Taksat e “fshehta” shumëfishojnë barrën e re fiskale

Si kostot e skanimit, rilicencimit, faturimi i energjisë bizneseve në tensionin e ulët e të tjera, minimumi e katërfishojnë barrën e re fiskale në vitin 2016, që pritet të transferohet në çmime te konsumatori fundor… 

Nga Ornela Liperi, Monitor

Ndërsa efekti i politikave të reja fiskale në total në 2016-n do të jetë 1.44 mld lekë (10 milionë euro), vetëm nga koncesioni i skanimit i Rapiscan, bizneset llogaritet të paguajnë këtë vit edhe rreth 9 milionë euro plus dhe 2 milionë euro shteti (koncesionari do të marrë 11 milionë euro në total). Tregtuesit e naftës do të paguajnë të paktën 10-30 milionë euro në tarifa rilicencimi pas disa muajsh. Bizneset po përballen dhe me mbifaturime të energjisë, që e kanë rritur tarifën që ata duhet të paguajnë me 27% (nëse nuk zgjidhet problemi, fatura mund të arrijë mbi 16 milionë euro) si dhe kosto të tjera shtesë nga ripërsëritja e lejeve të ndryshme, që shumëfishojnë barrën fiskale jo vetëm në  2016-n, por edhe vitet në vijim…

Ndonëse në 2016-n, nuk pritet të ketë ndryshime të mëdha në taksat direkte – pas rritjes dy vjet radhazi të tatimfitimit, tatimit mbi të ardhurat personale, taksës së qarkullimit dhe akcizës së disa produkteve – bizneset do të përballen me kosto të paparashikuara nga barra e taksave e tarifave indirekte që do të shtojë ndjeshëm koston e produkteve apo shërbimeve të tyre, që pritet të transferohet te konsumatori final përmes çmimeve.

Ministria e Financave, në materialin e saj të fundit publikues, “Buxheti për qytetarët 2016”, pohon se efektet e politikave të reja fiskale këtë vit janë 1.44 miliardë lekë, apo rreth 10 milionë euro, që do të paguhen më shumë taksa si rrjedhojë e rritjes direkte të disa taksave (Taksa e ndikimit në infrastrukturë, taksa e truallit, taksa mbi primet e makinave dhe ajo për automjetet luksoze dhe rritja e sigurimeve shoqërore për profesionet e lira).

Barra totale e taksave indirekte (të fshehura) është e pamatshme, megjithatë disa prej tyre mund të llogariten për vitin 2016:

-Skanimi i deklaratave doganore: Biznesi pritet të paguajë të paktën 7-9 milionë euro në 2016 (shiko llogaritjen më poshtë) dhe 2-4 milionë euro do të paguhen nga buxheti (indirekt taksat tona), pasi koncesionari në bazë të marrëveshjes do të marrë 11.3 milionë euro në vitin e parë.

-Tarifa e licencimit dhe rilicencimit të pikave të karburantit do të shtojë për operatorët një barrë minimumi prej 10-30 milionë eurosh (shiko llogaritjen më poshtë), që pritet të transferohet direkt në çmim, pra te konsumatori final.

-Nëse nuk zgjidhet problemi i tarifimit të shumë ndërmarrjeve me tarifat e tensionit të ulët (14 lekë/kWh), kur ata sipas ligjit duhet të tarifohen në tensionin e mesëm (11 lekë/kWh), bizneset do të detyrohen të paguajnë rreth 16 milionë euro fatura energjie shtesë (4 milionë euro çdo tremujor) për vitin 2016 (shiko të dejatuar problemin më poshtë).

Vetëm nga këto tarifa indirekte, barra fiskale pritet të paktën të katërfishohet, nga 10 milionë euro (zyrtarja) në mbi 40 milionë euro (duke i shtuar taksat dhe tarifat indirekte).

Më poshtë jepen të detajuara taksat e “fshehta” të 2016-s, disa të trashëguara nga qeverisja e mëparshme dhe disa të shtuara vitin e fundit.

