomoduese, udhërrëfyesit turistik, operatorëve turistik dhe agjencive të udhëtimit.

Cilësia në turizmin shqiptar, u shpreh ministrja Ekonomi, është një proces i cili kërkon një punë të përbashkët mes qeverisë dhe atyre që operojnë në këtë sektor.

Për të patur një proces sa më efektiv, ministrja e Ekonomisë bëri të ditur se së shpejti, në të gjithë Shqipërinë, MZHETTS do të ndërmarrë një tur me trajnime, nga ku pronarët e strukturave akomoduese do të njihen me mekanizmin e aplikimit, përmes një platforme online për çertifikimin e standardeve të strukturës akomoduese që menaxhojnë.

“Ky proces ka si qëllim në arritjen e standardeve të duhura për strukturat akomoduese. Vlerësimi do të realizohet nga një skuadër e kombinuar me vlerësues shqiptarë dhe të huaj”,- u shpreh Ekonomi.

Për udhërrëfyesit turistikë, ministrja e Ekonomisë sqaroi se atyre që tashmë kanë vite që punojnë si guidë do t’i njihet kjo eksperiencë, por do të jetë sistemi i krediteve i ofruar nga universitet dhe entet e tjera të lincecuara, ai i cili do të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së udhërrëfyesve në vend.

“Sezoni më i mirë turistik veror, padyshim që, është sezoni  i 2016, pasi kemi patur një rritje të konsiderueshme të numrit të turistëve të organizuar që kanë ardhur për pushime në plazh, kryesisht nga vendet e Europës Qëndrore si Polonia, Republika Ceke, Ukraina, por edhe nga vendet nordike dhe ato të Ballkanit”, – u shpreh në fillim të fjalës së tij z. Rrahman Kasa, kreu i Unionit Turistik Shqiptar.

Të dhënat që ka Unioni, tha z. Kasa, tregojnë se rritja e numrit të turistëve për pushime gjatë sezonit që lamë pas është 25 deri në 30 % krahasuar me vitin e kaluar.

“Nga statistikat, tona vetëm nga aeroporti Nënë Tereza, për periudhën Qershor-Shtator, ka patur 11 fluturime charter në javë ose rreth 2200 pushues që kanë blerë paketa pushimi për në bregdetin e Durrësit dhe të Shëngjinit, me nga 7 netë fjetje.  Ndërsa, të dhënat që na vinë nga operatorët turistik në veri të vendit tregojnë për një rritje 10-15% për sa i përket turizmit malor”,- tha z. Rrahman Kasa.

Blerina Ago nga Federata Shqiptare e Rafting u shpreh se: “është hera e parë në 10 vjet që sëbashku me MZHETTS po flasim për të ofruar turizëm cilësor në Shqipëri”.

Ajo theksoi se ka ardhur koha që Shqipëria të jetë pjesë e paketave turistike ballkanike, pasi turistët kërkojnë më shumë hapësirë për të vizituar.

Të gjithë të pranishmit kërkuan të mendohej që tani për një sezon turistik të suksesshëm në 2017, duke synuar në përmirësimin e cilësisë dhe ofrimin e lehtësirave për pushuesit. Ato theksuan nevojën për hartimin e llogarive kombëtare të turizmit dhe promovimin e Shqipërisë turistike në destinacione që kanë potenciale për të shtuar numrin e vizitorëve

SHKARKO APP