Taksa portuale e papranueshme – KLSH: Porti i Durrësit arkëton vetëm 700 mijë lekë në vit

Në dy vitet e fundit, Porti i Durrësit ka arkëtuar vetëm nga 700 mijë lekë nga taksa portuale. Ky nivel kaq minimal është i papranueshëm për Kontrollin Lartë të Shtetit, i cili ka rekomanduar ndryshimin menjëherë të nivelit të taksës që aplikojnë portet shqiptare.

Në audimin e kryer në Portin e Durrësit gjatë këtij viti, KLSH vëren se niveli i kësaj takse është vetëm 1 euro që prej vitit 2008,  megjithëse kanë ndryshuar raportet e njohjes së porteve detare të Republikës së Shqipërisë, në drejtim të transportit detar ndërkombëtar, dhe është rritur ndjeshëm numri i anijeve që trajtohen në këto porte (kryesisht Durrës, Vlorë, Shëngjin).

Referuar kësaj takse dhe tarifave të aplikuara në vende të tjera dhe të rajonit, mbështetur dhe në një studim të realizuar nga Drejtoria e Përgjithshme Detare, ka rezultuar se përveç taksës kombëtare portale, aplikohen dhe shumë tarifa të tjera të shërbimit dhe pilotimit të anijeve, të ardhura këto të konsiderueshme për autoritetet që i arkëtojnë këto tarifa.

KLSH tërheq vëmendjes se Drejtoria e Portit Detar Durrës nuk ka marrë asnjë nismë për të propozuar rritjen e kësaj takse, megjithëse ka një studim mbi mundësitë e vendosjes së arkëtimeve të tarifave të reja për shërbime portale, që mund t’u aplikohen anijeve të lundrimit që prekin ujërat e Republikës së Shqipërisë. Këto të ardhura do të mund të mbulonin shpenzimet e funksionimit të këtij institucioni buxhetor po të funksiononte me vetëfinancim ose të ardhura për buxhetin e shtetit, konkludon në raport KLSH.

SHKARKO APP