Tarifat më të larta për licencimet e pikave të karburantit

Në fillim të dhjetorit 2015, Këshilli i Ministrave vendosi të shumëfishojë pagesën për dhënien dhe përsëritjen e licencave për stacionet e shitjes së karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës, për automjetet dhe vajrave lubrifikantë, duke e bërë atë 5 milionë lekë, për Bashkinë e Tiranës, dhe 2 milionë lekë, për bashkitë e tjera. Më parë, tarifat ishin përkatësisht 30 mijë lekë dhe 20 mijë lekë. Sipas operatorëve të tregut, të paktën në vitin e parë, kjo tarifë do të ndikojë në 5-10 lekë në çmimin e naftës, pasi tregtuesit do ta kalojnë këtë kosto te çmimet finale, që paguhen nga konsumatori.

Teksa nafta në bursat ndërkombëtare ka arritur gjatë ditëve të fundit në nivelet më të ulëta të 14 viteve, në Shqipëri, një litër naftë vijon të shitet me pakicë në rreth 155-162 lekë për litër, e 19-a më e shtrenjtë në botë. Burime nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve pohojnë se reflektimi i tarifës së rilicencimit ndikon në mosuljen e çmimeve me të njëjtat ritme si në bursat ndërkombëtare.

Aktualisht, sipas të dhënave nga INSTAT, janë rreth 1100 pika tregtimi me pakicë, teksa Shqipëria është një vend unik për nga numri i tyre i lartë në raport me popullsisë. Në bazë të ligjit nr. 8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, autorizimet për pikat e tregtimit me pakicë jepen nga organi i pushtetit vendor për një periudhë deri në 5 vjet me të drejtë përsëritjeje.

Aktualisht, pjesës më të madhe të pikave të tregtimit u ka mbaruar leja dhe duhet ta rinovojnë atë, sidomos në Tiranë, ku gjatë kohës që e drejtonte e djathta nuk është rinovuar asnjë leje.

Në total, nëse llogaritim që minimumi 50% e 1100 pikave do të duhet të paguajnë për rinovim licence në vitin 2016, në total do të duhet të paguajnë të paktën 10 milionë euro në 2016-n, por vlerësimi total arrin deri në 30 milionë euro.

Një tjetër ndryshim, që do të rëndojë në kostot e operatorëve dhe sërish do të reflektohet në çmimin final është që vendimi i dhjetorit parashikon që përsëritja e licencave, që bëhet nga organi që ka dhënë licencën, kundrejt një kërkese të personit juridik, shqyrtohet njësoj si një kërkesë e re, çka nënkupton kosto shtesë administrative. Projekti Teknologjik, projekti i mbrojtjes nga zjarri, projekti arkitektonik, taksa e ndikimit në infrastrukturë, vërtetim për kontrollin e objektit nga Inspektorati Qendror Teknik (IQT) vlerësohet se shkojnë rreth 2.2 milionë lekë.

Faturimi i energjisë me tension të ulët, shtrenjtim edhe 27% për bizneset

Ka ankesa të vazhdueshme se OSHEE mbifaturon bizneset duke manipuluar me burimin e furnizimit të mesëm me tension të ulët, duke krijuar mospërputhje ndërmjet sasisë së energjisë së konsumuar dhe asaj që faturohet. Një prej tyre, ndërmarrja “FIX PRO” sh.p.k, është ankuar tek Autoriteti i Konkurrencës ndaj OSHEE, lidhur me faturimin gabim nga ana e kësaj ndërmarrjeje. Sipas ndërmarrjes “FIX PRO” sh.p.k., se është kategorizuar si klient që furnizohet nga Tensioni i Ulët (TU) pika e matjes, ndërkohë që faktikisht furnizohet nga Tensioni i Mesëm (TM) pika e lidhjes, pasi kabina elektrike është investim i tij.

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) i ka dhënë të drejtë biznesit dhe pretendon se operatori OSHEE duhet të bëjë faturimet sipas Tensionit të Mesëm, dhe më pas të kompensohen humbjet që do të rezultojnë nga përllogaritjet përkatëse.

