Tatimet pastrojnë regjistrin, “fshihen” gjysmat e kompanive
Gati gjysma e bizneseve në vend kanë rezultuar me statusin pasiv sipas një selektimi që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka bërë në regjistrin e tatimpaguesve.
Në kuadër të luftës ndaj informalitetit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar listën e tatimpaguesve me status pasiv, nga i cili rezulton se janë rreth 91 mijë biznese me këtë status. Lista e plotë gjendet në linkun e mëposhtëm:
https://www.tatime.gov.al/sqal/Media/Publikime/Borxhi%20Tatimor/Documents/Pasiv28042016.pdf.
Nga ky selektim i DPT rezulton që vetëm 50% e bizneseve të regjistruara (rreth 180 mijë biznese) janë aktualisht aktive.
Banka Botërore në kuadër të mbështetjes buxhetore për qeverinë shqiptare kishte rekomanduar disa masa kundër evazionit fiskal.
Sipas Bankës rast tipik është regjistri i tatimpaguesve, kur një përqindje e madhe e tyre janë joefektive. Nga një verifikim që ju bë regjistrit tatimor, Banka Botërore ka gjetur në fillim të vitit 2014 se, rreth 28 për qind e bizneseve janë joefektive. Por tani kur Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka nisur publikimin e regjistrit pasiv të bizneseve rezulton se gjysma e tyre janë fiktive pasi kanë më shumë se tre vite që nuk kanë paguar detyrimet dhe kanë kaluar me status pasiv.
Pastrimi i regjistrit nga bizneset joefektive shihet si një masë e parë anti-evazion. Pas kësaj, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve duhet të krijojë një regjistër me bizneset që realisht janë tatimpagues. Më pas, institucionet financiare ndërkombëtare rekomandojnë që ky regjistër të administrohet në mënyrë rigoroze, duke i përjashtuar bizneset që nuk paguajnë për dy apo tre periudha tatimore rresht.
Sipas rekomandimeve të Bankës, bizneset mund të futen sërish në regjistër vetëm pasi të kenë shlyer detyrimet. Por, ndërkohë, askush nuk mund të verifikojë listën e pastër të bizneseve. Ndërsa lista tjetër e bizneseve jo korrekt mund të verifikohet fare lehtë nëse spekulon me faturat e TVSH dhe kjo duhet t’i bëhet e ditur menjëherë publikut. Pjesa tjetër e bizneseve që janë në listën e “pastër” e marrin automatikisht rimbursimin e TVSH-së.
Ndërkohë programi për kthimin e TVSH duhet për të kontrolluar, nëse furnizuesi nuk është në listë dhe do të paralajmërojnë tatimpaguesin se furnizuesi i tij nuk është i autorizuar të lëshojë fatura të TVSH-së. Ndërkohë dogana nuk duhet të përpunojë importet ose eksportet për tregtarët që nuk janë në regjistrin e pastër.