Tatimet, paralajmërim për bizneset: Paguani taksat

Referuar raportit të Drejtorisë së Tatimeve, një pjesë e hoteleve, restoranteve apo bizneseve të tjera të lidhura me turizmin fshehin taksat, duke punuar në informalitet. “Nga monitorimi, Administrata Tatimore ka konstatuar parregullsi për moslëshim kuponi, punonjës të pasiguruar apo printera jofiskalë”.

Tatimet paralajmërojnë se bizneset që shkelin ligjin do të ndëshkohen me masa të ashpra ligjore. “Këto problematika do të shoqërohen me penalitete, deri në bllokim të aktivitetit tregtar për 30 ditë”.

Në fillim të muajit të kaluar, Administrata Tatimore nisi zbatimin e një plani kombëtar për të luftuar informalitetin në fushën e turizmit, i cili sipas Tatimeve, gjatë verës shkon deri në 50 për qind.

Administrata Tatimore thotë se inspektorët e saj kanë kontrolluar me mijëra biznese në zonat turistike të vendit, ndërkohë që i ka bërë thirrje edhe qytetarëve të bashkëpunojnë për të denoncuar rastet e informalitetit.

SHKARKO APP