Nga ana tjetër, (ERE) pretendon se ka marrë ankesa edhe nga shoqata të tjera për të njëjtin problem dhe do të gjejnë zgjidhje me zbatimin e ligjit të ri “Për sektorin e energjisë” dhe modelit të ri të tregut, i cili parashikon që një “furnizues universal” dhe faturimet do të kryhen në bazë të tensionit real të konsumuar.

Edhe Autoriteti i Konkurrencës ka konkluduar se nga informacioni i depozituar pranë saj nga ana e ERE-s dhe OSHEE-së në formë shkresore dhe gjatë seancave dëgjimore, rezulton se problematika e ngritur nga ankuesi është edhe për shumë klientë të tjerë, gjë e cila mund të çojë në diskriminim e tyre.

Bizneset pohojnë se kostot e energjisë elektrike, janë kosto fiskale, dhe me këtë veprim ata po detyrohen të paguajnë energjinë me 14 lekë për kWh (tensioni i ulët, aq sa e kanë dhe konsumatorët familjarë), nga 11 lekë/kWh që e kanë tarifën bizneset që klasifikohen në tensionin e mesëm, çka çon në një shtrenjtim me 27% të tarifave të energjisë, përveç rritjes zyrtare të çmimit në fillim të vitit 2015, kur energjia nga 9 lekë/kWh u bë 11 lekë/kWh. Në raport me fundin e 2014-s, rritja reale e kostos së energjisë është rreth 50% (nga 9 në 14 lekë/kWh).

OSHEE, bizneset e kanë bërë lidhjen gabim, të spostojnë sistemin e matjes në tensionin e ulët

Ankesat pranë OSHEE kanë qenë të shumta nga ana e bizneseve për faturim të energjisë në tension të ulët me 14 lekë/kWh. Në përgjigjen që OSHEE i ka dërguar një biznesi i sqaron se subjekti furnizohet në tension të mesëm, por sistemin e matjes e ka në tension të ulët. OSHEE sqaron se bazuar në kontratën e furnizimit, Kodi i Matjes përkufizon se pika e lidhjes është vendi fizik ku realizohet lidhja e përdoruesit/konsumatorit me sistemin e shpërndarjes dhe ku është realizuar pika e lidhjes dhe ku sistemi i matjes plotëson të gjitha kushtet teknike dhe të saktësisë sipas këtij Kodi. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë i sqaron bizneset se pajisjet e sistemit të matjes duhet të jenë të instaluara në çdo matje (kur matja kryhet në TM) të sigurt dhe të vendosura në ambiente të veçanta apo në vende ku mund të lexohen qartë dhe lehtësisht të kontrollueshëm nga përfaqësues të autorizuar nga Furnizuesi.

Zgjidhja e vetme që jep OSHEE është që biznesi për të kaluar në tarifimin në tensionin e mesëm duhet të realizojë spostimin e sistemit të matjes nga tensioni i ulët në tensionin e mesëm dhe përballimi i masës së investimit do të realizohet nga konsumatorët jofamiljarë, duke zbatuar me rigorozitet kërkesat teknike të OSHEE, kodit të matjes, kodit të shpërndarjes dhe rregullores së pikës së lidhjes.

Përfaqësuesit e biznesit pohojnë për ‘Monitor’ se investimet për ndërtimin e kabinave me tension të ulët kërkojnë 6-7 mijë euro investim, që sërish do të ishte një kosto e shtuar për ta në prodhim dhe jo të gjithë mund ta justifikojnë këtë investim. Një sipërmarrje që shpenzon 60-70 mijë kWh në muaj mund të nxjerrë këtë investim në një vit (përmes kursimit në tarifimin e energjisë), ndërsa ndërmarrjeve të vogla që nuk shpenzojnë shumë energji do t’u duhet gati tre vjet të nxjerrin leverditë e këtij investimi.

