Tatimet paralajmërojnë turizmin: Kujdes me kuponat dhe çmimet e publikuara

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka organizuar një takim me përfaqësues të Industrisë së Turizmit, sektor i cili është lehtësuar nga taksat, duke e çuar TVSH-në në 6% dhe duke hequr tatimin mbi fitimin për hotelet me 4 dhe 5 yje. Por pavarësisht heqjes së këtyre barrave tatimore, kjo nuk do të thotë se ka dalë jashtë radarit të aksionit anti informalitetet.

Për të forcuar bashkëpunimin mes dy palëve, administrata tatimore sqaroi edhe se cilat janë problematikat kryesore që shfaqen në këtë kategori sipërmarrjesh.

E para ka të bëjë me lëshimin e kuponave tatimorë nga bar restorantet dhe hotelet, të cilat shpesh përdorin pajisje fiskale dhe të sistemeve të monitorimit të qarkullimit, të ndryshme nga ato që parashikohen në ligj. Kjo do të thotë se subjektet shpesh u lëshojnë klientëve kupona nga printera të brendshëm jofiskal, të cilat nuk kanë asnjë vlerë.

Shkelje të natyrës së mësipërme dënohen me gjoba në masën 50 mijë lekë, të cilat në rast përsëritjeje mund të sjellin edhe penalitete më të mëdha, deri në mbylljen e aktivitetit.

Një tjetër problematikë është ajo që ka të bëjë me çmimet e publikuara kundrejt atyre të deklaruara të strukturave akomoduese. Sipas tatimeve, çdo hotel duhet të argumentojë dhe dokumentojë kundrejt organeve tatimore politikën e çmimeve që aplikon, dhe në çdo rast të justifikojë qëndrimin në hotel të klientëve me referencën e rezervimit në regjistrin e klientëve.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e industrisë së turizmit vlerësuan organizimin e një tryeze të tillë dhe shprehën gadishmërinë e tyre për formalizimin e këtij sektori.

Takimi mes Administratës Tatimore dhe përfaqësuesve të Industrisë së Turizmit

SHKARKO APP