Task-Forca: Dhuna në fushatë, ndjekje penale
Task-Forca i ka kërkuar prokurorisë që të ndjek me përparësi çdo vepër penale që prek sistemin e zgjedhjeve të lira. Në mbledhjen e zhvilluar sot, Task-Forca diskutoi sipas rendit të ditës dërguar anëtarëve të saj dhe pjesëmarrësve në të.
Gjithashtu thuhet se të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga organizma të ndryshëm ndërkombëtarë, të cilën si zakonisht falënderohen për pjesëmarrjen dhe janë të mirëpritur në çdo mbledhje.
“Rendit i Ditës përfshinte raportim nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit lidhur me shqetësime për raste dhune të sjella në vëmendje të Task-Forcës nga subjekti zgjedhor LSI, si dhe me gjerë lidhur me masat e marra nga Policia e Shtetit për trajtimin e incidenteve gjatë fushatës zgjedhore dhe ditën e zgjedhjeve. Njëkohësisht, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit duhet të informonte për aktivizimin e elementëve kriminalë gjatë fushatës zgjedhore në mbështetje të subjekteve politikë (nëse ka), për përfshirje të punonjësve të Policisë së Shtetit në mbështetjeje të subjekteve zgjedhorë apo bashkëpunimi i tyre me elementë kriminalë gjithmonë në kuadër të zgjedhjeve (nëse ka) apo për raste të shitblerjes së votës”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit parashtroi para Task-Forcës informacionin lidhur me sa më sipër, gjithmonë duke respektuar rregullat për sekretin shtetëror.
Konkretisht, raportoi për rastet e dhunës gjatë fushatës zgjedhore që shqetësojnë subjektin zgjedhor LSI dhe u shpreh se Policia e Shtetit ka trajtuar me përparësi çdo rast duke kryer veprimet e duhura procedurale dhe duke referuar çështjet për ndjekje të mëtejshme pranë prokurorisë si organi kompetent për të ushtruar ndjekjen penale.
Policia e Shtetit ka konstatuar 14 raste veprash penale që cenojnë sistemin demokratik të zgjedhjeve për të cilat deri më sot janë identifikuar 24 autorë, një pjesë e të cilëve janë arrestuar, të tjerë ndiqen në gjendje të lirë dhe një pjesë janë shpallur në kërkim.
Njëkohësisht, Policia e Shtetit raportoi për 14 raste të shitblerjes së votës, për të cilat janë kryer veprimet procedurale dhe janë referuar pranë prokurorisë. Sipas informacioneve të Policisë së Shtetit për një pjesë të rasteve më sipër prokuroria ka regjistruar procedime penale, kurse të tjera janë në vlerësim e sipër.
Nga ana tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit garantoi, çka u mbështet dhe nga Ministri i Punëve të Brendshme, se sipas informacioneve të deritanishme nuk ka përfshirje të punonjësve të Policisë së Shtetit në vepra penale që prekin sistemin demokratik të zgjedhjeve të lira. Pavarësisht kësaj çdo qytetar apo subjekt zgjedhor është i mirëpritur të kallëzojë nominalisht pranë Policisë së Shtetit dhe/ose prokurorisë çdo punonjës të policisë së shtetit të përfshirë në kryerjen e veprave të tilla penale.
Më tej, Task-Forca fton prokurorinë të ndjekë me përparësi çdo vepër penale që prek sistemin e zgjedhjeve të lira si dhe veprat penale që i janë referuar nga Policia e Shtetit për rastet më sipër të sjella nga LSI në vëmendje të Task-Forcës.
Njëkohësisht, Prokuroria ftohet edhe njëherë që të caktojë një përfaqësues të sajin në Task-Forcë dhe të marrë pjesë në mbledhjet e saj.
Së fundmi, Task-Forca në kuadër të transparencës dhe trajtimit të barabartë të të gjithë subjekteve zgjedhore në vijim të raportimeve të sotme gjatë mbledhjes së saj nga Policia e Shtetit do të informojë së shpejti subjektin zgjedhor LSI dhe do t’i vërë në dispozicion materialin e dërguar nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria për sa nuk cenon sekretin shtetëror.