Për më tepër, diferenca e sistemit të matjes (tension i ulët me të mesëm) është vetëm te humbjet në transformator (bizneset janë lidhur me tensionin e mesëm përmes transformatorëve, që është investim i vetë kompanive), që luhatet në rreth 1% të sasisë së energjisë dhe ndikon në çmim vetëm me 0.1-0.2 lekë dhe kurrsesi nuk justifikohet tarifimi me 3 lekë për kWh më shumë, që sidomos për industritë e rënda është një kosto e lartë e shtuar.

OSHEE pretendon se këto janë probleme të trashëguara nga disa vite më parë, teksa bizneset janë lidhur me sistemin e matjes me tension të ulët, pasi në këtë mënyrë kanë përfituar 32% të uljes së çmimit për tarifën T3 (nga 2500 lekë/kW kundrejt fuqisë së kërkuar në 1700 lekë/kW), ndonëse shumë prej tyre i kanë pohuar OSHEE se ata nuk e kanë bërë këtë lidhje për të kursyer në tarifën e shërbimit, por sepse kështu e dinin që veprohej. OSHEE pohon se lidhjet e reja po kryhen në mënyrën e duhur dhe nuk kanë pasur probleme.

Ka biznese që po sorollaten me muaj sa tek OSHEE, ERE, Autoriteti i Konkurrencës dhe Ministria e Industrisë dhe Energjisë dhe nuk po gjejnë zgjidhje. Shumë kompani nuk i kanë kapacitetet e duhura për njohjen e thellë të akteve dhe rregulloreve që lidhen me energjinë elektrike, e për këtë arsye përveç tarifave më të larta të energjisë kanë kosto shtesë edhe për konsulencë ligjore.

ERE u jep të drejtë bizneseve, janë paguar shtesë 4.2 milionë euro vetëm për tre muaj

Në një shkresë që Enti Rregullator i Energjisë (ERE) i ka dërguar drejtorit të OSHEE, Adrian Çela, pohon se duke filluar nga muaji mars 2015 e në vijim, në ERE janë paraqitur ankesa për sqarim nga ana e disa klientëve të lidhur në tensionin e mesëm në lidhje me aplikimin korrekt të tarifave për këtë grup konsumatorësh, që OSHEE duhet të kryejë në përputhje me vendimin nr. 148, datë 26.12.2014 të ERE-s.

Në ankimin e tyre, ky grup konsumatorësh informon se janë tarifuar me çmimin 14 lekë/kWh, që u korrespondon klientëve jo familjarë në 0.4 kvh dhe jo 20/10/6 kV, që sipas vendimit të ERE është përkatësisht 9.5 lekë lekë/kWh dhe 11 lekë kWh. I njëjti veprim vërehet edhe për faturimin e konsumit të energjisë në pik.

Pas seancave dëgjimore, u konstatua që këta konsumatorë kanë të përbashkët faktin që janë të lidhur në tension të mesëm, ndërkohë që pika e matjes është pas transformimit, pra në tension të ulët. Për shkak të mospërputhejs së pikës së lidhjes me pikën e matjes, OSHEE i shkaktohet një humbje ekuivalente me humbjet në pikën e transformimit për të cilën është përgjegjës kjo kategori konsumatorësh.

Por ERE thekson se ky fakt nuk përbën argument që OSHEE të faturojë këta konsumatorë me tarifat e TU.

ERE pohon se OSHEE nuk ka dërguar përllogaritje për kostot shtesë që i janë shkaktuar asaj nga kjo mënyrë faturimi e kompanive dhe as ka prezantuar kërkesë për rishqyrtim të çmimeve me pakicë, ndërsa humbjet teknike i ishin përfshirë që më parë në të ardhurat e miratuara nga ERE. OSHEE ka raportuar dhe një grup të ri konsumatorësh “Klientë të lidhur në 20/10/6 kV dhe matur në TU, me çmim 14 lekë kWh, të njëjtë me çmimin e konsumatorëve familjarë të matur në TU, ndryshe nga vendimi i Bordit të Komisionerëve të ERE-s.

