Task-Forca për ujin e pijshëm, verifikohen 1623 raste, ndërpriten 319 lidhje të paligjshme
Pavarësisht fundjavës, Bashkia e Tiranës dhe Ujësjellës-Kanalizime vijuan me intensitet punën edhe këto dy ditë për monitorimin e situatës në terren për disiplinimin e përdorimit të ujit të pijshëm, duke ndërhyrë me ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme.
Në zbatim të masave për menaxhimin më të mirë të situatës së ujit të pijshëm, të ardhur si pasojë e temperaturave të larta dhe thatësirës së zgjatur, grupet e Task-Forcës e përqëndruan aksionin e tyre në zonat: Farkë, Zall Herr, Petrelë, Babrru, Rr. “Dhimitër Kamarda”, Rr. “Ali Demi”, Rr. Kont Urani, Rr. Elbasanit, Rr. “Hoxha Tahsin”, Rr. “M. Shyri”, në zonën e “Liqenit të Thatë”, Rr. “Kosovarëve”, në “Qytetin Studenti”, zonën e “Parkut të Autobusëve”, si dhe në linjat e transmetimit DN 700 dhe DN 1000.
Gjatë punës në terren dy ditët e fundit, grupet e punës verifikuan 1623 raste duke identifikuar dhe shkëputur 319 raste të lidhjeve të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit, ku uji i pijshëm përdorej për ujitje, ndërsa kanë vendosur 25 gjoba për familjarë dhe për biznese të ndryshme.
Gjatë verifikimeve në terren janë konstatuar dhe ndërprerë të gjitha lidhjet e ujit që përdoreshin nga lavazhet e makinave. Edhe në këto raste subjektet janë gjobitur sipas parashikimit në ligj, ndërsa për çdo shkelje penale është bërë gjithashtu denoncimi në organet përkatëse.
Si pasojë e masave të marra nga Grupet Task Force, me pjesëmarrjen e Policisë së Shtetit, Policisë Bashkiake, Prefekturës dhe stafit teknik të Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, të shpërndara në gjithë territorin e Tiranës, përfshi zonat rurale, ashtu edhe atë urbane, është rritur dhe sensibilizimi i qytetarëve për vendosjen e matësve të ujit dhe për pagesat me ujin e pijshëm.
Vetëm dy ditët e fundit janë lidhur 154 kontrata të reja me ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizime, si dhe 58 aktmarrëveshje. Gjithashtu, grupet e punës dhe specialistët e UKT instaluan edhe 380 matësa të rinj uji.
Qytetarët kanë në dispozicion dy numra telefoni, 08004488 të Ujësjellësit të Tiranës dhe atë të Bashkisë së Tiranës 08000888, për të raportuar problemet e furnizimit me ujë të pijshëm apo të denoncojnë rastet e abuzimit të cilat dëmtojnë rrjetin e ujësjellësit.