TAP konfirmon: Puna vazhdon, asnjë rrezik për projektin

Projekti i gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline nuk është në rrezik.  “Ecuria e projektit TAP është sipas programit të planifikuar dhe gazsjellësi do të jetë gati për të transportuar gazin nga Shah Deniz në vitin 2020”. Kjo është përgjigjja zyrtare e ardhur nga drejtuesit e projektit në Tiranë.

Një ditë më parë, zëvendëspresidenti i kompanisë shtetërore azere të naftës SOCAR, Vitaly Baylarbayov në një intervistë për EurActiv.com, deklaroi se TAP ( pjesë e Korridorit Jugor të Gazit),  është në rrezik, për shkak të vonesave në dhënien e lejeve nga autoritetet lokale në rajonin italian të Pulias.

“Edhe pse ne kemi përfunduar fazën e hartimit të projektit dhe kemi arritur te zbatimi deri më tani nuk janë marrë të gjitha lejet e nevojshme. Disa prej tyre mund të jepen në një afat shumë të shkurtër, por procesi është vonuar për fat të keq. Kjo krijon një rrezik për realizimin e projektit. Por, nga qeveria e Matteo Renzit, ne kemi mbështetjen e plotë. Ne po punojmë me të gjitha autoritetet rajonale në të gjitha nivelet, me qëllim për të finalizuar jo vetëm vetë projektin, por edhe programin e mbështetjes sociale për komunitetin … Qeveria italiane na ka dhënë autorizimin në vitin 2015. Në këtë autorizim janë përfshirë edhe 65 komente shtesë që janë dhënë nga organizata të ndryshme. Kjo quhet zakonisht “Verifikimi i pajtueshmërisë”. Por 65 është një numër shumë i madh dhe vetëm një pjesë e vogël e tyre janë dhënë deri tani”, deklaroi Baylarbayov.

Ndërsa në Shqipëri vetëm pak ditë më parë në një ceremoni zyrtare ku morën pjesë drejtues të shtetit shqiptar, si dhe ata të projektit TAP, nisi zyrtarisht puna për vendosjen e tubave.

Ecuria e deritanishme në Shqipëri

Rreth 13.000 tuba do të përdoren për ndërtimin e seksionit të tubacionit prej 215 km në Shqipëri.

  • Pesha e një tubi të vetëm prej 18 metrash është rreth 16.900 kg.
  • Në Shqipëri do të përdoren tuba prej 18 dhe 12 metrash gjatësi dhe 1.22 m diametër.
  • Pesha e tubave të çelikut për seksionin e tubacionit në Shqipëri është rreth 116.184 tonë.
  • Trysnia maksimale e operimit në Stacionin e Kompresorëve është 97 / 147 bar.
  • Volumi i gërmuar i kanaleve për segmentin e tubacionit prej 215 km në Shqipëri është 1.300.000 m³.

Ndërtimi i pjesës tokësore të Gazsjellësit në Shqipëri    •    Rreth 23.000 metra lineare janë pastruar nga gjurma e projektit

  • Mbi 12.000 m tuba janë vendosur në varg përgjatë gjurmës
  • Afersisht 8.000 m tuba janë salduar
  • 56% e tubave kanë mbërritur dhe pjesa tjetër po vijojnë të vijnë që nga prilli i këtij viti.

Rrugët Ndihmëse dhe Urat

  • Ndërtimi dhe rehabilitimi i rrugëve dhe urave ndihmëse në rajonet e Korçës (lindje), Çorovodës (qendër) dhe Fierit (perëndim).
  • Rreth 94% e punimeve, për Rrugët dhe Urat Ndihmëse e miratuara është përfunduar (ecuria e kombinuar e rrugëve dhe urave)
  • Janë ndërtuar nga e para apo janë rindërtuar rreth 48 km rrugë, janë ndërtuar 2 ura të reja dhe janë rehabilituar 42 ura ekzistuese
  • Faza e dytë e punimeve, që përfshijnë rehabilitimin e rreth 100 km rrugë, do të kryhet nga një kontraktor vendas i kontraktorit të TAP Spiecapag.

Punësimi

  • Aktualisht, më shumë se 1.700 persona punojnë për Projektin TAP në Shqipëri.
  • Rreth 90% e punonjësve janë shqiptarë.

Procesi i Blerjes dhe Servitutit të Tokës (LEA)

Kryer në përputhje me standardet ndërkombëtare të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

  • 8.800 ngastra toke të ndikuara gjithsej në Shqipëri (shifër e përafërt).
  • Rreth 1.300 parcela të ndikuara për Rrugët dhe Urat Ndihmëse.
  • Rreth 7.500 parcela të ndikuara për të Drejtën e Kalimit, Tubacionin, Stacionet e Kompresorëve dhe Instalimet e tjera mbi tokë.
  • Toka e marrë përkohësisht për korridorin e punimeve të tubacionit është rreth 8.170 ha, që është e barabartë me 81,7 km².
  • Toka e blerë përgjithmonë për 8 Stacionet e Valvulave të Bllokimit, 1 Stacion për Pikë Dalje, 1 Stacion Kompresorësh, dhe 1 Stacion Matjesh është gjithsej 70 ha.

Përmirësimi i të Dhënave Kadastrale

Dokumentacioni i 13.000 parcelave është përditësuar dhe përmirësuar, 17.000 hektarë.

  • 25.000 është numri i përafërt përfituesve.

Përfitimet nga TAP-i në Shqipëri

Kontraktorët kryesorë të TAP-it në Shqipëri

  • Shoqëria e përbashkët Gener 2 dhe Sicilsaldo: kontraktor për rehabilitimin e Rrugëve Ndihmëse dhe Urave në Shqipëri.
  • Spiecapag: Kontraktor EPC për ndërtimi e dy loteve tokësore në Shqipëri (215 km gjithsej)
  • JV Renco S.p.A dhe Terna S.A: Kontraktor EPC për stacionet e kompresorëve të projektit.
  • Saipem SpA: Kontraktor EPCI për seksionin detar, nënujor të projektit.
  • ABKons: për vlerësimin, shpalljet publike dhe këshillimin publik për raportin VNMS. Aktualisht po punon edhe për Blerjen dhe Servitutin e Tokës, për të siguruar të drejtën e kalimit në Shqipëri si edhe po ndihmon me procesin e marrjes së lejeve.

Ka një sërë kompanish të tjera shqiptare që po punojnë si nënkontraktorë.

SHKARKO APP