Në shkresat që i ka dërguar OSHEE-së lidhur me ankesat e kompanive të caktuara, ERE i ka kërkuar operatorit të shpërndarjes së energjisë që të kompensojë faturat e bizneseve për vlerën e shtuar, që rezulton nga aplikimi i tarifave të tensionit të ulët.

ERE ka konstatuar se faturimi i këtij grupi të ri konsumatorësh i ka sjellë kompanisë rreth 593.5 milionë lekë të ardhura shtesë për periudhë shkurt-prill 2015 (rreth 4.2 milionë euro).

Pra, nëse kjo çështje nuk zgjidhet, bizneset do të detyrohen të paguajnë rreth 16 milionë euro fatura energjie shtesë (rreth 4 milionë euro çdo tremujor) për vitin 2016.

Koncesionet e Rapiscan GFI dhe SICPA

Nga shtatori i vitit të kaluar, ka hyrë në fuqi kontrata e skanimit me Rapiscan, e cila parashikon pagimin e 22 eurove për çdo deklaratë doganore, pavarësisht nëse bëhet apo jo skanimi. Një biznes që e ka të mbështetur aktivitetin në eksport dhe import pohon se tarifa që i duhet të paguajë për koncesionin e skanimit, Rapiscan është e barabartë me pagesën e Tatimit mbi Fitimin. Kostoja në këto nivele vlen më së shumti për bizneset e fasonit dhe linjat të agropërpunimit. Alban Zusi, administrator i kompanisë së përpunimit të peshkut “Poseidon”, pohoi se aq sa ka paguar tatimfitimin për dy muaj, ka paguar edhe tarifa për Rapiscan. Zusi tha se, pagesa e skanimit i ka rritur kostot e biznesit që drejton në mënyrë marramendëse, duke e vënë industrinë e përpunimit në situatë të vështirë dhe para një konkurrence të pabarabartë rajonale.

Ka pasur dhe raste, kur ndonëse mallrat e eksportuara janë kthyer mbrapsht për çështje procedurash që nuk varen nga kompania, në mënyrë skandaloze janë detyruar të paguajnë tarifën e skanimit.

Tarifa e skanimit është 22 euro mbi të gjitha deklaratat doganore me vlerë 1000 euro e sipër, ndërsa deklaratat doganore nën 1000 euro do të tatohen me 5 euro. Në vitin bazë që merret si pikënisje për llogaritjet, numri i deklaratave doganore me vlerë mbi 1 000 (një mijë) euro është afërsisht 400 mijë copë. Numri i deklaratave doganore me vlerën nën 1 000 (një mijë) euro është rreth 35 mijë copë. Nga një llogaritje e thjeshtë, shuma që bizneset do të paguajnë në 2016-n llogaritet nga 7-9 milionë euro (disa biznese u përjashtuan nga pagesa dy herë e kësaj tarife) dhe 2-4 milionë euro do të paguhen nga buxheti (indirekt sërish taksat tona), pasi koncesionari në bazë të marrëveshjes do të marrë 11.3 milionë euro në vitin e parë.

Markimi është një tjetër taksë e fshehtë, që po paguhet prej disa vitesh, pas koncesionit me kompaninë GFI. Shoqata e Hidrokarbureve pohoi se, edhe pse nafta as nuk markohet dhe as nuk skanohet, biznesi paguan tarifat të cilat janë përfshirë në çmime 2 lekë për litër.

Ndërsa grosistët e cigareve pohuan se kosto e pullës fiskale është rritur me tre herë me dhënien e saj me koncesion ndaj kompanisë SICPA. Vitin që shkoi llogariten 3.2 milionë euro pagesa vetëm për pullën fiskale nga grosistët e cigareve, të cilat janë transferuar në çmimet për konsumatorët fundorë, me më shumë se 2 lekë për paketë, ndërkohë që importi i cigareve është në rënie pikiatë dy vitet e fundit, çka tregon se ky shërbim nuk ka kryer funksionin e tij, atë të uljes së informalitetit.

