Taksat për banesat do të “mbushin arkën” e njësive vendore
Vendosja e taksës sipas vlerës së banesave parashikohet të sjellë rritje të ndjeshme të ardhurave në njësitë e qeverisjes vendore.
Raporti, i përgatitur nga Co-PLAN mbi financat publike vendore nxjerr në pah se aktualisht njësitë e vendore patën rritje, të ardhurave nga taksa mbi ndërtesat të cilat rezultuan në rreth 2.4 miliard lekë, me një rritje prej 5.6% në gjashtë muajt e parë të vitit 2017.
Në të kundërt, të ardhurat nga taksa mbi tokën bujqësore shënuan rënie vjetore të theksuar me rreth 20.6% krahasuar me një vit më parë.
Më negative situata paraqitet në të ardhurat nga Taksa e truallit e cila nuk rezulton të ketë regjistruar të ardhura për 6 muajt e parë të këtij viti. Kjo situatë lidhet me problematikat e mungesës pothuajse totale të regjistrave të bazës së taksës dhe taksapaguesve.
Nisur nga këto konstatime vlerësohet se mund të ketë probleme të raportimit financiar, dhe për këtë kërkohet një vlerësim më i thellë nga autoritetet për të ndryshuar situatën.
Në gjysmën e parë të vitit 2017 të ardhurat për njësitë e qeverisjes vendore u rritën me 8.5 miliardë lekë. Peshën kryesore në arritjen e këtyre rezultateve duket se e ka mbajtur rritja e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë e cila është ndikuar edhe nga rritja e ndjeshme e numrit të lejeve të ndërtimit.