Rapiscan, kosto indirekte përveç tarifës 22 euro për deklaratë doganore

Bizneset pohojnë se nga data 16 dhjetor 2015, me një urdhër, që ata e konsiderojnë absurd, të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave (vendimi nr. 31359 prot. datë 16.12.2015 për kufizimin e orarit të kryerjes së procedurave të eksportit në degët doganore), të gjitha degët doganore të rretheve duhet të mbyllin veprimet për eksporte para orës 10-11 (në varësi të qyteteve), sepse duhet që kamionët të futen për skanim në Durrës para orës 1:00.

Kjo procedurë, pohon Alban Zusi, ka rritur kostot indirekte, pasi nëse nuk arrihen këto afate, kamioni detyrohet të qëndrojë në port, çka rrit pagesat portuale dhe për transportuesin. “Kontejnerët duhet të presin që të futen të gjithë në skanim dhe për çdo ditë vonesë ka taksë portuale dhe shpenzime të tjera”, pohon ai.

Kjo procedurë ka çuar në qiell dhe koston e korrupsionit, teksa bizneset përpiqen me çdo kusht që të mbarojnë procedurat brenda kësaj kohe, apo dhe të fillojnë procedurat pak pasi ka kaluar ora 11:00, në mënyrë që të mos humbasin edhe 24 orë të tjera.

Në një ankesë që Shoqatat e Biznesit i kanë dërguar drejtoreshës së doganave theksohet se kufizimi në kohë i kryerjes së procedurave të eksportit, sipas këtij urdhri, është në ekstrem: p.sh. në disa degë doganore shërbimi ndaj eksportuesve reduktohet deri në vetëm 3 orë në ditë!

Biznesi ka ilustruar një aspekt sesi krijohen kostot: Me këtë orar të reduktuar, cikli i plotë i ngarkimit të mallit dhe zhdoganimit, është e pamundur të përmbushet brenda një dite, për rrjedhojë:

– Rriten kostot për parkim doganor

– Rriten kostot e transportit, pasi Transportuesi e vë mjetin në dispozicion të eksportuesit për një numër të caktuar orësh. Pamundësia për të përfunduar brenda ditës procedurat e eksportit bën që mjeti i transportit të jetë në dispozicion të eksportuesit një ditë më shumë, kohë për të cilën natyrshëm që transportuesi do të paguhet

– Orari shumë i reduktuar i përfundimit të zhdoganimit, sjell rritjen e presionit për të përfunduar sa më shpejt. Për rrjedhojë shtohen shanset dhe rastet e gabimeve njerëzore nga punonjësit që përgatitin dokumentacionin, agjentëve doganorë dhe punonjësve të doganës. Dihet që gabimi në dokumentacion ka pasojat e veta, më i vogli i të cilave është zgjatja e përfundimit të procesit të zhdoganimit edhe një ditë më shumë.

– Në rastin e anijeve kontejnerike, pamundësia për të përfunduar procedurën doganore brenda ditës, sjell mosngarkimin e kontejnerit në mjetin lundrues që niset të nesërmen në mëngjes. Për rrjedhojë, kontejneri i eksportit duhet të presë në Durrës përafërsisht edhe 7 ditë të tjera. Kjo sjell në kosto magazinim, mosrespektim kontratash në lidhje me pritësin e mallit, probleme me letër kreditet, probleme në marrjen e pagesave nga blerësi, etj. Gjithashtu mosnisja në kohën e parashikuar, mund të sjellë në probleme jashtëzakonisht të mëdha në lidhje me partnerët në biznes (blerësin e mallit, bankat për letër kreditet, etj.).

Përveç kostove të sipërpërmendura, me këtë orar të reduktuar, shtohet edhe presioni korruptiv për të paguar shërbimin në rastet e paraqitjes në disa minuta vonesë nga orari i rreptë kufizues për të shmangur pasojat (kostot shumë serioze edhe financiare).

Doganat: Urdhri për oraret, për të koordinuar eksportin me skanimin

Lidhur me Urdhrin e datës 16 dhjetor 2015, për përcaktimin e orareve në kryerjen e procedurave për eksport dhe rieksport, me zyrë doganore dalëse Durrësin, Drejtoria e Përgjithshme e Doganës sqaron se ai ka qëllim orientues dhe jo kufizues për operatorët ekonomikë.

Me anë të tij, synohet disiplinimi i lëvizjes së mjeteve me mallra për eksport apo rieksport me zyrë doganore dalëse Durrësin, si dhe i ndihmon operatorët ekonomikë që të planifikojnë në kohë përshtatjen me oraret e nisjes së trageteve. Kjo për shkak se, aktualisht, procedurat e skanimit në Portin Detar të Durrësit nuk mund të realizohen në kohën e pikut të lëvizjes për eksport (dalje nga territori doganor).

Në kushtet kur në kuadër të forcimit të masave për rritjen e shkallës dhe efikasitetit të kontrolleve kundër terrorizmit dhe trafiqeve të paligjshme do të skanohet një numër më i lartë mjetesh me mallra që kryejnë procedurat për eksport dhe rieksport në Degën Doganore Durrës, fluksi i lartë i këtyre mjeteve bëhet shkak që subjektet të humbasin tragetin, sqarojnë me tej burimet zyrtare në dogana.

Referuar këtij Urdhri, Drejtoria e Përgjithshme ka udhëzuar Degët Doganore të marrin të gjitha masat e nevojshme dhe të njoftojnë paraprakisht operatorët ekonomikë dhe agjencitë doganore, në mënyrë që atyre t’u jepet mundësia për të përshtatur aktivitetin e eksportit me oraret e përcaktuara, në rastet kur subjekti kërkon të nisë mallin për eksport brenda ditës. Në të kundërt, ata mund të kryejnë procedurat edhe pas orarit të përcaktuar në urdhër, por duhet të llogarisin që nisjen për eksport ta bëjnë ditën e nesërme.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganës siguroi se urdhri në fjalë ka për qëllim t’u japë përparësi kryerjes së procedurave për subjektet që kryejnë eksport apo rieksport dhe ka angazhimin maksimal për të qenë në ndihmë të biznesit.

Operatorët postarë, 0.5% të të ardhurave për AKEP

Ndërsa më parë operatorët postarë paguanin një tarifë fikse vjetore prej 30 mijë lekësh për rinovim licence, me ligjin e ri nr. 46/2015, “Për shërbimet postare në Republikën e Shqipërisë”, janë të detyruar të paguajnë nga ky vit në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) një pagesë vjetore për të mbuluar kostot administrative respektive të AKEP-it për mbikëqyrjen e tregut postar, e cila nuk duhet të jenë më shumë se 0,5% e së ardhurës vjetore të vitit kalendarik të mëparshëm, të siguruara vetëm nga shërbimet postare.

Operatorët pohojnë se kjo pagesë vjetore, e matur në përqindje të të ardhurave, që ata janë të detyruar ta derdhin në mars kur të dorëzojnë bilancin e 2015-s, është shumë më e lartë se tarifa fikse prej 30 mijë lekësh që paguanin më parë.

Tarifat e rilicencimit

Rivovimi i herëpashershëm i lejeve të mjedisit, i lejeve higjieno-sanitare, aprovimi i etiketave për çdo produkt dhe çdo rinovim etikete që shkon 100 mijë lekë, rinovimi i lejeve të përgjithshme, në përgjithësi, të gjitha të ashtuquajtura aprovime miratime, të kësaj natyre edhe për të ndryshuar një germë apo pse ndryshon një referencë ligjore, janë kosto shtesë. Rifillimi i çdo procedure kërkon një kosto të shtuar.

Është kthyer në një gjë të zakonshme tashmë që sa herë vjen në pushtet një administratë kërkon rinovim lejesh. Psh, Ministria e Bujqësisë revokoi gjithë kontratat si ato të peshkimit, apo të dhënies në përdorim të tokave.

Krahas tarifave direkte, biznesi ka dhe kosto administrative shtesë, teksa është i detyruar t’u drejtohet studiove të specializuara për kryerjen e procedurave të caktuara që kërkohen për rinovimin e lejeve.

Në 2016-n, të gjitha bizneset prodhuese, bujqësore ushqimore, industriale, guroret, impiantet e inerteve, bizneset që kanë shkarkime ujërash, mbetjesh, gazrash etj, duhet të rinovojnë lejet mjedisore, duke paguar një tarifë rreth 30 mijë lekë për shtetin, ndërsa ka biznese që vlerësojnë dhe një kosto shtesë që mund të shkojë deri në 1,000 euro për tarifat e konsulencës.

Trajnimi për mbrojtjen nga zjarri

Bizneset, kryesisht në fushën e edukimit dhe të tjera, paguan në fund të vitit që shkoi 30 mijë lekë si tarifë trajnimi për mbrojtjen nga zjarri. Shumë subjekte të arsimit privat parashkollor pohuan se e paguajnë tarifën, edhe pse shërbimi i trajnimit nuk u mor i plotë.

Ministria e Mjedisit: Të gjitha lejet e para 2013-s duhet të rinovohen

Në lidhje me shqetësimin e përcjellë nga bizneset, Ministria e Mjedisit ka bërë të ditur se të gjitha bizneset që e kanë marrë lejen mjedisore përpara janarit të vitit 2013 duhet ta rinovojnë atë. Ligji ka hyrë në fuqi që në vitin 2013, por ka filluar zbatimin muajt e fundit, pasi u ishte dhënë dy vjet kohë bizneseve të merrnin masat.

Konkretisht, ligji nr. 10448, datë 14.07.2011 “Për lejet e mjedisit”, i ndryshuar, në kreun VI, nenet 30 dhe 31, detyron të gjithë instalimet ekzistuese të tipit A, B dhe C të zbatojnë dispozitat e ligjit jo më vonë se dy vjet nga hyrja në fuqi e tij. Operatori i dërgon AKM, përmes QKL, brenda 2 viteve nga hyrja në fuqi e tij, kërkesën për rishikimin e kushteve të lejes ekzistuese, në përputhje me kërkesat e këtij ligji dhe planin e përputhshmërisë. Ky ligj ka hyrë në fuqi në janar të vitit 2013, pra është në fuqi prej 3 vitesh. Procedura e miratimit të ligjit ka kaluar pas dhënies dhe reflektimit të mendimeve të ministrive të linjës dhe më pas edhe në Komisionet Parlamentare.

Ministria e Mjedisit sqaron se “bazuar në seksionin 2, Kreu V, i VKM nr. 419, datë 25.06.2014 “Për miratimin e kërkesave të posaçme për shqyrtimin e kërkesave për leje mjedisi të tipave a, b dhe c, për transferimin e lejeve nga një subjekt te tjetri, të kushteve për lejet respektive të mjedisit, si dhe rregullave të hollësishme për shqyrtimin e tyre nga autoritetet kompetente deri në lëshimin e këtyre lejeve nga QKL-ja”, për rishikimin e kushteve të një leje ekzistuese të tipit A, B ose C, operatori i një instalimi ekzistues e shoqëron kërkesën për rishikimin e kushteve të lejes me: Planin e Përputhshmërisë dhe Formularin e Kërkesës sipas shtojcave të vendimit. Të gjitha informacionet që kërkohen në Formularin e Kërkesës dhe Planin e Përputhshmërisë janë informacione që çdo operator i posedon në planin e tij të monitorimit të cilin e raporton në mënyrë periodike në institucionet përgjegjëse për mjedisin. Ligji nuk kërkon që plotësimi i formularit të kërkesës dhe i planit të përputhshmërisë të kryhet nga specialistë të certifikuar, çka do të sillte kosto shtesë për operatorin. Formatet e formularëve të kërkesës sikurse edhe formatet e lejeve të mjedisit janë të bazuara në standardet europiane dhe kanë kushte specifike dhe më të detajuara sipas përshtatjes së standardeve me Bashkimin Europian”.

SHKARKO APP